Dako rrëzon moralin e PS-LSI për zgjedhje të pastra. Procedimi për F. Ismailin edhe kundërsulm për të barazpeshuar “pisllëkun” e kryebashkiakut të Durrësit me listat

Postuar në 13 Qershor, 2015 10:59

Plazhistët fiktivë mund të ishin një kamardare shpëtimi për mandatin e tretë të Vangjush Dakos në Durrës, i vënë në pikëpyetje për disa arsye. Konsumi pas dy mandateve, ndëshkimi nga të pakënaqurit dhe kandidimi i Grida Dumës. Frika e koalicionit të majtë se mund ta humbiste bashkinë e dytë më të madhe në vend është vërtetuar dhe moralisht ka rrëzuar “ndershmërinë” e mazhorancës se nuk do të prekë zgjedhjet e 21 Qershorit. Hetimet e Prokurorisë për 2 800 votues të importuar në Durrës nga qytete të tjera duket se po nxjerrin zbuluar kryebashkiakun e Durrësit dhe vartësit e tij, dy prej të cilëve dyshohet se janë orkestruesit e skemës së manipulimit të listave. Prokuroria njoftoi zyrtarisht kërkesën për pezullimin nga detyra të shtetasit Alfred Dhuli, drejtor i ndërmarrjes komunale të Plazhit dhe Ines Aleksit, notere në Durrës. Ata dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “fallsifikimit të dokumentave nga personat që kanë për detyrë t’i hartojnë ato. Kjo kërkesë e Prokurorisë u pranua nga gjykata. Në argumentat e saj, Prokuroria thotë se kontratat e qerasë për 2800 personat, të dyshuara si fiktive, ishin nënshkruar nga drejtori Dhuli, të noterizuara nga noterja Aleksi. Sipas Prokurorisë, 2800 personat e regjistruar fiktivisht ishin të përfshirë në listat e votuesve të qytetit Durrës dhe për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit i ka dërguar njoftim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i hequr nga lista e votuesve, si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për t’i hequr nga lista e banorëve të qytetit Durrës. Paralelisht me hetimet për listat fiktive në Durrës, policia e Tiranës njoftoi nisjen e një procedimi penal për kandidatin e djathtë, njëherësh kryebashkiak i Vorës, Fiqiri Ismaili, i dyshuar për blerje votash. Më konkretisht Ismaili akuzohet se u ka dhënë dy shtetasve nga 10 mijë lekë në këmbim të votës së tyre. Ky procedim vjen në të njëjtën ditë me zyrtarizimin nga Prokuroria të aferës së Durrësit, që duket se e ka njollosur procesin ende pa nisur dhe kjo me bekimin e kryebashkiakut të Durrësit, por edhe të kryeministrit Rama që vetëm dy ditë më parë doli në krah të Dakos për të inaguruar asfaltimin e rrugës së plazhit në Durrës. Nga ana tjetër Vora është një nga 15 bashkitë që i është lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim nga marraveshja me Partinë Socialiste. Ndaj dhe këmbëngulja e Ilir Metës për të fituar Vorën duket se nuk ka mobolizuar vetëm atë dhe Luan Ramën, por edhe policinë që  me procedimin ndaj Fiqiri Ismailit I shërben dy hereë mazhorancës. Kontribon në fitoren e LSI-së dhe krijon perceptimin se të dyja palët kanë futur duart në procesin zgjedhor.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.