Faturat e çuditshme të borxheve të institucioneve. Më e vjetra daton në 1995 dhe është vetëm 84 lekë!

Nisma e Ministrisë së Financave për të shlyer çdo lloj detyrimi që shteti ka ndaj palëve të treta nxori në pah edhe një listë tjetër, e cila mban llojin e detyrimeve që në vite institucionet nuk i kanë paguar bizneseve. Fatura më e vjetër daton që në vitin 1995 dhe është vetëm 84 lekë, detyrim që duhet të shkonte për postën shqiptare nga ana e një institucioni shtetëror në Gjirokastër. Sipas “Vizion Plus”, mes këtij numri të madh prej 7200 faturash ka edhe nga ato kontrata, të cilat kanë shifra modeste për t’u paguar, por që tregojnë seriozitetin e institucioneve tona për të dhënë para për shërbimet e marra. Të tilla mund të jenë pagesat që duhet të kryente ministria e Arsimit për kartat e celularëve që i ka marrë operatorëve që ofrojnë këtë shërbim për provimet e maturës. Që në vitin 2012-të nuk janë paguar detyrime të këtij lloji edhe pse vlera varion nga 10 në 30 mijë lekë të rinj. Njëkohësisht me këto, institucionet tona nuk kanë dhënë para as për kartolina urimi për festat e fundvitit, kurora lulesh për homazhe ku zyrtarët tanë kanë qenë për të nderuar figura të ndryshme apo për abonime modeste gazetash me vlera gjithashtu mjaft të vogla. Një shumë prej 800 mijë lekësh që arka e shtetit po paguan sot është për dreka dhe darka pune të shtruara për delegacione të ndryshme, por që kanë vite që nuk ia kanë dhënë restorantit ku kanë shkuar.
Ajo që të bën përshtypje nga kjo listë është se zyra të ndryshme shtetërore janë me qira ende të papaguar ndërsa prona të shumta të shtetit janë në listë për tu shitur. Një paradoks tjetër është edhe fakti që shumë drejtori kanë lidhur kontrata me kompani private të cilat zgjatin shumë vite. Rasti tipik është ai i qendrës spitalore “Nënë Tereza”, e cila për 7 vite rresht merr shërbimin e ushqimit nga e njëjta qendër. Por ka dhe nga ato kontrata që zgjatin deri në 6 ditë, apo ato të cilat konsiderohen si të përhershme. Në total lista e detyrimeve për shpenzime të këtij lloji ose siç quhen ndryshe operative, ku përfshihen edhe vendimet e gjykatave kap vlerën e 24 miliardë lekëve, ndërsa një listë tjetër që është për investimet publike dhe prapambetjet e TVSH-së ka nisur të paguhet dhe arrin në 47 miliardë lekë. Afati që financat kanë lënë për përfundimin e të gjitha pagesave është fundi i vitit 2016-të.
Add new comment