Një shembull për promovimin e turizmit, Serbia përfshin monumente dhe vende që lidhen me Luftën e Parë në paketa turistike

“Serbia nuk ka plazhe apo dete, por ajo mund të ofrojë një përvojë krijuese turistike që tani kërkohet shumë në botë”. Kështu është shprehur drejtuesja e Organizatës së Turizmit të Beogradit, Gordana Plamenac. Ajo i është referuar përgatitjes së disa tureve historike që do të përfshijnë vendet dhe monumentet që lidhen me Luftën e Parë Botërore, e cila në Serbi pati disa nga momentet më dramatike. Kjo pasi aktualisht Europa po kujton 100-vjetorin e LIP-së. Plamenac ka dhënë edhe një shifër për të ardhurat monetare nga turizmin në vitin 2013 në Serbi, që sipas saj shkojnë në 1 miliardë dollarë. Natyrisht mendja të shkon te vendi ynë, Shqipëria, që ka jo vetëm dete dhe plazhe, por edhe mjedise malore të panjohura nga vetë banorët e saj. Si të thuash aseti primar është me bollëk, ndonëse qytete si Saranda, apo Durrësi janë shkallmuar nga ndërtimet pa kriter. Karahasuar me Serbinë që synon të kapitalizojë edhe ngjarjet e afërta në funksion të turizmit, Shqipëria është shumë mbrapa. Madje pa mohuar edhe keqbërjet ndaj kulturës dhe historisë. Një krahasim që mund të afrohet me rastin e Serbisë, meqë i përket historisë së afërme është shtëpia e Enver Hoxhës në Gjirokastër, që prej kohësh funksionon si pikë vizite për tutristët e huaj dhe kjo vetëm falë faktit që u ruajt. Por në Sarandë p.sh, që njihet vetëm për plazhin, dikur u ndërtua një objekt i posaçëm me rastin e ardhjes së Nikita Hrushovit në Shqipëri, kur ai do të vizitonte Butrintin. Fare mirë kjo godinë mund të ruhej apo përdorej me dy funksione: edhe në shërbim të turizmit, por edhe në konservim të historisë. Gjë që nuk ndodhi. Sikurse nuk ka asnjë instruksion për vendin apo vetë incidentin e Kanalit të Korfuzit, edhe kjo një ngjarje historike, apo edhe p.sh një guidë historike për një tjetër detaj inetersant, si ardhja e kontit Çiano në qytetin që do të merrte emrin e gruas së tij, Edda Çiano-s, e konsideruar nga revista “Time” si “Zonja e Boshtit”. Dhe aq më shumë vlen kjo pastaj për qytete më të mëdha si Tirana, apo ata që janë zemra e identitetit qytetar shqiptar, si Shkodra, Elbasani, Korça, Berati etj..
s.z
Add new comment