Një panoramë mbi debatin mes kineastëve. Saimir Kumbaro: “Bordi i QKK-së është i degjeneruar”. Çashku: “Prokuroria të hapë çështjen për Kinostudion”. Ministrja: “Nuk ka njerëz jashtë klaneve”.

Kineastët shqiptarë janë mbledhur dje për të diskutuar mbi filmin shqiptar dhe çfarë duhet bërë për ta përmirësuar atë. Por siç njofton “Gazeta Shqiptare” debatet në këtë takim nuk kanë qenë të pakta. Regjisorët janë ankuar kryesisht për ligjin dhe për buxhetin. Nga ana e saj ministrja Mirela Kumbaro ka deklaruar se asnjëherë fondet shtetërore nuk mjaftojnë, por kjo qasje e saj nuk është pranuar nga të gjithë. Çështja e buxhetit ka zënë vend kryesor në debat. “Pse nuk reaguat ju kur u ul aq shumë buxheti, pse nuk protestuat”, ka apeluar regjisori dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Filmit Artan Minarolli, i cili ka qenë në qendër të kritikës. Por sipas GSH-së ai ka debatuar ashpër edhe me regjisorin Kujtim Çashku. Ja disa pjesë të debatit:
K.Ç: M’u duk për një çast se më lëvizi në këtë sallë fantazma e Ylli Pangos. Prokuroria të hapë çështjen se ku shkoi pasuria e shtetit kur ish-Kinostudioja u shndërrua në “Alba-Film”. Sot ka 8 televizione në ish-Kinostudio që kanë zënë hapësirat. Dua të di pse nuk protestoi QKK-ja kur unë luftoja me policët?
A.M: Çfarë duhet të bëja unë? Unë nuk isha fare. Ti flet për hallin tënd personal e jo për kinematografinë...
K.Ç: Nuk është problemi te ligji. Mediokriteti ka forcën për t’u bashkuar shpejt. Zonja ministre, duhej të kishit gjetur njerëz që qëndrojnë mbi klanet.
Ministrja: Më kërkuat të mblidhja njerëz që qëndrojnë mbi klanet, por njerëz të tillë nuk ka. Në Shqipëri të kërkosh grupe mbi klanet, është si të kërkosh marsianë.
Përtej këtij debati, një tjetër çështje ka qenë edhe ligji apo edhe bordet që zgjedhin filmat. Për këta të dytët, regjisori Saimir Kumbaro ka thënë hapur se: “Duhet riparë bordi i QKK-së. Bordi që përzgjidhet ka 7 shoqata kineastësh dhe ka sjellë degjenerimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Bordi përzgjedhës i filmave duhet të jetë i fshehtë. Gjysma e anëtarëve të bordit nuk e dinë se çfarë është gjuha e filmit, nuk dinë të lexojnë skenarin.
Epilogu ka qenë edhe më interesant sepse është folur për ligjin dhe pedagogu Elvis Hoxha ka përcjellë këtë përvojë me ministrinë: “Fajin nuk e ka ligji. Ai është marrë në Francë; ku do të gjejmë një ligj më të mirë? Hajde të shkojmë në Bathore ta kërkojmë. Më kujtohet një ish-sekretar i Përgjithshëm i ministrisë më tha njëherë, “na dërgoni një shkresë ku të na bëni me dije se ekziston një ligj kinemaje që ta zbatojmë”.
s.z
Add new comment