"Ça ke Albin?” i Ben Blushit prodhon një “rrebesh” reagimesh kundër. Madje edhe sulme personale

Ka prodhuar reagime jo të pakta, emocionale madje, shkrimi i Ben Blushit “Ça ke Albin?”. Pas reagimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe gazetarit Çlirim Peka, të dy kundër gjykimeve të Blushit për liderin e Vetëvendosjes, janë edhe disa gazetarë në Kosovë që i kundërvihen deputetit socialist, madje duke mos munguar me gjykime të tyret për karrierën e këtij të fundit. Paraprakisht duhet thënë se kjo polemikë po zhvillohet nga dy perspektiva të ndryshme: Blushi përpiqet të japë një opinon, ata që e kundërshtojnë janë thuajse idhtarë të Kurtit, por edhe njohës më të mirë të realitetit në Kosovë. Kjo mund të lexohet qartë: “Blushi e determinon shqiptarin e sotëm të zgjedhë midis partisë dhe xhamisë. Nëse zgjedh partinë je liberal, nëse zgjedh xhaminë një psikopat i dhunshëm. Por nëse zgjedh përtej partisë dhe xhamisë, pra të rrëzosh qeverinë, je një i dhunshëm që duhet rikthyer te vota, te partia, tek institucioni”, shkruan në “Zëri” Klodi Leka. Më tej, Marsida Kruja, po te “Zëri” është më e drejtpërdrejtë: “Albin Kurti është ndër të vetmit lider politik, quaje dhe shpirtëror po deshe, që ka pas vetes qindra të rinj e të reja, burra e gra, pleq e plaka. Atë nuk e ndjekin pas punonjës të administratës që i detyrojnë dhe kërcënojnë me largim nga puna nëse nuk shkojnë në protestë. Ata janë rinia e këtij vendi që kërkon diçka ndryshe, që flet, që guxon, ata janë idealistë. Albini është i vetmi politikan në Kosovë që nuk bën kompromise për karrigen e tij…Kështu që ça ke ti Blush”, shkruan ajo. Ndërkohë Radio Kosova e Lirë, ka publikuar edhe një editorial të vetin që merret me hapjen e kësaj polemike, që ka nisur nga protestat e VV-së për çështjen “Trepça” dhe “Jabllanoviç”. Editorial i cili duhet thënë se është një sulm personal ndaj Blushit dhe mendimeve të tij për peizazhin social politik të botës shqiptare. Po shkëpusim një pasazh: “Nuk na takon ta bëjmë avokatin e Albin Kurtit dhe ta mbrojmë atë nga ça-ket e Ben Blushit. Por qëndrimi i tij kundër protestave gjithë popullore, në të cilat kërkohet largimi i Serbisë nga Kosova, doemos se i ka penguar dhe i pengon shumë greko-serbo-filit Blushi, edhe pse as e ka pyetur, as do ta pyes kush në Kosovë, për më tepër jo një sharës të UÇK-së dhe lavdërues të historisë fashiste të ortodoksisë serbe”, thuhet ndër të tjera në këtë editorial(http://www.radiokosovaelire.com/?nav=40,2&id=24279). Reagime që dëshmojnë se protesta në Kosovë ka rrënjë të ngulitura mirë dhe në anën tjetër, se klima e komunikimit mes shqiptarëve për tema të nxehta, mbetet ende larg një shkëmbimi të vërtetë idesh.
s.z
Comments
Me i fut hundet ne punen e
<p>Me i fut hundet ne punen e tjetrit, sic ben Blushi, sot na u quaka shkembim idesh? Haha...</p>
Blushet me shoke e kane
<p>Blushet me shoke e kane katandisur Shqiperine tone te pasur ne mjerim te plote.Miun nuk e nxe vrima e tij dhe kerkon te marre edhe kungullin me vehte.</p>
Add new comment