Daçiç flet në “Top Channel” rreth vizitës së pritshme të Vuçiç në Tiranë: Ta lëmë mënjanë çështjen e Kosovës, të gjejmë pikat e bashkëpunimit

Në prag të vizitës së kryeministrit serb në Tiranë, ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, në një intervistë për “Top Channel”, deklaron se vizita nuk ka pse të përfshihet nga provokime pasi të gjithë e dimë qëndrimin e secilës palë për Kosovën, ndaj dhe ne duhet të flasim për pikat që na bashkojnë. “Mesazhet që kryeministri do të përcjellë janë mesazhet e paqes, të vullnetit për bashkëpunim dhe të shtrirjes së dorës së sinqertë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, sepse mendoj që na duhet më shumë bashkëpunim në rajon, dhe gjithë rajonit e më gjerë me Europën për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, tha Ivica Daçiç
Ministri i Jashtëm i Serbisë, iu përgjigj dhe pyetjes së Top Channel se nëse kryeministri Rama do të bëjë të njëjtën deklaratë për Kosovën, a do të cilësohet kjo sërish ‘provokacija’? “Janë të njohura tashmë se qëndrimet e Serbisë dhe Shqipërisë janë të ndryshme sa i takon çështjes së Kosovës dhe ne e dimë me saktësi se cilët janë pikat tona të dallimit në këtë çështje, cili është ndryshimi dhe diferenca jonë në këtë pikë. Dhe unë mendoj ne duhet t’i lëmë mënjanë ato, duke u përqendruar tek gjërat që na bashkojnë, duhet të insistojme në këto çështje për të cilët mund të arrijmë marrëveshje. Këto çështje nuk janë për deklarata apo diskutime publike. Unë mendoj se vizita e kryeministrit tonë, Vuçiç, duhet të shfrytëzohet për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe për thellimin e stabilitetit rajonal.”.
Add new comment