Gjykata e Apelit liron Xhelal Mziun

Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, ka kërkuar sot lirimin e tij nga burgu pranë Gjykatës së Apelit në kryeqytet, kërkesë kjo që është pranuar nga trupi gjykues. Nga sot, masa ndaj Mziu është vendosur të jetë "detyrim paraqitje".
Ai e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila e ka lënë në arrest me burg që prej datës 23 dhjetor 2013.
Seanca ndaj Xhelal Mziu ka nisur ditën e sotme sërish me mbështetjen e dhjetra simpatizantëvë të cilët kanë mbushur sallën e gjyqit.
Pak ditë më parë, kryebashkiaku blu i Kamzës u vizitua në burgun 302 nga deputetët e Partisë Demokratike të cilët i mëshojnë arsyetimit se arrestimi i tij ka prapavijë politike.
Xhelal Mziu, i cili është zgjedhur dy herë si kryebashkiak i Kamzë, akuzohet për shpërdorim të fondeve publike në tender dhe shpërdorim detyre, ndërkohë që gjatë kontrollit në banesë policia i gjeti edhe vulën e KZAZ Nr.27.
Vendimi i sotëm u bë i ditur nga avokati Genci Gjokutaj pas përfundimit të seancës.
A.R
Add new comment