20 shkurt, opozita në provën e saj të parë pas 23 qershorit

Postuar në 19 Shkurt, 2014 06:17

Sot, dy drejtuesit e Partisë Demokratike, ish-kryeminsitri Sali Berisha dhe kryetari, Lulzim Basha kanë bërë një paraqitje mediatike në funksion të përgatitjes së protestës së ditës së nesërme e cila po pritet jo pa kuriozitet nga aktorët politikë. Nga ana e vet, Basha ka bërë të qartë nga Korça se “nesër në sheshin ‘Skënderbej’ do të vijnë me mijëra e mijëra qytetarë, jo vetëm të PD-së, votues ose jo të PD-së, për t’u dhënë mashtruesve një mesazh të plotë, mesazhin se mashtrimi nuk është diçka që bëhet dhe harrohet, por diçka më shumë: atë se mashtrimi nuk gëlltitet, nuk regjistrohet në regjistrin e qytetarisë shqiptare. Do të vijnë nesër të gjithë ata që janë angazhuar për shëndetësi falas, për 300 mijë vende të reja pune, ku përkundrazi mijëra vende pune u shkatërruan nga kjo qeveri pa kokë që nuk lufton korrupsionin”. Nga ana e vet Sali Berisha në një takim sot me gazetarë nuk ka munguar që të paralajmërojë se çdo provokim do të marrë përgjigjen e merituar. “Ne nuk shkojmë në protestë për dhunë ne jemi forcë politike demokratike dhe i përmbahemi rregullave, por nëse Rama provokon bën gabimin më të madh se ne jemi për protestë paqësore”, tha ai. Edhe njëherë interesi më i madh për protestën është mbaravajtja e saj, nëse do të ketë ose jo tensione, nisur kjo edhe nga koninunkturat e paqëndrueshme brenda vetë mazhorancës. Për më tepër, kanë kaluar 5 ose 6 muaj qëkurse koalicioni i majtë erdhi në pushtet dhe koha e një bilanci, apo vlerësimi ka ardhur. Nga kjo pikëpamje, opozita i jep vetes një moment për të rifituar protagonizmin që nuk e ka dot më në vendimmarrjen parlamentare. Përveçse tonifikon pozicionet e veta, ajo, nëse ka sukses nesër, mundet fare mirë që të plotësojë strategjinë e saj politike edhe me protesta. Afrimi i datës për statusin e vendit kandidat e bën kategorik dialogun dhe në këtë kuadër përgjegjësinë kryesore e ka mazhoranca. Berisha ka dalë edhe aty ku është me gjasë interesi më akut i opozitës, reforma territoriale, që sipas tij “me anë të kësaj reforme maxhoranca po bën gjithçka gati për zgjedhjet e ardhshme”.  Kjo e fundit mund të ecë përpara si argument në mënyrë graduale dhe nëse realizohet pa konsensus mund realisht të provokojë të gjithë skenarët. Gjithsesi çdo gjë don të varet nga suksesi dhe pjesëmarrja në protesëtn e nesërme, po të mbahet parasysh se atë e drejton sërish Sali Berisha, i ndëshkaur rëndë më 23 qershor. Suksesi nesër, është padyshim një lloj rehabilitimi moral dhe politik, çka me siguri përbën një stacion të rëndë krize për vetë shoqërinë e cila nuk po arrin dot të shkëputet nga qerthulli i krijuar nga 2-3 aktorë politikë, projektet e të cilëve kanë rezultuar dështim dramatik për vendin.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.