Grillo kërkon të ulë koston e politikës në Itali; dhe në këtë pikë kanë rënë të gjithë dakord

Nuk është Grillo i pari që ka ngritur zërin kundër financimit të fushatave elektorale të partive me ndihmën e parave publike. I pari ka qenë radikali Marko Pannella, i cili ia doli të mbahej dhe një referendum mbi këtë çështje nja njëzet vjet më parë. Një referendum, në të cilin pothuaj 35 milionë italianë i thanë “jo” financimit publik të partive, pavarësisht pretendimit të qëmotshëm, dhe të tanishëm, se ato para janë të nevojshme, ngaqë partitë bëjnë të mundur funksionimin e demokracisë. Por hilet e politikës vijuan, dhe çfarë nuk iu lejua nga referendumi, partitë e morën me forma të tjera rimbursimesh elektorale.
Kjo është sot një nga kauzat e Beppe Grillos. Veçse ky i fundit ka qëlluar “më fatlum” e “më këmbëngulës” se Pannella. Grillo, tok me të tijtë, do të jenë një ushtri e tërë në parlament, gjë që do të thotë se në mos sot, me siguri nesër, do t’i imponohen politikës dhe partive, dhe do ta çojnë deri në fund këtë aksion, i cili është thjesht një nënfish i aksionit të Grillos për të ulur kostot e politikës (do tentohet të ulet numri i deputetëve, pagat e tyre, numri i këshillave lokalë, rrogat që këshilltarët i marrin edhe kur nuk janë më këshilltarë, shfuqizimi i provincave si njësi të kota të qeverisjes lokale, etj, etj).
Grillo ka ndërmend ta fillojë me këtë aksion jetën parlamentare.
Re.Pu.
Add new comment