Australiani zgjohet nga koma dhe flet rrjedhshëm gjuhën kineze.

Rënia në koma pas një aksidenti, rezultoi një “metodë” shumë e mirë për një 22-vjeçar nga Australia, për t’u bërë një njohës i gjuhës kineze.
Ben MekMahon është 22-vjeçari nga Melbourne i Australisë, i cili përfundoi në gjendje kome pas një aksidenti me makinë. Por kur u ngrit nga koma ai ishte në gjendje që të fliste një gjuhë të huaj, dhe madje në mënyrë të shkëlqyer.
Kjo situatë e çuditshme ka lënë pa fjalë mjekët dhe familjarët e tij. Në të vërtetë Ben që i vogël kishte marrë disa leksione të gjuhës kineze në shkollë, por jo mjaftueshëm për të folur rrjedhshëm.
“Kur po flisja e kuptova që isha duke folur në gjuhën kineze dhe mjaft rrjedhshëm. Më doli lirshëm nga goja dhe ishte një gjë e natyrshme për mua”, tha 22-vjeçari.
Familjarët e tij janë duke menduar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u transferuar në Shangai, dhe për të studiuar ekonomi në universitet.
Por jo vetëm kaq, falë njohjes së gjuhës kineze, Ben-it i ofruan një kontratë në televizion për të drejtuar një program mbi ndërmjetësimin kulturor mes Kinës dhe Australisë.
Add new comment