NATO nis lëvizjen e trupave drejt Lindjes pas kërkesës së Polonisë, Rumanisë dhe vendeve baltike. Rasmussen: “Të vendosur të mbrojmë aleatët tanë”

Postuar në 16 Prill, 2014 11:30

Kriza ukrainase i afrohet përherë e më shumë luftës. Sankisonet dhe masat me natyrë ekonomike të marra nga Perëndimi, nuk kanë arritur që ta mbajnë Vladimir Putinin brenda kufijve të Krimesë, të cilën e aneksoi thuajse duke bërë lojë luftrash. Këto ditë tensionet kanë dalë në sipërfaqe, me të njëjtën teknikë veprimi edhe në qytete si Donbasi, Kramatorsku, Donetz, Karkhov, Lugansk, Slavyansk dhe Horlivka, ku protestues prorusë kanë kapur godinat qeveritare. Të dhënat në terren po konfirmojnë se në krye të kësaj përmbysjeje janë oficerë të shërbimeve sekrete ruse, të cilët duket se operojnë në kontesktin e një rrjeti shumë të gjerë, apo më mirë, klime të paqartë politike edhe në zonën perëndimore të Ukrainës. Përndryshe mbetet e pashpjegueshme se për cilën arsye edhe ushtarët ukrainas të dërguar në Slavyansk deklarohen se kalojnë në krahun e protestuesve prorusë. Ndërkohë mediat ruse, kanë bërë të ditur se para disa ditësh në Kiev ka qenë për vizitë edhe kreu i CIA-s, John Brennan, i cili nga rusët vështrohet si aktor në tensionimin e situatës(http://www.strategic-culture.org/news/2014/04/15/cia-terror-chief-pulls-...). Nga ana tjetër ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka deklaruar nga Vietnami se Ukraina ka nevojë për të kaluar në federalizim përmes një kushtetute të re. Kjo është më shumë sesa një kërkesë, është një kartë në tryezën e bisedimeve, për sa kohë realiteti i fakteve flet në favor të tezës se Kievi zyrtar, përveç problemeve të tjera, ka edhe atë se nuk arrin të ushtrojë pushtetin e vet në të gjithë territorin. Po kështu, Moska flet për një qeveri me prapavijë fashiste në Kiev, çka në mënyrë ironike shtron çështjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, që janë alibi jo e keqe për votën referandare të qytetarëve të Krimesë. Prapavija e pushtetit në Kiev(i patestuar ky përmes zgjedhjeve) që pretendohet se buron nga e djathta neofashiste, e relativizon deri diku akuzën për politikë të secesionizmit, që hidhet ndaj Moskës, e cila paradoksalisht del kështu si mbrojtëse nga një rrezik i përsëritur historik për rusët. Por edhe Perëndimi ka vendosur të "lëvizë nga vendi". Sot bëhet e ditur, se me kërkesën e Polonisë, Rumanisë dhe vendeve balltike, NATO ka vendosur të “përforcojë trupat e saj në vendet anëtare në Lindje”. "Ne po mendojmë për hapa të tjerë, për të forcuar mbrojtjen e përbashkët. Kjo përfshin stacionime të përshtatshme, siç i quaj unë, të trupave. Por është ende herët, që të themi si do ta forcojmë me detaje mbrojtjen. Por askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë tonë për t'i mbrojtur të gjithë aleatët", ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen. Çështjes nëse kjo lëvizje mund të acarojë më keq situatën duke i dhënë shkas Rusisë të ecë përpara me strategjinë e tensionimit të të gjithë Europës Lindore, i ka dhënë një përgjigje ministri polak i Mbrojtjes Tomasz Siemoniak. “Rezistenca ruse në këtë drejtim sipas tij duhet injoruar. NATO-ja e ka siguruar Rusinë në vitet '90 me marrëveshje se nuk do të stacionojë armë bërthamore ose njësi konvencionale luftarake në ish-shtetet e Traktatit të Varshavës, siç ka qenë Polonia. Polonia ka kufij të drejtpërdrejtë me Ukrainën dhe me Kaliningradin rus. Si reagim ndaj stacionimit të rreth 30.000 ushtarëve në kufirin me Ukrainën, NATO-ja tani po rishqyrton planet tepër sekrete të mbrojtjes për shtetet anëtare në Lindje. Veç kësaj do të shtohen manovrat e përbashkëta”, shkruan Deutsche Welle ( http://www.dw.de/be-dhe-nato-kërkojnë-tërheqjen-e-rusisë/a-17571814). Ajo çfarë duket është fakti se Krimea sinjalizoi një pikë kthese në raportet Perëndim-Lindje dhe se Moska "nuk ka më durim" të luajë në diplomaci duke kërkuar apo lëshuar koncesione të paqarta. Fakti që më të shqetësuarit në këtë krizë janë polakët, rumunët dhe vendet baltike, të kujton panoramën e viteve ’30, duke dëshmuar se shumë pak gjëra kanë ndryshuar në raportet e vërteta mes dy fronteve tradicionalë të Europës.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.