Myslimani boshnjak... Jeremić!

Nurij Pozderac dhe gruaja e tij, Devleta janë myslimanë bosnjakë që kanë rrezikuar jetët e tyre për të strehuar hebrenjtë në Ballkan, gjatë L2B. Por, njëri nga pasardhësit më të shquar të Pozderacëve e ka mbajtur të heshtur lidhjen e tij të gjakut me këtë familje, ndoshta për shkak se karriera e tij politike, deri më tash, është bazuar në imazhin e tij si një nacionalist serb, që nuk i trembet syri – shkruan faqja online e radios amerikane Europa e Lirë. Dhe bëhet fjalë për… Vuk Jeremić, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë dhe aktualisht president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai ka marrë pjesë në një ceremoni në Beograd, në të cilën stërgjyshërve të tij u është ndarë medalja “I drejti mes kombeve” (ky është çmimi më i madh, me të cilin Izraeli nderon johebrenjtë për sjellje të guximshme gjatë Holokaustit).
“Dua të them se jam jashtëzakonisht krenar për prejardhjen time dhe paraardhësit e mi, të cilët në Luftën e Dytë Botërore kanë ngrtur zërin kundër krimeve, egërsia e të cilave ka qenë e pashoqe në histori”, ka thënë Jeremić.
Pranimi i të afërmve boshnjakë paraqet një ndryshim për Jeremiqin, i cili njihet për përdorimin e muskujve të tij diplomatikë kundër njohjes së gjerë të Kosovës, për qëndrimin kritik ndaj rolit të gjykatave ndërkombëtare, për organizimin e performancës “Marshi mbi Drin” në OKB (“Marshi mbi Drin” është një kolonë muzikore që ka shërbyer si himn i serbëve gjatë masakrës në Srebrenicë) etj.
Disa vëzhgues politikë në Beograd sugjerojnë se Jeremiq, i cili ka lobuar në mënyrë agresive për presidencën e Asamblesë së Përgjithshme, flet tani për prejardhjen bosnjake për të siguruar mbështetjen e myslimanëve në garën eventuale për postin kryesor të OKB-së në vitin 2016, kur edhe skadon mandati i dytë pesëvjeçar i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-Moon. REL citon Boshko Jakshiq, kolumnist në të përditshmen beogradase “Politika”: “Është e vërtetë se kreu i radhës i OKB-së duhet të vijë nga Evropa Lindore, por nuk mendoj se është personi i drejtë për këtë detyrë – sidomos, kur kihet parasysh se ai ka bërë disa gjëra, të cilat disa vende i kanë konsideruar si provokim apo së paku sjellje e papërshtatshme”. a.n.
Nga arkiva e ResPublica:
http://respublica.al/artikuj/2012/10/03/si-shume-rendesi-i-j...
Add new comment