Dialog SHBA-Rusi për Ukrainën. Në terren tensioni mbetet shumë i lartë

Kriza ukrainase ka fituar një moment paqeje që mund të thuhet se qëndron mbi një taban të ndezur. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se sot nisën bisedimet mes ministrit të Jashëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Paris. Ministri I Jashtëm Andrii Olefirov ka bërë të ditur se e ardhmja e Ukrainës dhe e të gjithë rajonit, vendoset në këto bisedime. E vërteta është se ato zhvillohen në një kontekst thuajse shpërthyes dhe të mbingarkuar. Kështu vetëm sot, mediat raportonin se Ukraina dhe SHBA-të po zhvillojnë bisedime për të vendosur një sistem të mbrojtjes raketore në Ukrainë, një lajm që është mohuar kategorikisht. Nuk është çudi që këto informacione të jenë të stisura, pasi është e qartë se të flasësh për sistem të mbrojtjes raketore në një kohë të tillë, vetëm sa e plotëson justifikimin e Kremlinit për të ndërhyrë në Ukrainë. Nga ana tjetër edhe në këto momente, raportohet se 8 njësi ushtarake në Krime mbahen të rrethuara në vend-dislokimet e tyre, ndërkohë që në 24 orët e fundit në kufirin mes dy vendeve janë kthyer 500 persona, të dyshuar se do të hynin në Ukrainë si nxitës të ekstremizimit.
Nuk bëhet e ditur se cilat janë propozimet që do të vendosen në tryezë mes dy të mëdhenjve, por një veprim në terren mund të zbulojë qëllimet e Moskës. Kështu BBC-ja raporton se “autoritetet e reja në Krime kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Republikën Ruse të Tataristanit”. Kjo sugjeron një lloj mëvetësimi në veprime të politikës së Jashtme, duke ditur ndërkohë që tatarët e Krimesë janë antirusë, për shkak të deportimit masiv të tyre nga Krimea në kohën e Stalinit. Gjithsesi, çdo gjë, për atë se nga do të marrë kriza do ta përcaktojnë bisedimet në Paris.
s.z
Add new comment