Dy standardet e KQZ-së për dorëheqjet e kandidatëve, dy pranohen tre refuzohen

Postuar në 03 Qershor, 2015 03:30

KQZ ka zbatuar dje standarde të dyfishta në pranimin e dorëheqjes së disa kandidatëve për bashkitë e vendit, ndërkohë disa të tjerëve ua ka refuzuar. “Panorama”  sqaron se dy ditë pasi vendosi një standard të ri, duke deklaruar mospranimin e dorëheqjes së asnjë kandidati, siç ishte rasti i Kurbinit dhe kandidatit Altin Biba, dje KQZ bëri të kundërtën, duke miratuar dorëheqjen e kandidatëve në Memaliaj dhe Sarandë. Fillimisht, në qytetin e Kuçovës, kandidati i Frontit të Majtë, me kryetar Marko Dajtin, ka kërkuar që emri i tij të mos përfshihet në fletën e votimit. Ramiz Oboni kishte dorëzuar në KQZ kërkesën për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por KQZ e refuzoi dorëheqjen e tij. Me katër vota kundër dhe tri vota pro, KQZ vendosi të mos çregjistrojë kandidatin e Marko Dajtit. Nga hedhja e shortit me gogla, Oboni është regjistruar i treti në fletën e votimit, ndërkohë kandidati i parë do të jetë Myslim Hoxhi i koalicionit të djathtë APPD dhe i dyti Selfo Kapllani, i koalicionit të majtë ASHE. “Në momentin ku ndodhemi, do të ishte një cenim i rëndë nëse dorëheqje të tilla do të pranoheshin në çdo moment”, tha anëtarja e KQZ­së, Edlira Jorgaqi. Të njëjtin qëndrim fillimisht ka mbajtur dhe nënkryetari i KQZ­së, Denar Biba, i cili tha se dorëheqjet nuk duhet të pranohen për të shmangur historitë e presioneve kriminale apo të pengmarrjeve. “Duke ndarë përfundimisht që nuk pranohen dorëheqjet, ne e heqim këtë historinë e frikërave apo pengmarrjeve. Nuk do të kenë për çfarë të intimidojnë më kandidatët e tjerë, kriminelë apo jo. Në atë version vetëm kriminelë mund të jenë”, tha Biba.

 

l.v

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.