Tetë dhjetor 2014: Përroi im i ndërgjegjes

Kur afrohet 8 dhjetori, mua më kap një gjendje që është mes “oi-oi-oi”-së dhe “ha-ha-ha”-së, ose thënë ndryshe mes ankthit e gazit, gazit në kuptimin: gallatës; është më saktë edhe ankth, edhe gaz, dhe mos më thoni që nuk është kështu, pasi është mjaft të shihni atë që ndodh në raste të tilla, dua të them se janë të njëjtët personazhe, sidomos ai që e ka privatizuar ngjarjen, d.m.th ai të cilin njerëzit jo trushkulur të këtij vendi e mendojnë ose si një koqe kandari, ose si një psikopat delinkuent, ose si një shkërdhatë të korruptuar, e të vjen çudi se si nuk ua kap kaplloqja, që ai nuk është ose/ose/ose, por është edhe/edhe/edhe, po pastaj janë dhe dhjetëra të tjerë që o në emër të tij, o prej tërbimit ndaj tij, kapen nga dalldia e rrethanës festive, lënë shënime nëpër profilet e tyre në Facebook, përcjellin mesazhe në Twitter, bëjnë shkrime, ndonjëri syresh edhe libër, jepi Preç të lumtë pena, japin intervista, u rikthehen kujtimeve me pasion veterani, ribëjnë historinë, ripërsërisin fakte të njohura, ndonjëherë i trukojnë, nëse nuk i sendërgjojnë, theksojnë me të madhe të vërteta që ata mendojnë se janë theksuar më pak se sa e kanë hak, rikuperojnë fakte të tjera që për një arsye apo për një tjetër kanë humbur rrugës, publikojnë foto të panjohura, dhe në disa sosh pashë këto ditë – hapu dhé të futemi! – Ristanin e Spahiun; dhe hajde e mos ki dyshime, në ke Perëndi, për atë dhjetor që e quajnë të artë a të shenjtë, apo si dreqin e quajnë, por në të vërtetë, jo thjesht për shkak Ristanash e Spahish, s’është hiç i tillë, dhe … ku e kisha fjalën, ah, po,… rikonstruktojnë tërë ngjarjen nga fillimi deri në fund, ribëjnë listën e themeluesve, që i paçim sa malet, shtojnë e heqin prej saj, bëjnë çmos të puthitin data e qëndrime, vlerësojnë e rivlerësojnë personazhe të ndryshme, u japin munxët personazheve të tjerë, japin dëshmi një pas një mbi egërsinë e regjimit totalitar, dhe është pikërisht kjo gjë që veprën e tyre e nxjerr në një dritë më heroike, paçka se ky nuk është medemek qëllimi i tyre, jo, jo, ç’është ajo fjalë, thjesht kështu na paskëshin qenë gjërat, regjimi mizor e gjakatar më një anë dhe ata, që edhe mund të gjenin vdekjen ato ditë më anë tjetër, ja këta mblidhen bashkë për të festuar, organizojnë aktivitete, mbajnë fjalime, shkojnë te Fevziu, që ia pifsha dollinë ia pifsha, e ia qifsha përurimet e librave ia qifsha, që të japin krupë, përurimet jo librat, më shumë se një thithëlopë e gatuar, shkojnë te Fevzoja pra, përkujtojnë Hajdarin, i shkojnë dhe tek hijerorja (sanctuary) e ngritur në Qytetin Studenti, se tamam si hijerore e shohin, por ajo përmendore veç hijerore nuk është, se Hajdari ishte ai që ishte, dhe ne të gjithë e dimë këtë, ashtu siç dimë se Olldashi nuk ishte veç student dhjetori e garip qyteti, sado këngë t’i bëjnë, se në këtë vend dihet se kujt i ngrenë këngë, edhe përmendore, e kjo gjë merret vesh më mirë se kurrë në këtë fillim dhjetori, me këtë përndezje festive e me këto aktivitete të pasosura përkujtimore që ty ta tëhuajëzojnë ngjarjen, ta bëjnë jo tënden, të bëjnë të thuash “po unë ç’lidhje kam me këtë ngjarje e me këta njerëz, të gjallë a të vdekur?”, kuptohet, nëse ka qëlluar të kesh lidhje, nëse nuk ke qenë në krahun tjetër, në krahun e regjimit mizor që, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, do kish shumë qejf në atë dhjetor që ma quajnë të shenjtë në një kohë që është i dhjerë, regjimi komunist pra në atë dhjetor të dhjerë pra (me dy “pra”) do kishte shumë qejf, por nuk kishte më fuqi, të ishte mizor, ngaqë regjimi ishte bash si ata seksopatët e moshuar, që një akt përdhunimi nuk e bëjnë, jo ngaqë nuk ua ka ënda, apo ngaqë nuk ua lejon standardi moral që kanë, por ngaqë nuk kanë takat.
Disa i rikthehen kontributit të atij që ngjarjen e ka vjedhur, i rikthehen me synimin për ta diskredituar, për ta nxjerrë prore në një dritë të keqe, a thua se nuk u mjaftojnë të këqijat që ai ka bërë më pas, i bëjnë një replay të ngadaltë filmit të kujtesës së tyre e të kujtesës kolektive, apo edhe filmave në celuloid, për të kapur të gjitha hijezimet, lapsuset, rrëshqitjet, e në përgjithësi gjestet e tij që aposteriori nuk i rrinë mirë asaj kohe, e pastaj fjalët e mira që vjedhësi i ngjarjes ka thënë në adresë të Ramiz Alisë, asëll-asëll të shokut Ramiz Alia, për të kapur drojën prej komunisti të thekur, por edhe prej mjeku të Hysniut, përballë Lëvizjes së studentëve e përballë atyre që donin të themelonin një parti kundër Hysninjve e kundër Vitove, more vesh Mimi, mora thuaj, për të kapur fjalët “unë dua të jem një mik i mirë i Partisë Demokratike”, ta gëzoni Partinë Demokratike, ose jo, ndërrova mendje, ta gëzojmë Partinë Demokratike, nuk mund të rri jashtë saj, pasi kjo parti duhet shndërruar në një bandë kriminale, dhe pa mua kjo gjë s’do bëhet e mundur, unë jam me ju, kjo parti është e Azemit, mos dëgjoni Shinasi Ramën, që më vërsulet me tërsëllëm, dhe as atë gjatoshin, të birin e Kristaqit, që njëzet e katër vite më pas një farë Erion Veliaj, që sot është 10-11 vjeç, do ta shpallë si frymëzuesin e Lëvizjes së Dhjetorit, të Dhjetorit të dhjerë, kuptohet, hm, hahaha, nuk di pse qesha, në fakt e di, ku e kisha fjalën, ah po, e u ftillova, dhe po them se nuk është vetëm vjedhësi i ngjarjes, që nuk ka lënë gjë pa vjedhur në kohët që e pasuan atë ngjarje, që e kërkon skenën të tërën për vete, skenën ku festohet dhjetori, janë dhe të tjerët, janë dhe ata që me të s’mundën të rrinin, është dhe Shinasiu për shembull, me të cilin mua nuk më ngjit, nuk ia duroj dot atë natyrë rapsodike e qasje autoreferenciale që ka, dhe unë e di, atij nuk është se i ngjit më shumë me mua, por punë e madhe, bythë e plasur, bythë e plasme më saktë, unë prapëseprapë e pranoj që atëbotë ai ishte tip, atëbotë më është dukur më i kthjellëti, dhe këtë e ka treguar jo kur shkumëzonte kundër koqessëkandaritpsikopatitdelinkuenteshkërdhatëssëkorruptuar, me po atë forcë që shkumëzon sot Mero Baze, që pena pushkë iu bëftë, dhe dihet, të shkumëzosh kundër tij vai sul sicuro, apo jo Andrea Stefani, por gjatë takimit me Ramiz Alinë, pikërisht në atë takim kur ai demonstroi se ishte më i kthjellëti, madje i vetmi i kthjellët, gjë që binte më shumë në sy tek shihej mes dy djemve torollakë, u mor vesh më vonë, sidomos më vonë, që ishin torollakë, e jo vetëm torollakë, e kam fjalën për Hajdarin e Imamin që në atë moment nuk kish pse të ishin më shumë se sa kaq për të kuptuar aq sa donin të kuptonin, dmth të kuptonin se ata po bënin histori, madje veç tek kjo e kishin mendjen, që po bënin histori aq pranë Ramiz Alisë, që iu bëftë dita një mijë, e që një mijë nuk iu bë, të ishte ndryshe do ta kishim gjallë, se personazhet që bënin historinë në atë moment mund t’i prodhonte veç ai, Ramizi, dhe ata që me Ramizin nuk donin e nuk kishin të bënin, me historinë duhej t’i lanin hesapet, nëse nuk do të kujtoheshin për të hyrë në histori ca më vonë, si gjatoshi ynë që këtë ambicie e ka shprehur, madje në Beograd, në atë konferencë të shtypit, ku ia bëri rrup-sup Vuçiçit qyqar, zuri të trokasë fort në derën e historisë ding, ding, ding dhe, doni ju, ca janë të sigurt se ajo derë iu hap, hahaha, këtë herë e di shumë mirë pse m’u qesh, m’u qesh vençe, po mbaj brinjët me duar, po thoja pra se Shinasinjtë këtë gjë duhet ta kenë menduar herët, por pa Ramiz Alinë, më saktë duke qenë kundër Ramiz Alisë, dhe të japin përshtypjen qyqarët, sapo e thashë fjalën qyqar, e thashë për Vuçiçin por s’ka gjë, shkon edhe për Shinasinjtë, që të japin përshtypjen se e vuajnë që nuk mundën të hyjnë në histori, pupupu ç’bëhet për pakëz vend në histori këtej nga anët tona, s’ka gjë se kjo historia e vendit tonë nuk është si të tjerat, është thjesht një mejhane e ndyrë ku s’ka mbetur kodosh pa gjetur strehë, e prapëseprapë të gjithë shqiptarët çfarë nuk do jepnin për të hyrë në histori, edhe sumën do ta jepnin, ndonëse janë gati t’i pjekin në hell të gjithë ata që sumën e japin për qejf e jo për histori, dhe ia bën mu që e vuajnë këtë gjë, Shinasinjtë po them, ndryshe nuk ka se si shpjegohet që jetojnë gjatë gjithë vitit veç duke pritur të mbërrijë dhjetori i radhës, në të cilin do t’i intervistojnë, apo do të intervistohen, do të shkruajnë për atë që ka ndodhur në atë dhjetor të madh, të lavdishëm, kur regjimi komunist theu zverkun, ra, u këput, dha shpirt, dhe e gjitha kjo për inat të studentëve që nuk heqin dorë nga mendimi se atë regjim e rrëzuan ata, e rrëzuan duke vënë kryet e tyre në rrezik, në një kohë që krye s’kishin, e rrëzuan kur regjimi ishte ende i gatshëm, dhe i aftë, të vriste kundërshtarë, futjani pordhës futjani, regjimi kish vdekur, veç pritej dikush që ta kallte në varr, dhe ju të dashur studentë të dhjetorit nuk ishit gjë tjetër veçse pjesëmarrës në një ceremoni varrimi. Të rroni vetë!
Nuk thashë kot “ankth” në krye të herës. Është ankth vërtet kjo punë. Unë dua t’i fshihem, t’i bëj bisht, kësaj tollovie, e këtij harbimi, mirëpo për dreq nuk mund t’i bëj bisht dot, ngaqë është si një murtajë, më keq akoma, si flama e fanatizmit, që është sëmundja më e keqe mbi fytyrë të dheut, dhe unë kam frikë të shfletoj gazetat apo të hap televizorin, ngaqë më fanepsen lajme me dhjetorin 1990, të njëjtat lajme, që jepen pa u lodhur, dhe me shpresën e bindjen se ndjellin interes e vëmendje, mu si trupat e lakuriqtë të Lady Gaga-së, gagaga, e të Rihanna-së, nanana, në skenat e koncerteve të tyre apo në plazhet pa stinë ku gjejnë kohë për t’u shullëhur në diell, apo si trupi edhe më i lakuriqtë i Qerretit tonë, qeqeqe, e qullur në djersë, quququ, mbi qilimin e kuq, qiqiqi, të një mbrëmjeje gala, mu si twerk-u i Miley Syrus-it, dridhmi bythët dridhmi, dhe më vjen të këlthas: mjaft më me dhjetorin, se na plasët. Dua t’u them mjaft edhe atyre që në dhjetor 1990 ishin atje, në shesh, a në takime me Ramiz Alinë, e që më pas panë punët e tyre, nuk u përzjenë në punët e kombit, apo nuk u lanë të përziheshin në këto punë të kombit, për rrjedhojë nuk u ndotën nga balta gattopardo-iane (lexojeni, lexojeni Gattopardo-n e Tommasi di Lampedusa-s, se edhe aty flitet për një “dhjetor”, për një “dhjetor” shumë më të rëndësishëm, dhe ndoshta do të bini dakord me mua se për dhjetorin tonë, që mos u gjendtë dhjetor në këtë botë, e në radhë të parë për protagonistët e atij dhjetori, që kokën hëngshin me sho-shoqin, është folur boll; dhe boll është boll), por dua t’u them “mjaft” dhe vjedhësve të asaj ngjarjeje, në radhë të parë vjedhësve të asaj ngjarjeje, që më pas nuk kanë lënë gjë pa. Fjalia e fundit ju duk e pambyllur? Jo, nuk është e pambyllur. Është Leopold Bloom-i, ai i James Joyce-it të përrenjve të ndërgjegjes, është Leopold Bloom-i që ju flet, dhe dihet që këtij, në urdhrat e Joyce-it, herë pas here ia jep në kokë të mos i mbyllë frazat, jo për t’i lënë të pambyllura, por me idenë se nuk ka nevojë t’i mbyllësh, dhe Bloom-i është mësuar me varrime, e prandaj nuk i shqitet nga mendja dyshimi, nëse i kalluri në varr ka vdekur vërtet, e nëse nuk do të ishte më mirë, për t’u siguruar, që të sakatohej para se të varrosej, morët vesh ju që ia keni mbushur mendjen vetes se komunizmin e keni kallur në dhé, që pika që s’iu bie që besoni në shajní të tilla, e që më bëni dhe mua të humbas fillin, por jo, e rigjeta, po thoja se janë dhe zullumet e bëra pas atij dhjetori, në radhë të parë ato zullume, arsyeja që janë kapur pas të njëjtit dhjetor, atij dhjetori të leshit, kur – kjo është një moto gattopardo-iane, gjithashtu – ndryshoi gjithçka në mënyrë që gjërat të mbeteshin siç ishin. Dhe ashtu mbetën. Apo jo? Urra!
Marrë nga Shqipi i sotëm
Comments
Uao. Shkrim fantastik. Pese

Uao. Shkrim fantastik. Pese yje e kaluar. vlersim im maksimal per dinamizmin e ngjyren, ekspresionizmin, sarkazmen, ironine, gryshtimet e shurrimet e njerzve pa turp e pa dinjitet. Eshte ndergjgjia me te vertete qe percakton gjykimin, eshte etika dhe morali qe kerkon frymemarrje, eshte mungesa e normes qytetare e kthyer ne nje debilitet e verberi kolektive. Uao klase shkrim, si nje klithme qe kthehet ne mprehtesine e bisturise duke ther e nxjerre stikthin e ploncin e ketyre kadavrave e qelbesirave bestjale qe vetem me njerzoren nuk kane te bejne. Ta puthsha doren e mendjen dhe po e ngre per shendetin tat.

Ne vend te gjithe ketij

Ne vend te gjithe ketij perroi psiqik mund te thuhet thjesht: ata u ndodhen aty rastesisht. Rastesisht ishin studente dhe pedagoge ose doktore te udheheqjes dhe po aq rastesisht u bashkuan me demonstratat dhe greven. Jo se ky fakt u heq ndonje merite, por nuk i lejon te marrin me shume merita se c'u takojne.

Ka nje ndryshim shume te madh midis dikujt qe lufton me vite, persekutohet, ka nje bindje, rrezikon gjithcka, edhe jeten, edhe familjen, sepse eshte DESIDENT, dhe dikujt tjeter qe brenda dites behet deshmitar dhe madje pa e kuptuar as vete PJESEMARRES ne nje ceremoni varrimi sic e thote ne menyre shum te goditur Nano (Mustafai).

Fantastike,Muci!

Fantastike,Muci!

O ty te lumte ajo dore/pene o

O ty te lumte ajo dore/pene o Muc Nano. Me paske lexuar mendjen dhe shpirtin me kete shkrim. Ka kohe qe ne syt e mi, shkrimet e tua kishin humbur ngjyrimin/simpatine e dikurshme por me kete me riktheve ne emocione te kaluara..

do me behej qejfi mal sikur te arije te thoje nje pjese te ketyre te qerosi ne Opinion, live

Te lumtë Mustafa! Ca si ty

Te lumtë Mustafa!

Ca si ty ,TRIMA, i duhen Shqipërisë (pothuajse je i VETËM) për t'i thënë gjerat TROÇ.

Shume fansja jote

Vera

futjani pordhës futjani,

futjani pordhës futjani, regjimi kish vdekur, veç pritej dikush që ta kallte në varr, dhe ju të dashur studentë të dhjetorit nuk ishit gjë tjetër veçse pjesëmarrës në një ceremoni varrimi. Të rroni vetë!

Shume e vertete.

Muçi, veç mesazhit, ka bërë

Muçi, veç mesazhit, ka bërë dhe një sprovë (si i pëlqen edhe vetë ta thotë) duke shkruar gjatë, në pothuaj vetëm tre fjali! Ja kaloi edhe stilit të Ramës te "Kurbani".

Ndërsa për pëmbajtje jam përherë dakord, kur dikush trishtohet me anët e këqia , të përsëritura në mërzi, dhe banale, të rrëmujës njerëzore.

Por mendoj se duhet edhe pak sportivitet o Muç, se fundja kjo është rraca njerëzore - kush ka talent e takat dhe e pranon jetën qetësisht, do rregulla; ndërsa kush është hedhur (nga fati, perëndia, rastësia, etj.) pa ato mjetet më sipër në këtë luftë që quhet jetë dhe që vuan egzistencën e vet, do luftojë me ç'ti gjendet, për të "mbijetuar". Ekuilibri në natyrë (në cdo fenomen) vendoset nga raportet e masave ndërvepruese dhe ambientit ku ndërveprojnë , edhe pse ekuilibrat shpesh duan kohën e tyre (pjesë e vendosjes së ekuilibrit është edhe shfarosja, pavarësisht referimit).

Mustafa mos shkruaj me per

Mustafa mos shkruaj me per kete vit ! I mbledh te gjitha kjo.............................

Mire se u ktheve Nano. Po,po,
Mire se u ktheve Nano. Po,po, mire se u ktheve... Ne publicistiken e vertete. E verteta cliron, prandaj Joyce shpiku perroin e ndergjegjes, qe ti e paske shendrruar ne permbytje..
Bravo z. Nano! Ja cfare solli

Bravo z. Nano! Ja cfare solli ai dhjetor i dhjere.

Pija kafe dje me nje mikun tim diku ne Tirane, edhe me nje gote raki perpara.-Na mori me qafe kjo qeveri- me tha. Megjithse e dija se cfare do te thoshte, e nxita te fliste. Po ja, vazhdoi, korenti. Po na presin dritat. - Sa vjet ke pa paguar? - Tre vjet, te gjithe si fshat.- Hic mos i paguani. Kur s'keni, shpirtin do ti jepni qeverise. -E kuptoi apo s'e kuptoi se si e pata, por po me shihte drejt e ne sy. Ngreu, i them, pasi kishim mbaruar gotat e rakise.- Eja te dalim!- Dale, tha te paguajme! -Te paguajme, hic nuk paguajme. Ne nuk paguajme dritat, do paguajme gotat e rakise.

Mos e ler me kaq kete

Mos e ler me kaq kete shkrim.....coje ne fund kete qe ke nisur

Shume mire Mustafa. Me lejo

Shume mire Mustafa. Me lejo tani, pa i hequr asnje presje kesaj qe ke shkruar, ta ve para pasqyres dhe te zevendsoj 8 Dhjetorin me 29 Nentorin. E sheh simetrine???

Ka nje vjedhes te ngjarjes qe eshte koqekandaripsikopatoanaloshkerdhatokasap, ka nje turme qe merr pjese ne nje varrim, qe gjoja paraqitet si beteje historike, ka plot e perplot personazhe jetegjate qe mundohen te nxjerrin fotografi te vjetra (nganjehere te retushuara), ka librashkrues qe mundohen te argumentojne lavdine e pashuar akoma te atyre ngjarjeve historike etj. etj.

Edhe nje here te lumte o Muçi se me kete shkrim na vrave dy zogj me nje gur. Ja qe keshtu eshte historia e shqiptareve mbushur me koqekandarishkerdhatapiktoreanal-iste. Per fat te keq shumica e shqiptareve te gjore eshte mesuar ta haje sapunin per djathe, mjafton qe ta kete etiketen "Djathe" dhe sic e kam thene edhe here te tjera e kane care e vazhdojne ta cajne rrugen e mutit me luge ne dore e duke bere hosana per horrin e rradhes, doktor a piktor qofte.

Xhuxhumak, ishte thyerje e

Xhuxhumak,

ishte thyerje e dukshme kjo e Nanos, jo vetem kesaj radhe, por sidomos kesaj here,

pra le t'i gezoj tere falenderimet dhe tere pellembetrokitjet, por...

Ka nje kontradikte te madhe mu ne mes te argumentit: edhe kortezh, edhe asgje nuk ndryshoi

pra studentet moren pjese ne nje varrim, por ata qe ishin, po ata jane ne krye...(sipas vete Nanos kjo)

Atehere?

Pamja e Qytetit Studenti ato dite ishte e enderruar, prej bukurosheje qe sa-zgjuhej nga endrra prej gjumit te gjate...

Si mund te besh me faj ata qe s'dinn cfare ishte (ende) diktatura?!

Perdorimi i komunisteve dhe i te rekrutuarve, beri pis gjithcka, por nuk se arriti dot deri ne shpirtrat: Shqiperia ishte e

hapur nderkohe, as Berisha vete nuk e mbyllte dot, por ai kishte ne dore te mbante larg te burgosurit e vertete politike dhe

pjesen e interesuar prej Diaspores!

Ajo qe mungon ne analizat e sotme eshte se akoma vazhdojne te bjene me apo pa dashje ne "gabimin" e qellimte te Berishes:

E quajti Pluralizem per here te Pare, e quajti demokraci per here te pare, fshiu rezistencen deri ne humbje jetesh te klases

se permbysur antikomuniste...

Studentet kerkonin jete tjeter, hapje sa me te madhe, por qendrueshmerine demokracise do duhej t'ja jepte pjesa qe i kishte

bere rezistence komunizmit.

Tere kohen tjeter dhe me tere pergezimet, bashkohem, per M Nanon...

Mustafa, Ne se kjo qe ke
Mustafa,
Ne se kjo qe ke shkruar eshte vertet perroi i ndergjegjes tuaj-- perkthimi i vertet eshte rrjedhja e vetdijes-- atehere duhet te vizitoheni tek nje peshkatar i psiqikes, pasi ndergjegjen e paskeni vertet me pikepyetje te medha. Ti mund te mendosh ta mbash e te vesh kapakun mbi diçka, por perveç pisllekut e qelbit tend mendor e shpirteror qe e ndan pa pike problemi me lexuesit, ti nuk ben asgje tjeter te mire, sado qe disa te duartrokasin. Ka qene dikur ne qytetin studenti nje korçar, K. Lakrori, ndjese paste se vdiq shume i ri qe kur e fyu nje qe ai e pelqente, ia ktheu: "Ç'te them mor bir, te paskan bere mase truri i vogel me prapanicen, andaj te dalin mendimet keshtu te dhjera." Fatkeqesisht, z. Mustafa, ti nuk je K. Lakrori i ndjere.
Te lumte Muc!Ate regjim

Te lumte Muc!Ate regjim krimbi nga brenda e kishte brejtur,te tjerat jane pordhe me rigon.Dhjeroristet te na rojne sa te duan Ata!

Add new comment