E.Zaloshnja i përgjigjet LZHK-istit

Një komentues i identifikuar si LZHK-isti, poshtë shënimit tim “Ku do të pozicionohet Dash Shehi?”, ka shkruar: “Nje statisticien nuk nxjerr rezultate mbi shifra te rreme. Kjo eshte ABC-ja e zanatit tend”. Komente të tilla marr shpesh kur citoj shifra zyrtare të KQZ-së. Dhe ata që i shkruajnë kanë një farë të drejte. Nga një studim që kam kryer për votimin në Shqipëri për periudhën 2001-2007, kam vlerësuar se shifra zyrtare e KQZ-së ka qenë rreth 15 mijë vota më e ulët se sa rezultati real i koalicionit të udhëhequr nga Berisha, kur ishte në opozitë, dhe rreth 20 mijë vota më i lartë, kur ishte në pozitë. Sidoqoftë, një statistikë e përafërt është më mirë se pa statistikë fare. Kështu, për shembull, një shifër e KQZ-së, sado e përafërt, që tregon se koalicioni i udhëhequr nga Rama mori në vitin 2009 rreth 120 mijë vota më tepër se sa pothuaj i njëjti koalicion kishte marrë në vitin 2005, na tregon diçka, apo jo? Gjithashtu, na tregon diçka edhe shifra tjetër e KQZ-së, që tregon se LSi-ja mori në vitin 2009 pothuaj po aq vota sa morën së bashku gjithë partitë e vogla që iu bashkuan koalicionit Berisha pas vitit 2005.
Add new comment