Fotoreporteri shqiptar në gjyq për foton e Vaçe Zelës

Postuar në 13 Prill, 2014 10:39

Nuri Çumani, një fotoreporter i njohur, ka nisur betejën ligjore për të mbrojtur të drejtën e autorit lidhur me një foto që i ka realizuar këngëtares së njohur Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta disa javë më parë. Çumani mban në arkivin e tij mijëra e mijëra foto të artistëve më të famshëm të Shqipërisë, pasi për shumë vite ka qenë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit, duke fiksuar çdo moment. Megjithatë, shkruan e përditshmja “Tirana Observer”,  fotoja e tij për Vaçen ka një histori të veçantë. Ajo nuk është pjesë e punës së fotoreporterit, por është realizuar në shtëpinë e këngëtares. Pikërisht kjo foto, dy muaj më parë, është publikuar në shumë media, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa nuk ka munguar të përdoret edhe nga kryeministri Edi Rama për të shkruar ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të këngëtares.

“Fotoja është realizuar në vitin 1983, në shtëpinë e Vaçes”, kujton Çumani, i cili për shumë vite kishte ndërtuar edhe një miqësi personale me këngëtaren e njohur. Fotoreporteri shprehet se kishte këmbëngulur prej kohësh që të fotografonte Vaçen, por ajo ngurronte. “Atë ditë të vitit 1983, Vaçja pranoi të fotografohej dhe i premtova që nëse nuk do të ishte e kënaqur me foton, unë nuk do ta mbaja në arkiv”, thotë fotoreporteri. U deshën pak shkrepje dhe pamja e Vaçes u fiksua në aparatin e Çumanit, duke shërbyer edhe si një moment historik. “Kam bërë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit me mijëra foto të artistëve, por kjo ishte në jetën private të Vaçes, në shtëpinë e saj”, kujton ai. Me shallin hedhur mbi shpatulla, kokën e anuar pak majtas, këngëtarja, e cila nuk i kishte shumë qejf blicet e aparateve, mbeti aty, për ta parë me miliona e miliona herë nga mijëra e mijëra njerëz. Por ndarja nga jeta e Vaçes nuk ishte për fotoreporterin Çumanin vetëm humbja e një mikeshe dhe një njeriu që e vlerësonte shumë.

“Jam habitur kur kam parë foton time në faqet e gazetave apo online, pa marrë leje dhe pa cituar autorin e fotos”, thotë fotoreporteri. Ai shprehet edhe më i habitur kur nënvizon se disa media, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i kishin mbivendosur fotos së tij logon e tyre.“Kjo ishte absurde, – thotë Çumani,- disa i kishin prerë një pjesë të flokëve, të tjerë i kishin ndryshuar sfondin”. “Eshtë njësoj sikur në foton e një portieri të presësh duart”, shprehet ai. 

“Në këtë mes nuk mungonte edhe gabimi i kryeministrit Edi Rama. Vetëm pak orë pasi u mësua lajmi për vdekjen e Vaçe Zelës, në faqen zyrtare të qeverisë dhe në “Facebook”-un zyrtar të kryeministrit do të shfaqej foto e këngëtares së njohur, që Çumani kishte realizuar 31 vjet më parë. Edhe në foton e publikuar nga kryeministri, sfondi ishte nxirë dhe mbi të ishte shkruar mesazhi ngushëllues i Ramës. Askush nuk ishte kujtuar për autorin e asaj fotoje. Ishte punuar me nxitim në programin kompjuterik, ishte vendosur mesazhi i shefit të qeverisë dhe ishte shpërndarë. Për më tepër, edhe në ceremoninë mortore të organizuar nën kujdesin e kryeministrit dhe Ministrisë së Kulturës, në faqen ballore të Teatrit të Operas dhe Baletit, ishte vendosur sërish fotoja e Çumanit. Sërish asnjë kujtesë për autorin, i cili kishte marrë aparatin dhe kishte vendosur të pozonte përpara veprës së tij që shteti ia kishte vjedhur” shkruan gazeta.

Në këtë mënyrë rruga e vetme për fotoreporterin mbetej beteja ligjore dhe kërkimi i dëmshpërblimi. “Për mua nuk është një betejë për paratë, por për punën dhe të drejtën time”, thotë fotoreporteri. Ai prej vitesh nuk është ndarë nga aparati dhe ka ruajtur me mijëra foto si prodhime dhe kujtime krejt të veçanta. Rasti i fotos së Vaçe Zelës i ka shërbyer të marrë miratimet dhe vërtetimet përkatëse nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Drejtës së Autorit, ndërsa është familjarët e këngëtares së ndarë nga jeta pak kohë më parë i kanë lëshuar dëshmitë përkatëse për autenticitetin e veprës së realizuar. “Gjithçka do ta vendosë gjyqi dhe më tej do ta ndjek çështjen edhe jashtë Shqipërisë, pasi shumë faqe internet e kanë publikuar foton e Vaçe Zelës”, përfundon fotoreporteri Nuri Çumani.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.