BE reagon pas përplasjeve Tiranë-Athinë, Maja Koçijançiç thotë se rritja e tensioneve në Ballkan nuk i shërben integrimit të vendeve të rajonit

Sipas një raportimi të “TV Klan”, Bashkimi Evropian ka reaguar për herë të parë lidhur me kërkesën e Ministrisë së Jashtme shqiptare drejtuar qeverisë greke, për hartat e kërkimeve të naftës në detin Jon. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç tha se rritja e tensioneve në Ballkan nuk i shërben integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe u bëri thirrje autoriteteve të ndërtojnë ura bashkëpunimi përmes dialogut dhe mirëbesimit.
Tensionet mes Tiranës dhe Athinës janë rritur ndjeshëm pas notëkërkesës që Ministria e Jashtme Shqiptare i drejtoi qeverisë greke për vënien në dispozicion të hartave për kërkimet për naftë në ujërat e Jonit dhe zonat e Janinës. Shtypi grek, duke iu referuar burimeve diplomatike, e quajti këtë një përpjekje të qeverisë shqiptare për të promovuar pretendimet e saj territoriale ndaj Greqisë dhe idenë e Shqipërisë së Madhe.
Në përgjigje të pyetjes për notëkërkesën e Tiranës zyrtare ndaj qeverisë greke, lidhur me kërkimet për naftë në detin Jon dhe Greqinë e Veriut, Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç tha se bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të madhe për Ballkanin Perëndimor dhe kërkoi nga autoritetet të vazhdojnë në rrugën e dialogut dhe mirëbesimit.
Add new comment