Mbetemi ekonomi shërbimesh në 85 përqind të ndërmarrjeve. Të huajt investojnë ose në punishte veshjesh e këpucësh ose në Call Center

Postuar në 10 Qershor, 2015 11:19

Ekonomia shqiptare la pas një vit të vështirë, por në thelb të ngjashëm me trendin dhe orientimin që kjo ekonomi ka krijuar në 20 vite pa dhënë shenja të rilindjes apo të rikthimit të Shqipërisë në punë, siç ka dashur ta përkufizojë kryeministri planin e tij për rilindjen ekonomike të vendit. Ajo po ruan strukturën e një ekonomie shërbimesh që e mbështet aktivitetin tek tregëtia me pakicë e shumicë dhe jo tek aktiviteti prodhues. Nga një vëzhgim i të dhënave zyrtare vihet re se ndërmarrjet e reja kanë një rritje logjike që përputhet me progresionin statistikor të raportit të bizneseve që mbyllen dhe hapen në një vit kalendarik, por pa shënuar ndonjë ndryshim domethënës në aktivitetin ekonomik të vendit ose në atë që e quajmë volumi i prodhimit dhe që lidhet me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto ose GDP.  Bazuar në të dhënat e INSTAT mbi regjistrin e ndërmarrjeve për vitin 2014 rezulton se 84,9 % e ndërmarrjeve aktive janë prodhues  të shërbimeve. Në këtë grup operojnë 1.307 ndërmarrje më shumë se viti 2013 dhe mbizotëruese janë  ndërmarrjet  me  aktivitet tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motorçikletave me 47 %. Sipas INSTAT, mbizotërimi i prodhuesve të shërbimeve është dukuri  në të gjitha qarqet dhe luhatet nga 80,0 % në qarkun Fier deri në 87,7 % në qarkun Tiranë. Treguesi më domethënës i raportit të zhdrejtë që ekonomia shqiptare ka mes prodhimit të të mirave dhe prodhimit të shërbimeve është numri ndërmarrjeve që hyjnë në grupin e prodhuesve të të mirave, siç janë bujqësia, peshkimi e industria  dhe ndërmarrjeve të shërbimeve për vitin 2014. Kështu sipas  të dhënave të INSTAT, nga 112 mijë e 137 biznese aktive në vitin 2014, 95 mijë e 548 I takojnë grupit të ndërmarrjeve që ofrojnë shërbime dhe vetëm 16 mijë e 989 i përkasin grupit të proudhuesve të të mirave. Edhe prania e biznesit të huaj vazhdon të jetë në kuota të ulëta dhe të rrotullohet rreth fqinjëve. Kështu 55,4 %  e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta  janë me  origjinë  nga  Italia e Greqia.  Sipas INSTAT ndërmarrjet e mëdha të këtij grupi ushtrojnë aktivitet ekonomik kryesisht në prodhim veshjesh e këpucësh, call center dhe aktivitete bankare. Një e dhënë tjetër domethënëse është se 81,2 % e ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta janë përqendruar në qarqet Tiranë dhe Durrës.

 

http://www.instat.gov.al/media/298854/regjistri_ndermarrjeve...

 

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.