Arjan Kadare për “Monitor”: Kredia me probleme mund të ulet pa krijuar plagë të reja

Gjatë një interviste për “Monitor”, ish-anëtari i Këshillit të Mbikëqyrjes, Arjan Kadare, pohon se në kushtet aktuale përmes një plani të menduar mirë do të ishte e mundur fshirja e një sasie kredish të humbura prej disa pikësh përqindjeje (ndaj totalit të kredive). Ky proces nuk do ta prekte aspak sigurinë e bankave, sepse sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, kreditë e humbura mbështeten 100% nga rezervat e krijuara nga bankat (nga provigjonet). Kadareja tha se në këtë plan do të mund të përfshihej trajtimi i kolateralit, përshpejtimi i afateve ligjore, mundësia për lehtësira fiskale të transferueshme në të ardhmen, etj. Pasuritë e paluajtshme (kolaterali) në pronësi të bankave pjesërisht të mund të shiteshin e pjesërisht të menaxhoheshin nga institucione të tjera jashtë bankave në pritje të një kohe më të përshtatshme për t’u shitur. Ai sugjeron se, do të ishte e nevojshme ndihma e institucioneve ndërkombëtare të tilla si Banka Botërore. Ky institucion do të mund të ndihmonte me ekspertizë dhe me fonde të destinuara për amortizimin e goditjes në buxhet. Ai sugjeron të merret përvoja e Malit të Zi ku rreth dy vjet më parë, nga zbatimi i një plani të mirëmenduar, kreditë me probleme u ulën nga 25% në 17%.
Add new comment