Bllokimi i armëve të gjahut, 150 mijë persona kanë një të tillë dhe vetëm 5 mijë prej tyre janë gjuetarë!

Postuar në 18 Shkurt, 2014 12:34

Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme duket se janë të vendosura për të bllokuar të gjithë armët e gjahut në vend. Kjo masë vjen si rrjedhojë e moratoriumit të vendosur ndaj gjuetisë, që ka marrë vlerësime nga organizata dhe media ndërkombëtare. Por cila është situata e armëve të gjahut në Shqipëri? Rreth 150 mijë persona në mbarë vendin zotërojnë 1 armë gjahu, edhe pse vetëm rreth 5 mijë prej tyre janë gjuetarë të regjistruar.

Ky fakt është bërë i ditur nga shoqatat e gjuetarëve, që kanë shprehur shqetësimin për situatën abuzive me këtë burim të rëndësishëm natyror. Blerja e një arme gjuetie mund të bëhet përmes lejeve të posaçme që merren në komisariatet e vendit. Një pjesë e mirë e tyre edhe pse blihen për qëllime gjuetie, përdoren nga blerësit për qëllime vetëmbrojtje dhe jo pak herë ky qëllim ka devijuar në krim.  Një përqindje jo e vogël e vrasjeve në vend realizohen pikërisht përmes armëve të blera për qëllime gjuetie.

Normalisht, armët e gjahut duhet të përdoren vetëm gjatë sezonit të gjuetisë dhe në periudha të tjera ato duhet të dyllosen, pra të vendosen mënjanë. Nga veprimtaria e gjuetisë buxheti i shtetit nuk arkëton ndonjë fond të konsiderueshëm, për faktin se kjo veprimtari rezulton e parregulluar nga pikëpamja ekonomike. Të vetmet taksa që mblidhen janë ato që paguajnë gjuetarët e regjistruar dhe agjencitë turistike që e ofrojnë Shqipërinë si destinacion për ushtrimin e këtij sporti, që jo pak herë ka degraduar duke rrezikuar shfarosjen e faunës shqiptare.

k.k 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.