“Gazeta Shqiptare” shkruan se për shkak se morën “zero” kredite në kualifikim, largohen nga puna 650 mjekë

“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se rreth 650 mjekë, farmacistë dhe stomatologë do të duhet të lenë vendin e tyre të punës. Pas përpunimit të rezultateve përfundimtare nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim rezulton se ata kanë marrë zero kredite gjatë ciklit 5vjeçar (2010 2014) të ricertifikimit e për pasojë duhet të përballen me sanksionet që parashikohen në urdhrin e muajit korrik, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Sipas “Gazeta Shqiptare” shifra e mësipërme i takon personelit shëndetësor në sistemin publik dhe atë privat, ndërkohë që me sanksione do të përballen edhe rreth 1491 të tjerë profesionistë të shëndetësisë. Kjo, pasi ata nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve sipas ciklit të parë të ricertifikimit (150 kredite mjekët dhe 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). “Ne kemi publikuar listën përfundimtare me mjekët, farmacistët dhe stomatologët që rezultojnë me status të kryer, çka do të thotë se çdokush që gjen emrin në këtë listë me rreth 8000 profesionistë të shëndetësisë, e ka të sigurt vendin e punës. Ndërkohë që sipas të dhënave përfundimtare, rezulton se 199 mjekë, 72 farmacistë dhe 379 stomatologë kanë zero kredite. Po ashtu, rezulton se 1004 mjekë, 121 farmacistë dhe 366 stomatologë nuk kanë përmbushur detyrimet për mbledhjen e numrit të kërkuar të krediteve. Në ditët në vijim, profesionistët e shëndetësisë të sektorit publik do të njoftohen nga QKEV për situatën e tyre nëpër institucionet ku ata punojnë, ndërsa ata të sektorit privat do të njoftohen nga urdhrat profesionalë përkatës”, u shpreh drejtoresha e QKEV, Entela Shehu për “Gazeta Shqiptare”.
Add new comment