Pas FMN, kredi tjetër nga Banka Botërore në fund të majit

Shqipëria pret të marrë një hua të dytë nga organizmat financiare ndërkombëtare. Këtë deklaratë e bëri dje për Zërin e Amerikës kreu i Financave Shkëlqim Cani. I ndodhur në Uashington për takimet e pranverës me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha dje se në fund të muajit maj pritet të merret miratimi për një hua nga Banka Botërore, pas asaj të dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Cani tha edhe se lëvrimi i këstit të parë të huasë nga FMN-ja po zgjat vetëm për motive teknike, pas zgjidhjes së të cilave do të vendoset mënyra për të kaluar paratë nga Uashingtoni në Bankën e Shqipërisë.
“Ne kemi bërë kërkesën përpara pesë ditëve, pasi kërkesa duhej bërë përpara pesë ditë pune dhe pas kësaj periudhë bëhet lëvrimi”, tha ai, duke shtuar se procedura nënkuptonte një miratim paraprak nga Kuvendi shqiptar. Sipas Canit, kësti i parë është diku tek rreth 25-26 milionë euro. Deri në 31 mars janë shlyer 200 milionë dollarë borxhe të shtetit ndaj biznesit, edhe pa këto fonde të Fondit Monetar, sipas tij. “Ne jemi munduar që të përqendrojmë efektet në disa drejtime kryesore. Një efekt që deri tani nuk e kemi përmendur është ai i shlyerjes së detyrimeve nga njëra firmë tek tjetra. Efekt tjetër do të jetë shlyerja e detyrime që firma të ndryshme u kanë punëtorëve të tyre, që nuk u kanë dhënë pagën, ose furnitorëve të vegjël”, tha ministri.
Për më shumë: http://www.shqiptarja.com/home/1/cani-nga-shba-n--fund-t--majit-kredi-nga-banka-bot-rore-209542.html
k.k
Add new comment