24 vjetori i themelimit të PS-së, kritika, "vajtime" dhe elegji për kapjen e partisë nga “sekti i pasuesve të ish-nomenklaturës”

Më 12 qershor shënohet data e themelimit të Partisë Socialiste, e cila kreu aktin e transformimit programor më 12 qershor të vitit 1991. Ka rrjedhur shumë ujë qysh atëherë dhe historia ka sanksionuar kalimin e drejtimit të saj, në një pjesë të mirë, tek ato duar që e lanë partinë në vitin e largët 1991. Aspekti më pozitiv që shohim sot është se data e themelimit të PS-së, madje vetë kjo, nuk kanë më rëndësinë që kishin dikur. Partitë shqiptare kanë ardhur përherë në mbyllje, duke zëvendësuar zgjedhjen me emërimin. Gjithsesi kjo datë ka shërbyer si moment për disa kritika ndaj drejtimit që ka marrë kjo parti. Ben Blushi shkruajti një opinion ku cilësonte se PS-ja nuk është më parti, Moikom Zeqo jepte një intervistë te “Dita” ku theksonte deficencat e mëdha demokratike dhe intelektuale të partisë së sotme, Namik Dokle si përherë, fliste me ditirambe për punën e kryetarit dhe të partisë. Një analizë më të zgjeruar i ka bërë sot Kastriot Islami(botuar në "Panorama"), që merret sidomos me strukturën drejtuese të PS-së. Në këtë parti ideja e penetrimit të pasuesve të Bllokut është e hershme; është folur diçka në publik nga Luan Rama para disa vitesh, kur deklaronte se “ne kemi qenë në PS kur të zinin me gurë dhe kur shumë nga këta që sot drejtojnë u fshehën”. Një tjetër thashethem i hershëm është se Fatos Nano i refuzoi kandidaturat me origjinë bllokmene, të cilat mandej i mori Edi Rama. Në parantezë: thashethemi është diçka shumë serioze në PS. Është kanuni i së vërtetës, sipas një tradite të luftës me grupet armiqësore. Ndaj merret seriozisht.
Pra Kastriot Islami e vë theksin pikërisht këtu, tek ai që e quan Sekti Trekemëbësh në PS. “Sekti Klientelist Trekëmbësh është përfaqësues i i) interesave të ish-nomeklaturës së lartë komuniste; ii) oligarkisë dhe individëve me rekorde kriminale, dhe iii) i një “grupimi” me “sjellje e qasje atipike, madje perverse”, shkruan Islami, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës. Shumë interesant është nënvizimi që Islami bën për ardhjen e Edi Ramës si kryetar partie: “Në vitin 2005, PSSH humbet zgjedhjet dhe pas dorëheqjes së Fatos Nanos, në krye të PSSH vendoset Edi Rama, ish- kryetar i Bashkisë së Tiranës, që ndërkohë kishte nisur të ngrinte “klientelën/sektin e tij” me tri përbërëse 1) biznesmenë të ndërtimit e të medias që përfitonin leje ndërtimi, tendera e privilegje nga buxheti publik i bashkisë, 2) zyrtarët, inspektorët e “sekserët” e bashkisë dhe 3) mjaftistë të shndërruar më vonë G99-shat. Ky “rezervat” kishte filluar të formësohej që në vitin 2000 me vendosjen e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës”, thotë ai. Mirëpo këtu ka nevojë për një vërejtje: si vallë “u vendos” Edi Rama në krye të PS-së? Kjo është fjala që përdor Islami- u vendos. Për ata që mbajnë mend, Fatos Nano dha dorëheqjen si kryetar partie dhe si kryeministër nga selia e qeverisë, po asnjë prej bashkëpunëtorëve të vet nuk e ndoqi në këtë rrugë, ndonëse kishin përgjegjësi të gjithë. Në kongresin e vitit 2005, u rrëzua nën ndikimin e Fatos Nanos, paketa e ndryshimeve statutore, e cila çoi në dorëheqjen e Gramoz Ruçit. Asgjë nuk ishte e sigurtë: edhe fjalimi përmbyllës i Edi Ramës u bë në një gjendje shoku të këtij të fundit, me djersët që nuk i pushonin teksa fliste. “Vendosja” e tij u bë në natën mes ditës së parë të kongresit dhe ditës së dytë, kur shumëkush doli se kishte rënë dakord, “që ky njeri i suksesit” siç e quanin asokohe Ramën, të merrte partinë. Me një pazar tipik socialist: Pandeli Majko, si njeri i afrët me grupin nanoist, bëhej sekretar i Përgjithshëm. Me këtë rast është e udhës që të kujtohet edhe se çfarë ka thënë Islami, apo ndonjë tjetër në atë kongres, i cili po të përdorim parametrat e analizës së Islamit, rezulton të jetë “Katovica e PS-së”. Këmbët e pushtetit të sotshëm të Edi Ramës është e vërtetë që janë ato që na përshkruan profesori, por këmba e ardhjes në drejtimin e PS-së, kush është vallë? Përveç Gramoz Ruçit që doli hapur në mbështetje të Ramës, kush vallë e kundërshtoi këtë të fundit asokohe? Kjo dihet mirë në PS, dihet mirë edhe nga Ilir Meta, kështu që të gjithë duhen uruar: ta gëzoni kryetarin! E meritoni! Edhe pse fshehjen nga përgjegjësia e kemi virtyt kombëtar.
Add new comment