Planet e Qipros për llogaritë bankare mllefosin miliarderët rusë (por me siguri, jo vetëm ata)

Parlamenti qipriot do të miratojë këtë të martë (19.03.2013) masat të cilat parashikojnë shpëtimin e këtij shteti nga falimentimi. Në fund të javës së kaluar për këto masa është votuar edhe në Eurogrup. Masat parashikojnë që krahas ndihmave financiare në vlerë prej 10 miliardë eurosh nga Fondi për shpëtimin e euros, pronarët e llogarive bankare në Qipro të bëjnë një pagesë. Sasia e pagesës ende nuk është caktuar.
Por këtu ka një problem. Qipro është vendstrehimi i miliardave ruse (dhe i shumë të tjerëve nga vende ish-komuniste që janë kthyer në miliarderë dekadat e fundit, përfshirë politikanë të korruptuar dhe familjet e tyre). Hë për hë në sipërfaqe ka dalë vetëm mllefi rus: Planet për bërjen e detyrueshme publike të të dhënave për klientët e bankava në Qipro "nuk janë të drejta dhe profesionale dhe janë të rrezikshme" - u shpreh të hënën një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin. Kryeministri Dmitri Medvedev shtoi: Këto plane janë si një lloj shpronësimi.
Ata që duan të kuptojnë mllefin rus duhet të kenë parasysh vetëm një shifër: 78,2 miliardë dollarë amerikanë. Kaq para ka investuar, sipas të dhënave të autoriteteve ruse të statistikave, Qiproja gjatë vitit 2011 në Rusi. Ky është gati trefishi i investimeve gjermane në Rusi. Ky vend i vogël i BE-së, është investuesi më i madh në Rusi, me gati gjysmën e investimeve të përgjithshme në këtë vend. Këto para me siguri që nuk janë të Qipros. Këtu bëhet fjalë për "para ruse të cilat ri-investohen përmes Qipros në Rusi. Qiproja me përqindjet e ulëta të tatimeve është një “stacion” shumë i rëndësishëm për kapitale të tilla.
Rusia nuk është shteti i vetëm që preket. Edhe oligarkët ukrainas i transferojnë paratë e tyre fillimisht në Qipro dhe prej atje investojnë në vendin e tyre. Investori më i madh në Ukrainë është Qiproja, ngjashëm sikur në Rusi. Në vitin 2011 janë investuar mbi 10 miliardë euro nga Qiproja në Ukrainë, që do të thotë një e pesta e investimeve. Në anën tjetër, mbi 90 % të investimeve ukrainase në botën e jashtme gjatë vitit 2012 kanë shkuar në drejtim të Qipros. a.n.
Sipas: http://www.dw.de/oligark%C3%ABt-rus%C3%AB-duhet-t%C3%AB-pagu...
Add new comment