Ne dhe fëmijët qe mezi presin të bëhen si NE

I keni vënë re pyetjet që iu bëjmë fëmijëve kur i takojmë për herë të parë? Sa vjeç je ti xhan? Ata tregojnë me gisht numrat që sapo kanë mësuar. Po çfarë do të bëhesh kur të rritesh? D-o-k-t-o-r, p-i-l-o-t, sh-k-e-n-c-ë-t-a-r! E nëse pyetja e parë do dukej jo e sjellshme drejtuar një të rrituri, për fëmijët na duket normale. Sepse ne gjithmonë fëmijërinë e kemi konsideruar një fazë kalimtare, thjesht një periudhë kur ti pret të rritesh, asgjë më shumë. E kështu ka qënë që në krye të herës. Në mesjetë, në ligjet e kohës, fëmijët pothuaj nuk ekzistojnë fare. Në kanun ata përmenden vetëm dy- tri herë, e kjo si shenjë përjashtimi nga pjesëmarrja në jetën publike ose politike të kohës (fëmijët nuk duhet…fëmijët nuk kanë…). Vetëm kur rriteshin pak (aq sa mund të mbanin një pushkë) lejoheshin të shkonin pas babait, ku të mësonin se si të bëheshin burra që do të mbronin familjen. Por këtë fat të daljes nga dera e shtëpisë e kishin vetëm djemtë, se vajzat duhet thjesht të prisnin për t’u bërë gra të dikujt, e pastaj të merreshin me punët e shtëpisë e të kujdeseshin për pastrim, larje, shpëlarje. E njëjta gjë edhe në komunizëm. Fëmijët i mësonin që në kopësht se si të recitonin vjersha për të rriturit, ata që çliruan, ndihmuan, ndërtuan atdheun, e që këta kur të rriteshin do të bënin po njësoj. Pak më të rriturit kishin ‘fatin’ që përveçse t’i dinin përmendsh këto citate edhe të fillonin t’i praktikonin ato në klube pionierësh ku ti kaliteshe për t’u bërë ushtari që nesër do të luftonte armikun, inxhinieri që do ndërtonte uzinat e atdheut ose bujku që do të punonte tokën për të ushqyer atdheun. Edhe lojërat e kohës pasqyronin pikërisht këtë mentalitet, luanim ‘shpiash, doktorash, bëheshim mësues, luftëtarë’, gjëra të rriturish.
Sot ndodh po e njëjta gjë, prindërit sigurohen me të gjitha mënyrat t’i bëjnë fëmijët e tyre të dinë sa më shumë. I lodhim me kurse të gjithëfarë lloji, matematikë, kompjuter, anglisht, se do të rriten nesër, e duhet të dinë që të kenë një jetë të mirë. Unë nuk besoj se ne që zgjohemi çdo ditë në 6.30 të mëngjesit për të shkuar në punë, jemi të lumtur që u rritëm. Të gjithë e mendojmë sikur të ishim edhe një herë fëmijë. Po jo nga ata fëmijë që mezi presin të rriten për atdheun, por fëmijë që të vrapojnë, luajnë, harrojnë, bëhen pis. Nuk do të nguteshim të rriteshim kaq shpejt po ta dinim atëherë se të jesh i rritur, nuk është dhe aq qejf sa e kishim menduar.
Në fakt kjo puna e fëmijëve ka qënë e tillë kudo. Fëmijët në të gjithë botën janë trajtuar si të rriturit e vegjël. Kudo në Europë në shekujt 18-19, fëmijët punësoheshin në fabrika, siguronin për familjen, mundoheshin. Vetëm në fund të shekullit të 20, studiues të shkencave sociale filluan të rikonsideronin qasjen që kishin pasur për fëmijërinë. Rezultoi se fëmijëria nuk ishte një përvojë universale, të ishe fëmijë nuk kishte të njëjtin kuptim në çdo vend të botës, në çdo kohë. Të jesh fëmijë në Amerikë nuk është njësoj si të jesh fëmijë në Kinë (ku zakonisht je fëmijë i vetëm). Po ashtu, të jesh fëmijë në “Bllok”, nuk është njësoj si të jesh fëmijë në Bulqizë. Por, në fakt ne sillemi sikur është njësoj, sikur të gjithë fëmijët, pavarësisht përvojave, aftësive, mundësive duhet thjesht të përgatiten për t’u bërë të rriturit e nesërm. Këtë thonë politikanët sa herë flasin për ta (dmth për veten): ‘T’i mësojmë ata me vlera sot që të kenë një të ardhme më të sigurt nesër! Fëmijët janë e ardhmja!’ Media bën po të njëjtën gjë. Organizon spektakle ku fëmijët vishen si të rritur, sillen si të rritur, bëjnë makiazh si të rritur e këndojnë (edhe pse 5 vjeç) këngë të tipit “When I was a little girl…”! Kur fëmijët flasin, pyesin, bëjnë batuta, ne qeshim, argëtohemi. Na duket sikur u rritën, sikur u bënë aq të zgjuar sa ne deshëm, na habisin fëmijët, se nuk e presim të jenë aq të zgjuar, aq të vegjël.
Por, nuk kanë faj fëmijët që mezi presin të rriten. Gjithçka dëgjojnë e shohin tregon se të jesh i rritur ke privilegje, të jesh fëmijë ke vetëm detyra. Filma për të rritur që nuk u lejohet t’i shikojnë. Emisione ku të rriturit ulërasin e bërtasin për shtatë palë qejfe në televizione kombëtare, ku i sheh gjithë bota, e ata nëse ngrenë pak zërin në shtëpinë e tyre: ‘pusho se të erdhi pëllëmba’. Programe, ku të rriturit pavarësisht aftësive dhe kontributit në jetën publike, bëhen të famshëm në një ditë, ndërsa ata duhet të rrinë dy orë mbi libra që të fitojnë një gjysmë orësh lojë, në rastin më të mirë. E fëmijët i duan të gjitha këto privilegjet e të rrituve, ndaj dhe duan të rriten.
Herën tjetër, kur të takoni një fëmijë, mos e pyesni se çfarë do të bëhet kur të rritet, pyeteni çfarë do të bëjë ai TANI! Dhe mos u habisni nga përgjigjet. Ne gjithmonë i kemi nënvlerësuar fëmijët. Ne të rriturit që mezi pritëm të bëheshim kështu si jemi.
Comments
Keep Writing Emiljanooo ;))

Keep Writing Emiljanooo ;)) Like te madh per artikullin

Shume e bukur, e vertete dhe

Shume e bukur, e vertete dhe e trishte te mendosh qe konvencionet nuk i lene femijet te zgjedhin vete gradualisht si te rriten por "fabrikojne" nje te "ardhme "ne kurriz te asaj qe Emiljano e quan TANI.Te gjithe ne na merr malli per shkujdesjen e atehershem dhe ate sensin e paperseritshem qe koha eshte infinit kur ishim femije, minimumi qe mund te bejme per femijet si te rritur eshte te mos ju japim modele boshe me por te jemi te vertete dhe te sinqerte me ta

Shume bukur! "Sepse ne

Shume bukur! "Sepse ne gjithmonë fëmijërinë e kemi konsideruar një fazë kalimtare, thjesht një periudhë kur ti pret të rritesh, asgjë më shumë", dhe jo vetem. Por edhe shume segmente tjera t'jetes qe i shohim/jetojme si faze kalimtare para se te gjejme nje pune, t'martohemi, t'kemi familje etc.

per me teper 1 Qershori eshte

per me teper 1 Qershori eshte dita kur te gjithe te rriturit e kane te justifikuar perdorimn e femijeve per dekor te interesave te tyre per tu dukur bukur e zemermedhenj...

Shkrim i bukur, i goditur dhe

Shkrim i bukur, i goditur dhe mjaft real. Eshte per te ardhur vertet keq sesi shpeshhere i anashkalojme apo i kalojme ne plan te dyte ata qe supozohen te jene e ardhmja. Ne fakt, femijet jane nje teme shume pak e diskutuar nga media e ndaj e komplimentoj autorin per tematiken qe ka zgjedhur te trajtoje. Kemi vertet nevoje per shkrime te tilla.

Add new comment