Kosova feston përvjetorin e Pavarësisë, shtypi vëren se Thaçi nuk shkon tek Jasharët

Përvjetori i 6-të i shtetit të pavarur të Kosovës, ka shërbyer edhe një herë si testim për marrëdhëniet mes PDK-së e Hashim Thaçit me familjen Jashari. Në Ditën e Pavarësisë, Prekazi, fshati ku u kryen luftimet dhe masakra ndaj familjes Jashari, tradicionalisht pret zyrtarët më të lartë të vendit dhe qytetarë, të cilët aty nderojnë Jasharët për sakrificën e tyre. I pari që ka mbërritur ishte kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili pas kompleksit të varrezave vizitoi edhe familjen e njohur. Ndryshe nga Krasniqi, Presidentja dhe Kryeministri së bashku kanë bërë homazhe tek kompleksi i varrezave. por nuk kanë shkuar tek familja Jashari. Presidentja Jahjaga tha se lufta e lavdishme e UÇK-së dhe rënia e komandantit Adem Jashari me familjen e tij dhe gjithë bijve dhe bijave të Kosovës, janë themelet të shtetit të Kosovës. Ndërsa, kryeministri Thaçi pohoi se është në Prekaz për të kujtuar sakrificën e gjithë dëshmorëve të UÇK për të respektuar sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.
a.k
Add new comment