Këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë, Sandër Lleshi akuzon Shkupin zyrtar për Kumanovën. Ka edhe një emër përçmues për fqinjin tonë: Fyroma

Gazeta “Dita” publikon sot një opinion që paraqitet me autorësi të Sandër Lleshit, këshilltar i Kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, i cili merret me ngjarjet e Kumanovës. Që në krye të radhëve të veta, Lleshi prezantohet i irrituar dhe i prekur emocionalisht nga situata, teksa e përçmon emrin zyrtar të Maqedonisë, FYROM, në Fyroma. “Po bëhet një çerek shekulli që shteti i mbetur nga shpërbërja e Jugosllavisë vret pothuajse rregullisht shqiptarë. 70 vjet pas fashizmit dhe 25 vjet pas Jugosllavisë, Fyroma, që mëton me një sforco vanitoze të bëhet Maqedoni, dha një shfaqje makabre, tipike jugosllave, në Kumanovë. E veçanta e kësaj radhe është se, bashkë me shqiptarët, mish për top në lojën e mbijetesës politike të qeverisë së Fyromës u bënë edhe disa policë slave”, shkruan Lleshi. Vetë Fyroma, kjo etiketë e pazakontë për kudesin gjuhësor dhe sensin që përshkruan qasjet analitike të ushtarakut, parathotë se në mendimin e këshilltarit të kryeministrit, Maqedonisë si shtet, ashtu siç e shohim sot, i ka ardhur fundi. Për Lleshin madje është në lojë stabiliteti i rajonit. “Që në lindje, Fyroma, ishte jo vetëm në emër, por dhe në strukturë, një kopje e zbehtë e shtetit shumëkombësh, të cilit, me sa duket, nuk i trashëgoi vetëm emrin e ngatërruar, por edhe programin bazë, atë të orientimit kundër shumicës së kombeve të tij përbërës. Jugosllavia e vjetër u bë viktimë e përpjekjes për të ekzistuar pa shqiptarët, pa kroatët, pa sllovenët, pa boshnjakët. Edhe kjo e mbetura duket se po ndjek të njëjtin destinim. Ashtu si krijesat biologjike autofage, që ushqehen me pjesët e trupit të tyre, duket se sillet edhe Fyroma. Përpjekja për të mbijetuar pa shqiptarët dhe pa të tjerët, po rrezikon kështu jo vetëm ekzistencën e saj, por edhe paqen dhe sigurinë e krejt rajonit. Më 9 maj 2015 u vranë 22 njerëz. Por bashkë me ta, në Kumanovë duket se u “vra” edhe Ohri. Marrëveshja e pafat e Ohrit, që duhej të ishte në të vërtetë Kushtetuta e shtetit postFyrom, duket se është vrarë përfundimisht në Kumanovë”, shkruan këshilltari. Me vdekjen e Ohrit, Lleshi propozon: “Modeli i një Zvicre ballkanike duket se është alternativa më e mirë përballë atij të një post ose ishJugosllavie”. Çfarë mungon në këtë “analizë” akuzuese është gjetja dhe listimi i përgjegjësive të faktorit politik shqiptar në FYROM, që është në qeveri dhe madje ka votuar sërish për qeverinë Gruevski. Një përgjegjësi që nuk mund të fshihet pas frazave të tilla si “Shqiptarë të keqpërdorur nga shërbimet famëkeqe të inteligjencës së Fyromës, të tjerë shqiptarë të futur në kurth…”. Historitë me policë sllavë të vrarë dhe shqiptarë të keqpërdorur, më shumë i shkojnë si terminologji ndonjë politikani a aktivisti, por jo një ushtaraku që me përkufizim për nga profesioni anon më shumë nga statisti. Sallatën maqedonase nuk e ka gatuar vetëm Gruevski, por me të në një varkë janë edhe liderët që vizitojnë rregullisht Tiranën zyrtare.
s.z
Comments
FYROM a ka emrin, pavaresisht
<p>FYROM a ka emrin, pavaresisht se ne e quajme Maqedoni, shume e gabuar!</p>
Asgja e re: Kshilltari i
<p>Asgja e re: Kshilltari i Rames perserite çka i intereson Rames.</p>
Add new comment