Çështja “Gjika” në Tiranë, zbardhet vendimi i transferimit: Në Vlorë, një “situatë e rëndë lokale”

Shtypi ka publikuar sot vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë për të transferuar çështjen kundër kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika në Tiranë. Gjykata ka pranuar kësisoj arsyetimin e prokurorisë së Vlorës, sipas së cilës “gjatë fazës së hetimeve paraprake të kësaj çështjeje kanë paraqitur kallëzim penal ndaj tij 68 shtetas. Në këtë çështje është parashikuar që të pyeten 19 dëshmitarë. Për shkak të funksionit që ushtron aktualisht i pandehuri, duke marrë shkas nga zhvillimet e bëra publike deri më tani, organi i akuzës gjykon se në Vlorë ekziston një situatë e rëndë lokale, e cila cenon lirinë e vullnetin e personave që marrin pjesë në gjykim”. Sipas gjykatës, një ilustrim për këtë “situatë të rëndë” janë edhe aktivitetet publike në mbrojtje dhe mbështetje të të pandehurit Shpëtim Gjika. Në fakt, siç pohon edhe gazeta Shqip , të pandehurit Shpëtim Gjika, Blerdi Liçaj, Gentjan Sherifaj e Mustafa Tartari, nëpërmjet mbrojtësve të tyre, kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës, duke parashtruar këto shkaqe: Kërkesa e organit të akuzës mbështetet në hamendësi, nuk ka asnjë ankesë nga ana e të pandehurve apo dëshmitarëve se ndaj tyre po ushtrohet presion. Kujtojmë këtu se edhe vëllai i Gjikës, para pak javësh është shprehur i habitur dhe me ironi për këtë “gjendje lufte” që ekzistoka në Vlorë dhe që e di vetëm prokuroria, duke hequr paralele me vitin ’97.
Më shumë, në linkun: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/01/07/ne-vlore-situata-e-rende-lokale-cenon-lirine-e-personave-te-marrin-pjese-ne-gjykim/
a.k
Add new comment