Dyshime se disa prej të vrarëve në Kumanovë janë vrarë pasi që janë dorëzuar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka dyshime se disa prej të vrarëve në Kumanovë janë vrarë pasi që janë dorëzuar. Agjencia INA, shkruan sot se KMDLNJ bazohet në dëshminë e dëshmitarëve që kanë marrë pjesë në luftime dhe që kanë treguar se disa nga të vrarët në momentin e dorëzimit kanë qenë të gjallë, ndërsa më pas kanë rezultuar të vrarë dhe ashtu janë shpallur nga autoritetet maqedonase. Behxhet Shalla nga KMDLNJ insiston që të zbardhen faktet nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo pasi ata janë dorëzuar. Sipas tij, në rastin e këtij grupi të vrarë në Kumanovë, shteti duhet të investojë edhe në ekspert të jashtëm- në mënyrë që të bëhet një super-ekspertizë, në mënyrë që të vërtetohen shkaqet e vdekjes. Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka theksuar se ekipet për ekzaminimin e trupave të pajetë po kryejnë punën e tyre në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe se pritet qe ky proces te përfundojë brenda dy apo tre ditësh, raporton INA.
Add new comment