Kryeministri takim me Prefektin e Vlorës. “Gazeta Shqiptare” supozon se është diskutuar për çështjen e atentateve në Vlorë

Postuar në 06 Shkurt, 2014 05:26

“Gazeta Shqiptare” shkruan sot për një takim që kryeministri i vendit, Edi Rama, ka patur me prefektin e Vlorës, Besnik Dervishi. Sipas “GSH”-së, arsye e takimit ka qenë deklarata e Dervishit pas arrestimit të Marjon Mitros, të cilin Dervishi e deklaroi se pjesëtar të një klani të njjohur në Vlorë.  "Unë nuk e njoh vetë personalisht dhe as e kam mik. Por ata që e njohin këtu në Vlorë dhe madje që më thonë, e dinë se cilin klan përfaqëson Marion Mitro në këtë qytet. Kë ka miq dhe me cilët rri apo u shërben", - është shprehur Dervishi. Kjo solli edhe reagimin e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili foli me tone të forta duke hedhur poshtë ekzistencën e ndonjë klani. Nëse i përmbahemi formalizmit të deklaratave atëherë, gjithçka duket në rregull, por në fakt intuita të çon në mendimin se poshtë këtyre replikave ka tension. Mitro ishte punonjës i INUV-it dhe si i tillë ai ka njohje me kreyun e bashkisë. Problemi qëndron në kundërdeklaratën e Dervishit një ditë më vonë, i cili tha se nuk e njeh fare, as e ka dëgjuar si emër të arrestuarin. Një gjë që u kundërshtua nga avokati i Mitros, që foli për “miqësi mes Dervishit dhe Mitros”. Në të gjithë këtë situatë, “GSH”-ja hedh idenë e se tensionet gjithsesi lidhen me prishjen e kompleksit “Jon” të cilën po e riprodhojmë këtu:

I kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", Besnik Dervishi tha se, "bisedoj shpesh me Ramën. Madje edhe sot (dje) kam pasur një telefonatë për sa i përket projektit të 'Lungomare'-s, por nuk kemi diskutuar për këto çështje". Por, nga burime të "Gazetës Shqiptare", Rama e ka thirrur Dervishin në Tiranë të bisedojë pikërisht për ato që ai mendon në lidhje me përfshirjen e përfolur të Shpëtim Gjikës në vendosjen e tritolit në makinën e tij. Konflikti midis kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika dhe prefektit të po këtij qyteti, Besnik Dervishi, nisi më herët, gjatë kohës kur po prishej kompleksi "Jon". Gjika bëri një ndërhyrje telefonike në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, në dhjetor të vitit që shkoi, ku i tha edhe publikisht kryeministrit Rama se dorëzonte çelësat në 'Sheshin e Flamurit', nëse dikush do i thoshte që "Shpëtim Gjikës i kam dhënë 'kafe' apo Gjika më ka bërë presion". Ndërkohë, ai tha: "Kam një replikë me prefektin. Ta dish që ndërkombëtarët e marrin si model Vlorën. Është qyteti më i ruajtur, i shpëtuar nga masakra. Leja për kompleksin është dhënë konform ligjit dhe nuk ka asnjë shkelje. 'Lugomare'-ja po ndërtohet me paratë e Bashkisë, Vlorë", tha Gjika në linjë telefonike. Prefekti Dervishi nuk replikoi, duke e kaluar këtë situatë”.

s.z  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.