Kandidatët e inkriminuar, reagon zv.kryeministri: “Kemi treguar edhe në zgjedhjet e kaluara që kemi një shqetësim të veçantë për të patur kandidatë me integritet të lartë”

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, foli sot për kandidatë të inkriminuar në garën elektorale të 21 qershorit. Duke shtuar madje se po komunikohet për këtë çështje me kryetarët e partive. Nuk kaluan disa orë dhe erdhi reagimi i parë nga zv.kryeministri Niko Peleshi. “Do marrim me seriozitet çdo lloj sinjali në këtë drejtim. Patjetër që ka një proces nga ana jonë për të verifikuar pastërtinë apo historinë e çdo kandidati. Ne e kemi treguar edhe në zgjedhjet e kaluara që kemi një shqetësim të veçantë për të patur kandidatë me integritet të lartë”, tha Peleshi. Tingëllon e çuditshme sesi një qeveri e tërë dhe partitë që kanë seksione kudo, të presin sinjale për kandidatët nga ambasadat e huaja në Tiranë. Tingëllon hipokrite, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, fjalia e zv.kryeministrit se “e kemi treguar edhe në zgjedhjet e kaluara që kemi një shqetësim të veçantë për të patur kandidatë me integritet të lartë”, kur vetëm këtë vit, parlamenti shqiptar u bë qendër e gallatës popullore pikërisht se nga dita në ditë, rezultonin kandidatë me cv të dyshimtë. Ka qenë viti 2014 kur opozita ka denoncuar me dhjetëra raste personash me rekorde penale, që janë emëruar në administratë dhe qeveria mandej ka reaguar duke i larguar. Ku është pra ky seriozitet për të cilin flet z. Peleshi? Si mundet që të depërtojnë kandidatë me rekorde kriminale po kaq kollaj? Dhe përse vallë paguhen institucionet kur është një ent i huaj që denoncon dukurinë problematike?
s.z
Add new comment