Biseda me tifozin "ultras" shkakton polemika të forta në Itali. Media italiane: Tifozi, djali i një kamorristi. Shteti nuk mund të negociojë

Disa imazhe para ndeshjes mes Fiorentinës dhe Napolit po shkaktojnë polemika të forta në Itali. Para ndeshjes, që mediat italiane po e cilësojnë si “finale të turpshme”, ka pasur përplasje të forta mes tifozerive ndërsa një person ka mbetur i plagosur rëndë. Por ajo që ka shkaktuar më shumë debat kanë qenë fakti se për të nisur ndeshja, janë nevojitur disa “konsultime” me kreun e tifozëve ultras të skuadrës së Napolit që quhet Gennaro De Tommaso. Ky i fundit është djali i një eksponenti të njohur të rrjetit mafioz "Kamorra" në Itali, ndaj edhe kjo ka nxitur polemika të forta.
Ndërsa po diskutohej mes kreut të tifozëve dhe lojtarit Marek Hamsik, në praninë e forcave të rendit, nuk ka munguar as batuta e gazetarit të RAI-t, i cili gjatë raportimin është shprehur: “Do luhet, e dhanë OK”. Dhe ndeshja ka filluar pasi është marrë “OK” nga De Tomasso, që gjatë kohës mbante të veshur një bluzë ku kërkohej lirimi i një të akuzuari për vrasjen e një polici. Kjo negociatë e ndodhur në sytë e miliona shikuesve e mijëra të pranishmëve në stadium, mes të cilëve edhe kreu i Senatit Pietro Grasso e kryeministri Matteo Renzi, është cilësuar nga media si “rënie e shtetit” . Forcat e rendit kanë mohuar zyrtarisht se po zhvillonin negociata për zhvillimin e ndeshjes.
k.k
Add new comment