Përgjaket Kievi, 9 të vdekur. Palët ende pa një zgjidhje politike

Dhuna mund të mbetet “administruesi” i vetëm i situatës së tendosur në Ukrainë. Agjencitë ndërkombëtare të informacionit njoftojnë për 9 të vdekur në ditën e sotme, që konsiderohet më e përgjakshmja në 3 muaj protesta të nisura nga opozita filoeuropiane. “Reuters” njofton se të dhënat për numrin e viktimave janë referuar nga autoritetet ukrainase, përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Shtetëror të Sigurisë(SBU), të cilët dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp. Gjithçka ndodhi pasi policia u përpoq që të ndalojë protestuesit të cilët dolën nga kampi i tyre në Kiev, në sheshin “Maidan” dhe u drejtuan për nga godina e parlamentit që po zhvillonte seancë. Mes të vdekurve bëhet e ditur se janë edhe dy policë përfshirë 47 të tjerë të plagosur. Përveç ndërlikimit të brendshëm politik, i ngurtësuar tashmë si një ballafaqim force, situatës i shtohet edhe kompleksi i faktorëve të jashtëm. Kështu, nisur nga situata e fundit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka bërë thirrje për përmbajtje për të gjitha palët; ndërkohë që Kremlini fajëson për gjendjen e krijuar Perëndimin dhe tolerimin prej këtij të fundit të forcave radikale. Edhe dhuna e sotme thuhet se erdhi pas dështimit të negociatave, të cilat nuk po japin dot një zgjidhje politike. Aq sa lufta civile është bërë një opsion që përmendet përherë e më shpesh në Ukrainë.
Më shumë në: http://www.reuters.com/article/2014/02/18/us-ukraine-idUSBREA1G0OU20140218
s.z
Add new comment