Nishani bën thirrje bashkëpunimi e kritikon shumicën për “Reformën në drejtësi”: Po bëhet pa përfshirjen e opozitës. Reagon Xhafa: Është e mirëpritur

Drejtësia, shumë e diskutuar tanimë, mbetet një nga pikat më problematike në Shqipëri. Ndërkohë “Reforma në drejtësi” ka nxitur kritika të forta të Presidentit Bujar Nishani. Ai foli në mbledhjen e dytë të Komitetit të Aktorëve të Interesuar, EURALIUS IV, me temë: “Konsolidimi Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, ku tha se reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca dhe se tryezat e organizuara kanë qenë formale. “Kam konstatuar me keqardhje që reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës. Kam bërë thirrje që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut politik dhe të orientohen në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila medoemos duhet të jetë konsensuale”, ka deklaruar Presidenti Nishani, njëherazi edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kreu i shtetit ka shprehur edhe rezervat e tij lidhur me miratimin e ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, për të cilët, sipas tij, ka pasur kritika edhe nga Bashkimi Europian.
“Opozita parlametare është e mirëpritur dhe nuk ka qenë asnjëherë e përjashtuar për të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm kuvendor për reformimin e sistemit të Drejtësisë, tha sot, Kryetari i këtij Komisioni, Fatmir Xhafaj. Deklarata e Xhafajt u bë në përfundim të tryezës së rrumbullakët për reformën në drejtësi të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë pa praninë e mediave, ku merrnin pjesë Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, Presidenti Bujar Nishani, kryeprokurori Llalla, Ministri Çuçi, krerët e Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe të Apelit, kreu i Komisionit të Ligjeve, Xhafaj dhe deputetët demokratë Halimi dhe Bylykbashi, përfaqësues të Bashkimit Europian dhe misionit Euralius.
l.v
Add new comment