Autoriteti i Konkurrencës hetim OSHE-së, besohet se ka trukuar tenderat për blerjen e energjisë

Trukimi i tenderëve, shpeshherë me përfshirjen e vetë institucioneve të shtetit që i kontraktojnë ato, mbetet një nga rreziqet më të mëdha për shpërdorimin e financave. Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës po heton mundësinë që OSHE të ketë trukuar tenderat për blerjen e energjisë, duke u përfshirë në marrëveshje të ndaluara me shitësit privatë. Kryetarja e Autoritetit, Lindita Lati deklaroi për “Top Channel” se periudha e dyshuar është gjysma e dytë e vitit 2013 dhe muajt e parë të 2014-s. “Në fazën e parë u tentua dhe u pa pista e marrëveshjes, atë marrëveshje që ne e quajmë horizontale, mes tregtarëve që ofrojnë energji për të mbuluar humbjet dhe OSHEE. Ndërsa në hetimin e formuluar po hetohet marrëveshja vertikale ose marrëveshja potenciale që mund të jetë e fshehtë mes OSHEE-së dhe disa subjekteve private”, deklaron Lati. “Top Channel” raporton se sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe çmimet me të cilat OSHE ka blerë energji nga privatët kanë qenë deri në 20% më të larta se ato me të cilat blinte kompania tjetër publike, KESH. Autoriteti thotë se hetimi është i vështirë dhe për këtë po bashkëpunon me ekspertë të huaj.
Add new comment