Lohan padit producentët e “GTA V”
Lindsay Lohan ka ngritur një padi kundër kompanisë së lojrave elektronike “Rockstar Games” për përdorim të një personazhi të ngjashëm me të në lojën e re “Grand Theft Auto V”.
Aktorja 27-vjeçare pretendon se është përdorur imazhi i saj pa i kërkuar autorizimin. Sipas raportimeve të TMZ, Lohan dhe avokatët e saj e argumentojnë padinë e tyre duke deklaruar se kompania ka përdorur tiparet e aktores në tre raste të ndryshme. Në kopertinën e lojës shfaqet një grua bjonde me një bikini të kuq flakë dhe ky sipas Lohan është abuzimi me imazhin e saj, edhe pse imazhi i vajzës së lojës i është atribuar edhe modeles Kate Upton.
Në këtë aspekt janë fokusuar avokatët e aktores, të cilët pretendojnë se përveç pamjes kompania “Rockstar Games” ka përdorur edhe pjesë të jetës së aktores.
Misioni i parë i lojës është shpëtimi i bjondes Jonas nga një tufë paparacësh që duan t’i bëjnë foto. Ndërsa në një fazë të mëposhtme lojtari duhet të futet në një hotel të modeluar si Chateau Marmont në West Hollywood, ku dikur Lohan ka jetuar, për të filmuar aktoren teksa është në shtrat me dikë.
Add new comment