Orët e ujit

Postuar në 04 Mars, 2014 08:38
Besnik Tërpollari

Shikon orën me ngut nëna ime. Rreth orës dhjetë mbërrin zakonisht autoçisterna dhe ajo ka përgatitur tashmë bidonët plastikë gjashtëlitërsh, vendosur në rradhë si tragetet në radë. Unë i ble ujë të ambalazhuar, por ajo nuk e do. Pse? Natyrshëm që kushton…Ndërsa një bidon gjashtëlitërsh i mbushur nga autoçisterna që bredh qytetin e fshatin kushton dyqind lekë të vjetra. "Dhe është ujë Bogove", betohet ime ëmë, sikur të bëhet fjalë për ujë të marrë nga ajsbergët; dmth ujë i originës së botës përpara shfaqjes së Adamit këmbëzbathur, apo të mexhlisit shqiptar që ka për kryetare znj.Topalli. Në orën e caktuar, si tren zviceran, mbërrin kamionçina e vjetër, që i bie të shtatë borive, me triumfin e kujt evropizon me ritmin e tregut; të kujt evropizon me standarte perëndimore sipas…metodave tona. Autoboti mbushet me ujë në një çezmë të Urës Vajgurore, për t’i shitur ”ekstra” fshatit apo qytetit po atë ujë që u takon t’a kenë në rubinete. Janë shtuar autobotët me ritmin e “tubave”parametrorë të ministrive ekselente, që mbushin me rrugë, shkolla, shtylla korrenti, e tamam, me depo uji e çezma spotet në TV, të vënë në garë me reklamat e çamçakizave dhe patatinave…Të vret sytë ky realitet paradoksal, Shqipëria reale, që ka ujë pa hesap e prapë uji mungon. Tamam si në Afrikën subsahariane, ku Paradoksi i Bollëkut mbush faqet e kronikave të zeza me viktimat e përditshme të urisë. Gratë zbresin me rrokopujë shkallët, ndjekur nga zhurma e zymtë e bidonëve, sepse nxitojnë “boss"-ët e ujit, shitësat më efiçentë në botë. U mungojnë kollaret dhe çantat 24-orëshe për ti ngatërruar me emisarët e Veolias apo  Suezit, korporatave shumëkombëshe, por shpejt i thua vetes se ata nuk zbresin kaq poshtë.Mjaft që të organizojnë ndonjë "cocktail" në sallat me qira, e kur ti shohësh ulur kokë më kokë me ministra e parlamentarë, që vdesin të bëjnë dukje me të huajt, qofshin edhe matrapazë të rëndomtë – kjo një arsye me shumë për dukur. Në ballkon ime ëmë ka krijuar vitrinën e saj të bidonëve plastikë. Disa i ruan për qumështin, që ia sjell një e njohur, ndërsa të tjerat për ujin.Televizori djerset nga autostima qeveritare, ku Evropë, NATO dhe botë me pritje – përcjellje miqsh e të dashurish përtej kufijve eklipsojnë problemet e jetës së përditshme.”Me ne fitojnë të gjithë” ishte slogani i zgjedhjeve të majit ’96, mjaft për t'i kujtuar vetes se të gjithë paskemi fituar me”ata”, që edhe ujin e shpikur nga i Plotfuqishmi e cilësojnë veprën e tyre madhore, padronë të gjërave që i kemi e për të cilat duhet të lutemi të n'a i sjellin. Natyrisht duke n'a i premtuar...

Nëna sistemon bidonët në ballkon, e kënaqur që e plotësoi edhe një mungesë. Është mësuar me protokollin e mungesave dhe zgjidhja kështu e situatës i është bërë zakon mbijetese. Ajo asqë e mendon se ky zakon është një sakrificë. Fishkëllejnë sakaq tubat e ujit në mure, që me orare të dehura e dërgon enti i ujësjellësit por askush kujtohet se ujin e ka, sepse minimalisht nuk është i pijshëm. Vjen erë dhe ka ngjyrë të turbullt, njësoj prej njëzet vitesh e më shumë - po ky ujë, ndoshta më keq; e kush e mban mend?! Banorët paguajnë tarifën e ujësjellësit për një ujë që nuk pihet, gjithashtu blejnë edhe ujë të pijshëm “rifuxho”. Mashtrohen dy herë…Kush me shpjegon se përse kështu ”Me ne fitojnë të gjithë”?!

Kjo është këmbana e përditshme e jetës së kësaj zone; humbëse, poshtëruese, anormale. Nuk dihet nëse kanë filluar të lëvizin dinosaurët e biznesit të ujit dhe kanaleve të ujrave të zeza, të plehrave dhe depozitave të plehrave. Natyrisht që korporatat shumëkombëshe s’janë kuçedrat e eposit të kreshnikëve, por sjellin frikë njësoj si ato. Në emër të biznesit që gradualisht do t'a paguash shtrenjtë. Ndonjëherë i sjell FMN e ndonjëherë Banka Botërore e më shpesh dora vetë, Kombet e Bashkuara të atyre burokratëve që bëjnë mediatorët e biznesit të ujit, po ashtu siç bënin biznesin e naftës me Irakun e Sadamit, e dyshoj që i pari i shqiptarëve, vasali Berisha të ketë mëlçi që t’u thotë JO. Në mos, ai e quan këtë sukses planetar, si të gjitha sukseset e tij që kutërbojnë varfëri. Uji i pijshëm, e drejta themelore e Njeriut për mbijetesë është bërë realisht mall tregu, sidomos nën sytë e shqiponjës populiste të Berishës, kryeministër fjalimesh ...Uji kushton, por edhe kur paguhet, nuk bën t’a pish. Nuk pihet!

Sigurisht, për të n’a mësuar se ç’është uji i pijshëm do vijnë shumëkombëshet e ujit, të ndjella nga rritja e ”tubave” të parametrave ekonomikë, të ndjella nga interesi dhe qeveritë që vetëm shesin dhe që mburren mjerisht me artin e shitjes. Mburren me konçensionet. Nën fanfarën e liberizmit pa rregulla të lojës, ku shteti s’qënka zgjidhja por vetëm problemi, po djersijnë qeveritarët duke gjetur e shpikur nëpër  botë investitorë, të cilët shpesh u bëhen miq familjeje; qeveritarët tanë plangprishës, që kanë harruar të hanë bukë në mëngjesore apo të pijnë ujë në rubinet. Më kujtohet një artikull në njërën prej gazetave më të mëdha italiane, që publikonte një goxha projekt për transportin e ujit nga Syri i Kaltër në Pulja. Do kalonin tubat nën det, njësoj si lumi i Arkadisë në legjendë, një Mega(lo)projekt që i pëlqente Nanos,(antipodit të gjigantëve) dhe politikës sezonale të burimeve të rinovueshme, por që vuante nga një difekt i vogël aktualiteti. Nuk iu tha shtypit italian që familjet shqiptare vuajnë për ujë të pijshëm, e të importosh ujë nga i pauji shkon njësoj sikur të kërkosh miell nga i urituri. Por u bëhet shëndet qeveritarëve kur flitet për ta në Evropë e s’u morr njeri me shpjegime, e në fakt, s’u morr njeri me projektin, veç televizorit tonë që gjithmonë inaguron tallavitje madhështore. Parkimi i sektorit të ujësjellës - kanalizimeve në garazhin e pushteteve lokale nuk siguron që shërbimet do përmirësohen, madje, atyre do u mungojnë akoma më tepër fondet. Kuriozisht vendimet për të shpikur hidrocentrale në çdo pellg uji e ka qeveria; banorët e zonave e marrin vesh këtë veç kur bëhen inagurimet në televizor....Kur të shpiken hidrocentralet me shi, Berisha do jetë bërë shenjt; Poseidon me dy gishta në vendin e cfurkut tridhëmbësh.

Qeveritarët përmendin “axhustimin struktural”, ( kështu e quan FMN-ja copëzimin dhe shkurtimin e punonjësve) të KESH, për të rikujtuar një preçedent të suksesshëm. Mbikqyrësit tanë, që kudo kanë “këshilluar” privatizime, nuk besoj të kursejnë potencialin e ujit, të cilin tregu di t’a shesë pa vështirësi. Flitet se biznesi i të ardhmes do jete " ari blu ". S’është vetëm një rast që akuzon “pazare” të këtij lloji - të shëmtuara me ujin - që kanë për autor OKB-në dhe organizmat që derivojnë. E pastaj, nëse bëhen HEC-e përrua më përrua, si do bëjnë të mbërrijnë në det ujërat, që i duhen më shumë fushës sesa malit?

Në Pulja kanë nevojë për ujin e Syrit të Kaltër, por realisht atje nuk ka ujë me orar. Gratë me bidonat e ujit, nuk dinë nga politika e madhe dhe propaganda e inagurimeve; veç kuptojnë ama sesa larg është politika e televizorit...Sigurisht që s’e dinë pse një botilje “San Benedetto” në supermarketet e Tiranës kushton më lirë se në Verona ku prodhohet, apo pse një botilje me ujë”Levissima”e mbushur në Alpet italiane në kufi me Zvicrën kushton më pak në Tiranë sesa në dyqanin përballë stabilimentit italian ku prodhohet. Ndokush mund të flase me zell për triumfin e konkurencës e ndokush të fishkellejë arbitraritetin e çmimit predator, por një gjë është e qartë në fushën e Tregut: S’ka vëllezëri midis …”dy ujqërish dhe një qengji që votojnë se ç’do të hanë për drekë”- siç e përkufizon demokracinë Benjamin Franklin mbi dy shekuj më parë. Njerëzit e thjeshtë nuk shkojnë aq larg. S’i pyet kush, dhe ata, pasi lodhen, refuzojnë të ankohen. Në fushatën elektorale, kur vjen babagjyshi rrenacak me thesin e gënjeshtrave e me tam - tam-in e premtimeve e dosjet e gojëdhënave me viganë e shkurtanë, kur ti thua ujë ata të thonë rrugë, e kur ti thua rrugë ata të thonë peshk, e duhet të jesh komplet i leshtë të mos kuptosh që nuk kanë ardhur për ty dhe as kanë interes të të nxjerrin nga bataku. Në kambanën e parë të parlamentit, ata do të merren me politikë, me të bekuarën politikë që i bën heronj bulevardesh dhe kafenesh, dhe nga ky jerm do kujtohet t'i zgjojë kambana e fundit, që u thotë në vesh se duhet të bëjnë gati thesin tjetër të gënjeshtrave...

Gratë e pallateve kanë sistemuar tashmë ujin e blerë“me pazar të mirë”, e meqë janë kryesisht të papuna (pasi punësimi këtyre anëve është vetëm premtim), fillojnë me nge që t’a kthejnë ujin në botilje më të vogla…Për fat të keq, gratë, tek të cilat OKB-ja njeh serbatorin e pafund të zhvillimit të brezave, ato, njëra prej objektivave më ambiciozë të mijëvjeçarit, janë dënuar të merren me një rutinë mizerabël. Ato merren ende me ujin e bollshëm dhe që realisht u mungon, të padukshme në raportet sterile të Kombeve të Bashkuara; aq më keq të panjohura nga zyrtarët e kollarisur që mbysin me monotoni vendin e varfër të Bollëkut.                                                            

                                                                                                                                                        

 

 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Or Zoteri, po ty te paska mbetur ora, Berisha nuk eshte me Kryeminister dhe Zonja Topalli nuk eshte me kryetare e mexhlisit shqiptar. Ate problemin e ujit tani duhet te ta zgjidhin keta te Rilindjes. Kerkoja Edvinit, Ilirit, Peleshit etj.etj hajt babe se shume shpejt ka per te ardhur uji, madje edhe me shume se ke nevoje.....</p>

Submitted by bt (not verified) on

<p>e drejte,z./znj P.XH!Ky shkrim daton 2009,biles e kam derguar me daten ne fund.Por arsyeja pse e dergova eshte pikerisht kjo,sepse gjendja nuk ka ndryshuar.Ne fakt une s&#39;i drejtohem Berishes,Topallit,ne asnje rresht nuk ka thirrje drejtuar atyre,une i drejtohem publikut,vetes;jemi ne qe duhet ti tundim kembet çdo pushteti per te patur mundesine e disa kushteve elementare.&quot;Oret&quot;e zgjodha me dashje ne titull,ka dykuptime.Si ore qe nuk ndryshojne dhe si&quot;oret&quot;,ato qeniet mitologjike,ruajtese te natyres.Edhe &quot;mexhlis&quot;gjithashtu.Nese dikush ne Shqiperi pi ujin e rubinetit qe sjell enti i ujesjellesit te ngreje doren.Eshte nje realitet i tille para syve dhe e pabesueshme qe merremi ne forume me tere hallet e botes dhe kete gje bazike e nenvlehtesojme.Gjithe te mirat</p>

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>No hard feelings, bt. Problemi qe ti ngre eshte me se i drejte, puna eshte se ajo data 2009 qe thua ti nuk figuron gjekundi, prej ketej dhe reagimi im. Gjithashtu shendet.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.