Tragjedia e Lecco-s në tre lexime

Postuar në 03 Prill, 2014 03:48
Çapajev Gjokutaj

Gati një muaj më parë një shqiptare, 37 vjeç, vrau në Lecco të Italisë tre të bijat 14, 10 dhe 3 vjeç. Kjo ngjarje e tmerruar, siç do të thoshte Noli, u bë objekt i ligjërimit tonë mediatik vetëm për një javë, pastaj pllakosi heshtja si për të vërtetuar se këtyre anëve çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë.

Duket se kjo tragjedi u pasqyrua më shumë si ngjarje private, që u përket një apo dy familjeve dhe u përcoll thuajse vetëm nga raportimet e kronikës së zezë. Ligjërimi ynë mediatik zgjodhi rrugën më të lehtë, paraqitjen e fakteve dhe të dinamikës së ngjarjes, kënaqi kështu kërshërinë e lexuesve dhe spektatorëve, por i la ata në rolin e sehirxhiut, në vend që t’i ftonte në diskutime e reflektime me interes shoqëror.

Tragjedia e Lecco-s është fatkeqësi e pangushëllueshme për familjet Dobrushi e Çopa, por në vazhdim nuk do të merremi me ngjarjen reale, thjesht do të përsiasim për pasqyrimin e saj mediatik.

1. Vrasja e fëmijëve nga nëna përbën mbase tharmin më aktiv për të ngjizur seriale lajmesh. Përzihen në këtë rast dy të kundërta brenda të njëjtit person, dy të kundërta që e përjashtojnë kategorikisht njëra-tjetrën: mëmësia që është burim i jetës shndërrohet në shkak vdekjeje. Është si të futësh brenda së njëjtës enë edhe zjarr edhe ujë; tensioni që krijohet shërben si burim sensacioni, rrënqethjeje dhe kërshërie. Çfarë do të donte më tepër lajmi për t’u bërë kryetitull?

Në këtë kontekst bëhet e kuptueshme pse mediat e mbuluan gjerë tragjedinë e Lecco-s, paçka se mbetën vetëm në kuadrin e kronikës. Tërheq vëmendjen sidomos një lloj empatie për nënën vrasëse, gjë që u mishërua edhe në shmangien e cilësimeve stigmatizuese, aq të hasura në raportime për krime rrënqethëse. Fare rrallë kronika përdori cilësime emotive si “nëna monstër”, “ngjarje horror” etj; reporterët dëshmuan qasje objektive, larg vlerësimeve emocionale, madje me një prirje të lehtë për ta parë nënën vrasëse jo vetëm si autore të krimit por edhe si viktimë të një vargu rrethanash.

Kronika e rindërtoi portretin e vrasëses si një femër që gati-gati gjithë qenien e saj e mbush me mëmësinë. Edhe kur merreshin dëshmi nga facebook-u, që është rrjet social dhe duhej të na e sillte kryesisht në rolin e shoqes, e pamë të na shfaqej vetëm si nënë e dhembshur që e shfaq hapur dashurinë dhe mirënjohjen për të bijat dhe rolin që ato luajnë në jetën e saj të trazuar. Edhe i shoqi dhe të afërm të tij, “pala e dëmtuar” sipas mentalitetit patriarkal, u cituan të artikulonin vetëm vlerësime që përmblidheshin në sintagmën “nënë e mirë”.

Mbitheksimi i rolit të nënës dhe lënia në hije e roleve të tjera sociale si fjala vjen bashkëshorte, femër, shoqe, besimtare etj., ka buruar si duket nga natyra e kronikës që priret të jetë tejet konçize dhe rrjedhimisht të seleksionojë me tendencë. Është kjo arsyeja pse thuhet që kronika nuk pasqyron por rindërton.

Gjithsesi paraqitja mediatike vetëm si nënë, madje si nënë e mirë, duket se është shkaku kryesor i empatisë që përcollën reporterët. Nëse do të bëhej fjalë për një nënë, që pat tërhequr vëmendjen edhe si femër nëpërmjet ekstravagancash, seksualitetit apo aferave dashurore, pas të gjitha gjasave media do ishte e prirur ta rindërtonte portretin e saj nën etiketën “nëna monstër”. Këtë e dëshmojnë dhjetëra raportime të mediave të huaja për raste të ngjashme.

Është e natyrshme që kronika krahas fakteve të përpiqet të zbulojë edhe motivet e krimit. Edhe në këtë aspekt ra në sy prirja për seleksionim tendencioz dhe thjeshtëzim. U mbitheksuan motivet racionale, kurse ato iracionale u lanë në hije. Kjo bëri që si shkak kryesor i krimit të artikuloheshin nevoja materiale dhe të shtyheshin në plan të dytë ato shpirtërore. Gjendja e varfër ekonomike, grindjet për një copë tokë në Rrashbull etj., u ofruan si shkaqet kryesore që rënduan gjendjen dhe sollën krimin. Divorci u pa kryesisht si burim shtrëngese financiare, kurse aborti si shkak për humbjen e punës.

Gjendja psikologjike, vetmia dhe depresioni u përmendën vetëm si faktorë periferikë. Hulumtimet kriminalogjike dëshmojnë se kur nëna vret fëmijët, prevalojnë shkaqe psikologjike e iracionale. Zbulimi i tyre nuk është detyrë e kronikës, as e reporterit. Për të hedhur dritë mbi këtë rrafsh, media i drejtohet ekspertit dhe kujdeset të lehtësojë komunikimin e tij me lexuesin dhe spektatorin masiv.

2. Leximi i ekspertit mungoi tërësisht në trajtimin mediatik të tragjedisë së Lecco-s. Pavarësisht ngjyrimeve individuale, thelbin e kësaj tragjedie e përbën dukuria që njihet me emrin filicide, dmth vrasja e fëmijës nga prindi, dukuri që nuk është aq e rrallë sa e kërkon logjika e gjërave.

“Shqiptarja vret fëmijët” ishte ndër frazat më acaruese të kronikës. Në fakt dukuria e vrasjes së fëmijës nuk karakterizon vetëm shqiptarët. Dy-tri ditë para tragjedisë së Lecco-s, opinioni italian ishte trazuar nga një akt i ngjajshëm, një 43-vjeçare nga Cozenca kishte vrarë po me thikë djalin e vet 11-vjeçar, sepse sa kish marrë vesh një aferë të të shoqit. Vështirë të thuash se sa dhe si është ndikuar shqiptarja e Lecco-s nga ky precedent dhe reagimi që ai ngjalli në mediat italiane, gjithsesi, ngjajshmëria mes dy vrasjeve është tejet e dukshme.

Statistikat thonë se në periudhën 1976-2007 në ShBA janë kryer 94.146 vrasje të llojit filicide, thënë ndryshe, çdo vit rreth tre mijë prindër kanë vrarë fëmijët e tyre. Shifra duket e pabesueshme, por e thotë një studim shkencor botuar në revistënForensic Science Internatonal. Po aty thuhet se vrasjet e fëmijëve nga baballarët janë pak më të shumta se ato që kryhen nga nënat, megjithatë publiku rezulton tejet i bindur se filicide-t mëmësore janë shumë më të shpeshta. Ky iluzion duket se është krijuar nga prirja e gjithë kulturave për ta parë nënën si burim të jetës dhe si antipod të vdekjes.

Filicide-t mëmësore dhe ato atërore ndryshojnë sidomos për nga motivet. Baballarët si rregull vrasin ngaqë kanë predispozita dhune, nga zemërimi, gjaknxehtësia, xhelozia për pushtet e vëmendje etj.; kurse nënat, ngaqë kanë çrregullime psikologjike. Këtu me sa duket i ka rrënjët stereotipi gjinor që u përket shumë kulturave dhe që në anglisht artikulohet me rimën: father bad, mother mad. Falë këtij stereotipi opinioni, media, madje jo rrallë edhe gjyqësori janë të prirur që babain vrasës ta çojnë në burg, kurse nënën në spital.

Duket se edhe në tragjedinë e Lecco-s rol vendimtar kanë luajtur motivet psikotike, që doemos janë ndezur e acaruar nga divorci, varfëria, pasiguria etj. Nëna vrasëse deklaroi se i vrau bijat për t’i shpëtuar nga prostituimi që, të paktën në mendjen e saj, ishte e ardhmja e tyre e vetme. Me gjasë kemi të bëjmë me një shfaqje tipike të altruistic filicide, rasti kur prindi vret fëmijën ngaqë beson se i bën mirë, e shpëton nga rreziqe të ardhme.

Të gjitha këto, shoqëruar me më shumë detaje dhe shumë më tepër kompetencë mund t’i kish thënë eksperti dhe media t’i përcillte. Jo aq për të na shuar kureshtjen, se sa për ta na bindur se duhet të jemi më të vëmendshëm për sëmundjet mendore. Kufiri mes normalit dhe anormalit nuk është aq i prerë dhe strikt sa e percepton mendja jonë, e mësuar ta shohë botën në ndarje të rrepta dikotomike.

3. Shpesh në mediat italiane dhe fare rrallë në ato shqiptare, tragjedia e Lecco-s u përqas me Medea-n e Euripidit. Si themel për të ndërtuar këtë bashkëshoqërim shërbeu perceptimi i vrasjes së fëmijëve si hakmarrje ndaj bashkëshortit.

Nuk ishte e rastit që kronika theksonte sidomos dy detaje: kur po binte nata e gjëmës, babai i vajzave kishte marrë tragetin për në Shqipëri, ku do të njoftonte divorcin me nënën e të bijave si dhe fejesën me një tjetër, më të re; pak orë më vonë, ndaj të gdhirë nëna e braktisur i kishte vrarë të bijat në vende të ndryshme të shtëpisë, por pastaj i kish sjellë të tria në shtratin bashkëshortor.

Ta lexosh Medea-n vetëm si hakmarrje për divorcin është njësoj si të orvatesh të futësh një titan në shtratin e Prokustit. Mbijetesa e kësaj tragjedie në shekuj dhe sidomos prirja për të krijuar versione pas versionesh, prirje që nis me Ovidin e Senekën dhe vjen deri te Pazolini, Mikis Theodorakis, Lars von Trier, Theo Van Gogh etj., burojnë nga fakti se kemi të bëjmë me një strukturë universale e cila në varësi të kohës dhe të lexuesit gjeneron vazhdimisht mesazhe të larmishme.

Në kohën tonë subjekti i Medea-s është shfrytëzuar për të shtjelluar problematika të larmishme, duke filluar nga teza të ndryshme feministe për vendin dhe rolin e gruas në shoqëri, për “luftën e sekseve”, për emigracionin, multikulturalizmin e duke përfunduar me atë që përbën tharmin e thuajse gjithë versioneve: raportet mes hakmarrjes dhe drejtësisë në një shoqëri të padrejtë.

Tragjedia e Lecco-s ishte ngjarje sa rrënqethëse aq edhe ngashënjyese për reflektim. Si e tillë mund të ishte shfrytëzuar për të trajtuar një apo më shumë nga këto problematika. Mbase më bashkëkohore do të ishte që në raste të tilla të fokusoheshim më shumë tek miti i mëmësisë me prirje për ta dekonstruktuar dhe zëvendësuar me praktikën sociale të prindërimit, që obligon reciprokisht edhe gruan edhe burrin në përpjekjet vetësakrifikuese për mirërritjen e fëmijëve.

Me mit mëmësie në këtë rast kuptojmë shumësinë e ligjërimeve për nënën, për misionin e saj fisnik, për dashurinë që fal dhe sakrificat që blaton në altarin e familjes. Ngjan sikur funksion i vetëm i këtij miti është sublimimi i nënës si shpërblimi shoqëror për gjithçka bën. Në fakt sublimon nënën, por vret gruan: duke absolutizuar rolin e nënës dhe të bashkëshortes miti i mëmësisë nuk lë hapësirë për rolin e gruas, shoqes, koleges, për njeriun dhe qytetaren. Mbase kishte të drejtë ajo frengia kur tha se fëmija është aleati më i mirë i dominimit mashkullor.

 

Mapo

Comments

Submitted by RP (not verified) on

<p>Lecco eshte nje qytet shume tolerant,prandaj kjo ngjarje beri pershtypje.Pastaj eshte qytet relativisht i pasur,pothuaj ne kufi me Zvicren,ku te thuash se motivet ishin varferia dhe mungesa e perspektives per jeten sikur nuk duan te pranohen nga shumica e banoreve te asaj zone,edhe pse kriza ekziston.Te mendosh se nena e kishte kaluar periudhen me te veshtire te rritjes se femijeve,ndoshta divorci i rendonte,por njeriu ne çaste te tilla gjen motive me te forta per te vazhduar jeten.Une mendoj se kushdo nga ne ka nje doze çmendurie,qe fale zotit dhe rrethanave arrijme qe ta frenojme dhe mundim.Kjo nene e ka pasur mbidoze dhe s&#39;arriti dot ta permbyste kete force shkaterruese.Mbetet gjithmone familja djepi kryesor i shoqerise,fatkeqesisht edhe vatra e fatkeqesive me te dritherueshme.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.