Dom Gjergji u rikthehet kredove rilindase: Jam shqiptar mbi të gjitha

“Jam mysliman shqiptar më shumë se katolik holandez”, thotë Gjergj Meta në përgjigje të shpjegimit të ‘jo’-së që erdhi nga Brukseli për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Dhe ky shpjegim e lidh ‘jo’-në me faktin që shqiptarët janë në shumicë myslimanë. Prifti katolik Gjergj Meta nuk e beson këtë version edhe kur thuhet nga ndonjë politikan, por nuk heziton ta thotë të vetën edhe përballë asaj që ai e sheh si sendërgji (ai nuk i përmend emrin askujt, por ka qenë Ilir Meta që ka ecur kësaj ane, duke folur dhe për Konferencën Islamike; dhe gjasat janë që të mos jetë sendërgji). Thelbin e idesë së vet e nxjerr në fund të një shkrimi të publikuar në Mapon e sotme: “Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën.”
Me këtë qëndrim, dom Gjergji rreket të nënvizojë më shumë identitetin e tij kombëtar se sa atë fetar. Këtë gjë e kanë bërë para tij rilindasit shqiptarë, një qind e kusur vjet më parë (“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ka thënë Vaso Pasha), të cilët, në ndryshim nga dom Gjergji, nuk shquheshin për ndonjë vokacion e formim fetar kushedi se çfarë. Në këtë kuptim, dom Gjergji bëhet një nga të parët klerikë (apo i vetmi?) në historinë e Shqipërisë që e vë besimin pas patriotizmit. Të tjerë, ndonëse janë me kontribute të mëdha kombëtare, nuk i kanë dhënë munxët në asnjë rast qasjes klerikale “ekumenike”.
Shkrimin e dom Gjergjit mund ta gjeni në linkun http://mapo.al/2013/12/23/jam-mysliman-shqiptar-shume-se-kat...
Re.Pu.
Add new comment