Po me të djathtën ç’i duhet, xhanëm?

Çështja e rithemelimit të së djathtës apo ndarja e PD-së në tri copa prej ku mund të zërë fill e djathta e re shqiptare, ka qenë një temë aq e rëndësishme këto ditë, sa editorialit të Edi Ramës të shtunën iu përgjigj dje kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri Sali Berisha.
Ç’është e vërteta, zoti Rama të hënën u mor me një temë më të rëndësishme – zhvillimin modern rural dhe nxjerrjen e fshatit nga mesjeta. Por, për shkak të përfshirjes së Berishës në diskutimin mbi çarjen e partisë së vet si përgjigje ndaj Ramës, tema e fshatit, ku si rregull humb opozita, nuk mori hapësirën mediatike që meritonte. Kur Rama flet i pari për një temë, kjo ngjan me një rimarrje të iniciativës politike, që si rregull është Berisha që e mban në dorë me potencialin e tij mediatik, me daljet e shpejta në çdo rast. Por nuk është çështja e iniciativës politike këndi i vetëm i shikimit të temës – ndarja e PD në tri pjesë apo rithemelimi i së djathtës. Ka dhe një kënd tjetër. A duhet Edi Rama të merret me këtë temë në formën e një editoriali publik?
Dalja e Ramës në këtë formë, formën e editorialeve për të cilën kemi shkruar njëherë, në lidhje me këtë temë, e rreshton të paktën për atë ditë Ramën në listën e analistëve dhe gazetarëve me eksperiencë që shkruajnë për tema të rëndësishme. Pra Rama ka zhveshur kostumin e politikanit dhe ka marrë penën e gazetarit, të cilën ai thotë se e përdor më mirë se gazetarët. Por, për fat të keq, rreth asaj teme, thuajse në të njëjtën linjë ishte komentuar në media nga gazetarët e vërtetë, kështu që editoriali i Ramës nuk solli asnjë risi, përveç ftesës joshëse të tij për ne gazetarët për t’u përqendruar në temën e së djathtës, me ndonjë këndshikim tjetër, të ndryshëm nga i tiji. Por, a është normale që një politikan të bëjë kaq shpesh gazetarin, qoftë kur thotë gjëra të reja, qoftë kur pohon me solemnitet të vjetrat?
Ky editorial i Ramës nuk ka qenë, megjithatë, për një temë me lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin e vendit. Ai u mor me zhvillimet e pritshme brenda PD-së, apo me zhvillimet e pjesëve të saj në formën e një partie. Ky përqendrim i vëmendjes së tij te zhvillimet jashtë PS-së apo jo ato që lidhen me ekonominë, me shoqërinë shqiptare, me politikën në përgjithësi, ngjan i gabuar edhe me optikën e Ramës. D.m.th., editoriali i Ramës ngjan i gabuar me optikën e Ramës kur e pyesin për PS-në. Rama u kundërvihet kritikëve apo pyetësve për këto zhvillime brenda së majtës me arsyetimin se “zhvillimet brenda PS-së, çështjet e statutit të saj etj., nuk janë interes publik, ndaj nuk duhet të pyesni”. Me të njëjtën optikë, dhe zhvillimet brenda PD-së nuk janë interes publik, me të cilin aq më shumë duhet të merret kryetari i një partie të majtë!!
Dhe këtu mbërritëm te një problem tjetër i madh, që nënvizohet prej editorialit apo kuturisjes së Ramës për t’u marrë me zhvillimet brenda së djathtës shqiptare, që zënë fill prej PD-së. A është etike që një kryetar partie të merret me punët e një partie tjetër? Është me siguri stil politik i mëhershëm, i përdorur nga Berisha, i cili, megjithatë, sa herë (në fakt mjaft shpesh) që komenton zhvillimet e PS-së, thotë “shikoni, se unë nuk komentoj punët e PS-së”, se “nuk e zgjedhim ne opozitën” etj., etj. Pra dhe Berisha, besnik i kontradiksioneve të thella në ligjërimin e vet, ndërsa komenton PS-në, e pranon indirekt se nuk duhen komentuar “punët e brendshme të një partie tjetër rivale”. Për pasojë, me këtë kuturisje, edhe Rama u bë lëvrues i stilit politik të vjetër, sipas të cilit diversioni në oborrin e komshiut është normal. Rama, si gazetar, qoftë opinionist, editorialist apo lëvrues i një zhanri tjetër, kur shkruan për të djathtën nuk bën editorial, por diversion.
Kuturisja e Ramës në oborrin e PD-së apo në kampin e djathtë ishte jo normale dhe për një arsye tjetër. Subjektet e reja që po krijohen prej PD-së apo që tentojnë të marrin votë të djathtë, janë në një situatë shumë delikate. Ndërrimi i votës prej një njeriu që sistematikisht ka votuar në një mënyrë është diçka për të cilën nevojitet një reflektim i gjatë. Një dalje si ajo e Ramës interferon me këtë proces reflektimi individual te një votues tipikisht i djathtë. Ky pozicionim i tij i dha hapësirë Berishës që të vazhdojë të bëjë dhe ai diversion nga ana e vet për ta mbajtur të gozhduar votuesin dikur të tij. Berisha, në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, e bëri diversionin e radhës duke tentuar edhe një herë të bëjë lidhje midis Presidentit që do të udhëheqë një subjekt të ri dhe Edi Ramës. Pra kjo dalje e Ramës nuk ofroi ndonjë gjë pozitive në planin taktik as dhe për vetë Ramën. E dimë se Rama ka qartësisht interesat e veta nga kjo çarje eventuale e së djathtës, por a duhet të lërë të rrjedhin ngjarjet vetë apo të interferojë jopublikisht, apo duhet të bëjë editoriale që mbase prishin punë? Në mendjen e votuesit të djathtë janë ndeshur editoriali i Ramës me stilin e tij të sofistikuar jo aq shumë elektoral dhe batutat populiste të Berishës. S’dimë ç’efekt ka prej kësaj përplasjeje në kokën e votuesit të lëkundur të PD-së, sepse reflektimi i votuesit me siguri do të vazhdojë, por elektoralisht batutat janë më të thjeshta dhe të asimilueshme se editoriali.
Dhe më në fund, kjo kuturisje gazetareske e Ramës në kampin e djathtë interferon dhe me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare që sheh te lindja e subjekteve të reja të djathta një rrugë efikase për ndryshimin e kësaj “qeverie të lodhur nga pushteti”. Përfaqësuesit më të rëndësishëm të kësaj bashkësie, përfshi ambasadorin amerikan, po i inkurajojnë qartësisht këto zhvillime, me një theks të veçantë në zgjedhjen e Presidentit, ku mund të zënë fill dinamika interesante, që mund të çojnë deri në rrëzimin e qeverisë. Po Rama ç’do që hyn mes këtyre përpjekjeve?
U përpoqëm të merreshim me kuturisjen më të re të Ramës, editorialin për tri pjesët e PD-së etj. Dhamë disa arsye pse të paktën kjo kuturisje e re e radhës, kjo veshje e kostumit të gazetarit duke zhveshur atë të politikanit, ngjan e pavend, jo pragmatike dhe as ndonjë lloj risie gazetareske. Nuk po tentojmë asnjë grishje që ai të mos e bëjë këtë në të ardhmen, por me temën e zgjedhur, gaboi. Ndryshe po të ishte bujqësia…
Comments
Habitem cdo here kur nje

Habitem cdo here kur nje njeri i jep te drejte vetes te caktoje se cfare duhet te beje apo jo nje politikan.

Ku e gjen autoritetin Nazarko per te gjykuar nese nje politikan (apo cdo njeri tjeter) duhet apo jo te merret me partine kundershtare? Njerezit jane te lire te thone cfare te duan, kur te duan. Po nuk te pelqeu kritikoje a shaje a injoroje ate qe thote, jo faktin qe personi hap gojen.

Hajde pordhe hajde!

Rama nuk gaboi, sigurisht per

Rama nuk gaboi, sigurisht per konceptin tim. Nuk eshte gabim qe kundershtarit tone , bashkeudhetarit tone, bashkevendimemarresit tone , te mos i rekomandojne apo veme ne dukje probleme qe i takojne kahut te tij. Se sa jua ve veshin eshte tjeter pune. E djathta e majta, per mua eshte si puna e kandarit, qe me nje krah ka koshin dhe ne anen tjeter koqen e kandarit. Per problemet qe mund te paraqiten ne te , meqenese nuk vepron 'inspektoriati i peshematjes', do te mundohemi qe 'pa nderhyre ne punet e brendshme' t'u bejme verejtjet tona, pasi sa me i persosur organizimi, drejtimi i nje kahu politik aq me i mire do te jete zhvillimi i vendit, pavaresisht kush qeveris. Ne momente lodhjeje ne qeverisje dhe per te mos shkelur rregullat demokratike ne pritje te konsumimit te mandatit, s'ka asgje te keqe si politikan a si gazetar t'i terheqim veshin tjetrit per disa gjera programore te premtuara dhe te pambajtura, te cilat cojne ne shperberje te nje kahu politik te konsoliduar tanime, i cili po u shperbe nuk dihet se kush mund te behet 'banore' i tij, qofte i mire apo i keq, per te mire apo te keq tonin. Eksperimentet jane ndryshe ne laborator e ndryshe ne mase. Boll me 'kimista' e 'kavie' ! Ne fund te fundit sikur edhe diversion politik te beje, lejueshem eshte, ne konkurence politike jane. Megjithate, duke ju lrguar ketyre problemeve 'lifting' e rendesishme eshte qe e djathta do refermuar nese ka deshire te quhet e djathte, dhe jo se keshtu na 'ra bileta' per te qene ne te djathte...

Rames i lejohet te flase nje

Rames i lejohet te flase nje here per krahun tjeter politik, pasi Berisha e ka bere kete 20 vjet rresht. Nuk ka politikan te larte qe te jete marre me shume se saliu me ate qe kane bere kundershtaret e tij. dikur fuste meten kunder nanos, komentonte cdo ze e fraksion qe shfaqej ne ps, bente diversione nga me te pamendueshmet, me aludime e shpikje qe nuk i rrok asnje mendje minimalisht normale. skena politike bazohet ne parimin e eneve komunikuese. per pasoje, ska sesi nje perfaqesues politik i nivelit te larte, e rama eshte i tille, te mos merret me faktin qe kryetari i partise, kryeministri, po sherroset faqe miletit me ish-nenkryetarin e tij, i cili eshte presidenti i republikes. impakti i zhvillimeve djathtas, dikton reagimin e gjithe spektrit. mentori ka bere nje verejtje "laboratorike", nderkohe qe nuk jemi ne kushte laboratori, por ne kushte reale lufte. pushket nuk jane me fisheke manovre o Mentor!!!

Problemi eshte se Rama rreket

Problemi eshte se Rama rreket pikerisht te na thote e tregoje se ai eshte komplet ndryshe nga Berisha, dhe se ai po tentont te sjelle nje model te ri politikberje komplet ndryshe nga modeli Berishist i diversioneve te ketilla.

Nazarko është i

Nazarko është i respektueshëm si opinionist, dhe mendimi i ka peshë. Por unë kam mendim të ndryshëm nga ai për këtë çështje. Rama me pretekstin e përgjigjes ndaj Berishës për lidhjen e PS-së me Spahiun apo Topin, synoi të diversifikonte këta dy të fundit prej vetes, dhe prej elektoratit që përfaqëson. Ishte përgjigje sqaruese, më një anë i përgjigjej Berishës dhe në anën tjetër, theksonte ndryshueshmërinë e elektoratit të majtë, nga ajo që MUND të përfaqësojnë Topi dhe Spahiu. Ishte një ndarje shapi nga sheqeri me dy aktorët e rinj të mundshëm të politikës. Ka disa pika ku ndahen, të cilat ai i theksoi. Njëra psh është 21 Janari. Tjetra është zgjedhja e Bamir Topit si president, për mënyrën si u bë, apo dhe për pozicionin e tij ndaj zgjedhjeve të 2009-ës. Aktorët e rinj të politikës, do të synojnë të pozicionohen ndaj këtyre ngjarjeve dhe rrethanave. Dhe që të dy kanë qënë në pozita komode deri tani. Topi në komoditetin e heshtjes që ia ka ofruar në pjatë posti presidencial, dhe Spahiu në komoditetin e idesë se "të gjithë janë fajtorë, për gjithçka ka ndodhur, veç unë jo".

Topi do të synojë të mbajë idenë e përgjegjësisë së kufizuar për çka ka ndodhur këto vitet e fundit, dhe do ofrohet si përfaqësues i të djathtës të vërtetë. Në rast se PD do të fliste psh për mënyrën e zgjedhjes së tij, atëherë do i bënte dëme, si atij ashtu dhe vetes in the long term.

Ndërsa Spahiu synon të përfaqësojë pjesën e të pakënaqurve të përgjithshëm prej politikë, do të merret dmth me leftovers nga PD dhe PS.

Rama nga ana e vet, do të synojë diferencimin e tij prej këtyre figurave, duke i nxjerrë jashtë komoditetit ku ndodhen. Këto janë parime të faktorizimit politik dhe ai ka për t'i ndjekur. Kur të vijë puna e zgjedhjeve, do të duhet të synojë të mbajë bashkuar elektoratin e vet, sepse Spahiu dhe Topi, në fund të fundit, janë alternativa bashkëkonkurruese.

jo Z.Nazarko, jeni komplet

jo Z.Nazarko, jeni komplet jashte rruge! Editoriali i Rames i drejtohet terthorazi votuesve te PS, (sepse ka plot te majte te pashprese qe mund tja japin voten AKZ) duke bere nje "analize te PD" dhe duke vene shenjen e barazimit midis Topit e Spahiut, Rama mundohet te ruaje vathen e tij.... KAQ! eshte shume e thjeshte :) Rama nuk eshte kaq naiv, sa duket. Me vjen keq, por ky shkrim nuk ishte i goditur....

Add new comment