Dëshmia e Kokëdhimës mbi pensionet që Greqia ka lidhur për banorët e jugut të Shqipërisë

Intervista e pardjeshme e Kokëdhimës dhënë Shekullit të vet (auto-intervistë, e quante dikush) tërhoqi vëmendjen për qasjen prej historiani e për planet e fshehta të të intervistuarit për t’u bërë deputet i PS-së (në fakt, nuk ka asnjë shenjë që e provon këtë hipotezë deri më tani), por në të jepej edhe një dëshmi interesante lidhur me pensionet që shteti grek ka dhënë për shumë kohë në jug të Shqipërisë me synimin – kështu është thënë gjithë kohën nëpër gazeta – për të greqizuar banorët e asaj zone. Ja se çfarë thotë Kokëdhima lidhur me dajot e vet:
“Nëna ime është nga Markajt e Kudhësit. Ky i fundit është një fshat shqiptar sa mbahet mend e tregohet historia. Pavarësisht nga ky fakt, të dy vëllezërit e saj dhe dajot e mi i nënshkruan letrat e pensionit grek. Më vjen një ditë dajo Miço, një patriot e enverist i zjarrtë dhe një burrë aq i dashur e i shtrenjtë për mua, i cili më thotë se dua një mendje: ‘A t’i nënshkruaj letrat e grekut për pension se vetëm unë kam mbetur pa i nënshkruar në Kudhës?!’ Më tha se do të nënshkruanin sikur ishin me kombësi greke, por nga kjo, me gjithë gruan do të përfitonin rreth 800 euro në muaj pension.”
Cila ka qenë përgjigja e Koços? Ja: “I thashë: ‘Ti nuk i bën punë Kudhësit si i vetmi banor me kombësi shqiptare. Nënshkruaji kartërat e grekut se ty të bëjnë punë ato 800 euro! Motra jote e mëma ime nuk do t’i nënshkruajë sa të jetë jeta ato kartëra, kështu që kombësia jote si shqiptar do të ruhet në pasaportën e saj si vajza e Vangjelit dhe Lefterisë që të kanë pjellë edhe ty.”
Re.Pu.
Add new comment