Fred Abrahams boton një libër me historitë politike shqiptare të pas viteve ‘90: Elita politike në Shqipëri, e prirur tek interesat e veta

Autori i një libri të ri për Shqipërinë të sapo botuar, kritikon elitën politike shqiptare të 25 viteve të fundit si më e prirur nga interesat vetjake sesa për t’i shërbyer vendit. Fred Abrahams, i Organizatës Human Rights Watch, punoi 15 vjet për të shkruar librin "Modern Albania: From Dictatorship to Democracy in Europe", “Shqipëria Moderne: Nga Diktatura në Demokraci në Evropë”, që mbulon periudhën nga 1990 deri në 2014. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zoti Abrahams që ka jetuar edhe vetë në Shqipëri, flet për dokumentat e qeverisë amerikane rreth asaj kohe, për gjetjet që e befasuan më shumë dhe këndvështrimin e tij për protagonistët e politikës shqiptare. “Libri është shumë kritik ndaj Sali Berishës, kjo nuk ka diskutim. Unë mendoj se ai bëri gabime kritike, pasojat e të cilave vazhdojnë ende. Por mendoj se është e gabuar të thuhet që libri nuk është kritik ndaj protagonistëve të tjerë. Është kritik ndaj Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Është gjithashtu shumë kritik ndaj Partisë Socialiste, Fatos Nanos dhe udhëheqësve të tjerë socialistë. Periudha e qeverisjes socialiste në vitin 1998 ishte e mbizotëruar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni dhe kjo është trajtuar me detaje të hollësishme në libër. Sipas mendimit tim, çështja nuk është a po kritikohet një palë, apo një tjetër, ose një individ apo një individ tjetër Është një vështrim kritik ndaj elitës politike të Shqipërisë dhe kjo për arsyen sepse udhëheqësit e Shqipërisë i shohin së tepërmi postet e tyre, si shanse për mundësi në vend të përgjegjësisë. Dhe kjo është e përgjithshme, i tejkalon përkatësitë politike. Sali Berisha ka qenë lojtari kryesor politik në historinë post-komuniste të Shqipërisë dhe nuk po hezitoj ta kritikoj atë, por unë kritikoj po njëlloj edhe lojtarët e tjerë politikë” thotë mes të tjerash Fred Abrahams.
Add new comment