Marrëdhënie në hulli evropiane

“Greqia është një pilot me përvojë në drejtimin e Komisionit të BE-së”, -theksoi në Athinë në ditën e marrjes nga Greqia të Presidencës së radhës së BE-së, Presidenti i këtij Komisioni, Barozo. Ai theksoi gjithashtu se Greqia “është përgatitur shumë mirë për këtë Presidencë dhe e vendosur për të patur sukses”. Kjo është presidenca e pestë e Greqisë në drejtimin e Komisionit të BE-së. Për të dhe për BE-në ka një simbolikë të veçantë. Greqia merr presidencën në kushtet e kapërcimit të krizës më të thellë të shtetit modern grek. Dhe e kapërcen atë në sajë të integritetit të vet evropian. Njëkohësisht konfirmon plotësisht veten si anëtar i denjë e me kontribute në BE. BE-ja nga ana e vet, në Presidencën greke sfidon plotësisht hipotezat e një viti më parë, se Unioni dhe monedha e vet e përbashkët janë në krizë të pakthyeshme. Greqia, me sakrificat e popullit grek (i cili pranoi rënien më të rëndë të nivelit të mirëqenies së vet që nga Lufta e Dytë Botërore), tregoi se është një popull e një shtet me vlera evropiane, me demokraci funksionale dhe aftësi për t’ia dalë çdo sfide që vë në rrezik vendin dhe të ardhmen e tij. Logoja greke për këtë presidencë është: “Evropa është aspirata jonë e përbashkët”. Me këtë logo Athina nuk shpreh thjesht aspiratën e vet në rrugën evropiane, kaq shumë të diskutuar kohët e fundit nga brenda e nga jashtë vendit, por shpreh edhe bindjen e saj se një BE e fortë ekonomikisht e politikisht, me solidaritet të pakushtëzuar midis shteteve të saj, përbën garanci për të ardhmen e popujve të BE-së dhe njëkohësisht, një ndihmesë e garanci për popujt e tjerë evropianë përreth saj, si edhe për stabilitetin, paqen e përparimin në mbarë botën. Pavarësisht se kalimi rotativ i presidencës evropiane është i shkurtër dhe ushtrohet brenda politikës së përhershme të Komisionit Evropian, secili shtet në kryesimin e vet, kërkon të japë individualitetin e tij, që i jep BE-së atë larmi konkurruese dhe shpërfillëse të rutinës dhe ngërçit. Në këtë këndvështrim, në paketën drejtuese të Greqisë bën përshtypje synimi i Presidencës greke për nxitje të kontakteve pozitive të qytetarit evropian me institucionin e Bashkimit Evropian, domethënia e të cilit është esenciale, pasi synon në nxitjen e pjesëmarrjes aktive të qytetarit evropian në proceset drejtuese, vendimmarrëse e integruese të vet BE-së; e që në fund të fundit lidhen me thellimin e demokracisë reale në shtetin e aspiruar multietnik evropian, pa të cilën ai do të jetë i pamundur. Ndër objektivat e tjera të Presidencës së saj, Greqia vë theksin edhe në administrimin e përgjithshëm të problemit të emigrimit të paligjshëm, të zhvillimit të politikave detare dhe bashkë me fuqizimin e përgjithshëm të Unionit edhe zgjerimin e tij. Në lidhje me këtë të fundit Barozo tha se: “zgjerimi viteve të fundit të Unionit lidhet sërish me drejtimin e presidencës nga Greqia”,- dhe kujtoi për këtë takimin e Selanikut të vitit 2003, takim i cili përcaktoi edhe strategjinë e re për zgjerimin me 15 shtete të reja në drejtim të Lindjes e Perëndimit evropian. Në këtë këndvështrim të politikës evropiane të Greqisë në krye të BE-së duket se gjen veten edhe politika zyrtare e Tiranës. Përsa i përket aspiratës së popullit shqiptar për anëtarësim në BE, me hap konkret, fitimin e statusit të vendit kandidat, Tirana e ka garancinë e plotë të Greqisë për mbështetje maksimale. Mesa duket qershori do të kurorëzojë një inkursion të gjatë mbështetës të Greqisë për rrugën evropiane të Shqipërisë. Kujtojmë se pavarësisht nga ulje-ngritjet në marrëdhëniet midis dy vendeve, Greqia në asnjë moment nuk iu referua problematikës negative në qëndrimet e veta evropiane ndaj Shqipërisë. Madje ajo, e bindur se rruga e përbashkët euroatlantike do të ndihmojë edhe në zgjidhjen dhe sheshimin e çdo problemi tjetër midis dy vendeve, u bë mbështetësi kryesor i aspiratave evropiane të shqiptarëve. Kujtojmë qëndrimin e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në KSBE (sot OSBE), pa rrenë akoma mirë sistemi komunist, kujtojmë përpjekjet e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, edhe pse Greqia kishte probleme thelbësore në lidhje me të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Po ashtu pa rezervë qe përkrahja e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO etj.. Pra Greqia, në këtë drejtim, ishte dhe është jo thjesht një partner i deklaruar i Shqipërisë, por edhe një punëtor i palodhur për arritjen e aspiratës evropiane të Shqipërisë. Në këtë qëndrim Greqia kishte edhe mirëkuptimin e plotë të minoritetit etnik grek në Shqipëri, i cili, me një emancipim politik të admirueshëm, asnjëherë nuk vuri respektimin e të drejtave të tij, para integrimit Euroatlantik të Shqipërisë. Kjo politikë e Greqisë ndaj Shqipërisë nuk përbën thjesht një unifikim të qëndrimeve të veta me atë të BE-së, por është mishërim i një tradite të lashtë, që lidhet me misionin ekumenik civilizues të Greqisë si shprehje e ekzistencës së vet. “Pa kontributin civilizues të Greqisë nuk do kishte civilizim të sotëm evropian”, tha Barozo në Athinë. Në kohët moderne Greqia alternoi ekumenizmin e vet tradicional, ose Helenizmin ekumenik, siç quhet ndryshe, me shtetin helen. Marrëdhëniet shekullore midis shqiptarëve e grekëve u përcaktuan pikërisht nga këto raporte e që kulmuan në shekullin e 19-të me përpjekjet për ngritjen e stimulimin e lëvizjeve kombëtare analoge, pavarësisht nga kohështrirja e ndryshme e tyre dhe me revolucionin grek të 1821. “Shqiptarizmi, ashtu siç ishte zhvilluar, mbetej shumë i lidhur me helenizmin”, - thotë balkanologia franceze N. Clayer. Kjo superstrukturë diakronike integruese në politikën greke, e përcaktuar nga tradita, e institucionalizuar në shtetin grek dhe të garantuar nga politika e BE-së dhe institucionet e tjera euroatlantike, përbëjnë aksin e politikës së jashtme të Greqisë. Në këtë kuptim ishte edhe deklarimi për “garantim të sigurisë evropiane”, i Kryeministrit grek Samaras, në momentin e marrjes së Presidencës së radhës. Këtij mentaliteti politik të Greqisë i janë përgjigjur me konsekuencë dhe këmbëngulje një plejadë e tërë, pjesë e ajkës së intelektualizmit dhe mendimit shqiptar dhe shprehet akoma qartë nga marrëdhëniet shumëplanëshe, pa rezerva dhe pa paragjykime që vendos populli shqiptar me atë grek, edhe pse të ndërgjegjshëm se interesat politike të dyanshme dhe të të tretëve bëhen shpesh pengues të vullnetit të tyre. E them këtë se kundërvënia ndaj këtij realiteti, (evropianizmi zyrtar grek si mentalitet dhe realitet dhe aspirata evropiane e popullit shqiptar) nga një nacionalizëm arkaik dhe inferior, është në dem të interesave të të dy vendeve, por veçanërisht të Shqipërisë. Me ndryshimin e qeverisjes në Shqipëri, Greqia tregoi se e ridimensionoi gatishmërinë e përgjegjshme, fqinjësore, historike e evropiane për marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë. (Domethënës është fakti se dërgoi në Tiranë arsenalin e vet diplomatik e politik më të lartë e më të mirëpritur në Shqipëri. Në Athinë zhvillon një vizitë zyrtare ministrja e Mbrojtjes me protokoll pritjeje të një kryetari shteti. Greqia hapi shumë kanale komunikimi për bashkëpunim shumëplanësh dhe për zgjidhjen madje dhe të problemeve praktike etj.). Gjithmonë në këtë prizëm, në angazhimet e qeverisë greke për Presidencën e vet, përfshihet edhe “zhvillimi i politikave detare”, që u përshëndet nga Barozo. Kjo do të thotë se Greqia do t’i rikthehet marrëveshjes së detit me Shqipërinë. Problemi mbetet se në kërkesat e veta Tirana do të ketë si pikë referimi ligjërimet nacionaliste, anët teknike dhe proceduriale të brendshme tona, sipas të cilave Gjykata Kushtetuese e quajti marrëveshjen të pavlefshme, apo politikat evropiane dhe interesin e përbashkët që rrjedh nga implementimi i saj. Pra, në kushtet kur Greqia, me këtë Presidencë, rikonfirmoi dhe konsolidoi pozitat dhe rolin e vet në BE, si anëtar i barabartë dhe i vlerësuar në kontributin e vet, do të ishte e gabuar që gatishmëria saj për marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë, në kuadrin e perspektivës evropiane të Shqipërisë, të provokojë frymën e njohur të dyshimit që imponon tradita negative nacionaliste në Shqipëri, pavarësisht se kuptohet se përkthehet edhe si antievropianizëm.
Nga Gazeta "Shekulli"
Comments
Na ndihmuan ne OSBE,por si

Na ndihmuan ne OSBE,por si kembim donin postin e kryepeshkopit,me pas erdhi "operacioni fshesa" pasi vrane dhe 2 ushtare te paarmatosur...,ne '97 pasi mediat tuaja ngriten terrenin,ishit bere gati dhe te pushtonit jugun,me justifikimin e mbrojtjes se disa pleqve,na ndihmuat ne integrimet euroatlantike por pasi moret lejen per ngritjen varrezave te "ushtarve greke"(nga ekzaminimi i eshtrave dolen qe ishin 70-80 vjec) apo mbasi ju dhurua 250km det... dhe keto jane vetem nje pjese e vogel e sinqeritetit tuaj!!

Greqia eshte i vetmi qe une njoh qe miqesine e sheh si placke... me jep qe te jap!

habitem se si ne shtypin

habitem se si ne shtypin internetor shqiptar, ''kali grek'' i trojes ka kaq shume vend dhe perparesi.

ky promovim i propagandes greke ne shqiperi nuk eshte dhe aq i pashpjegueshem ne fakt. ata kane patur ne dore te gjitha qeverite shqiptare mbas 90-s ,e jo me shtypin qe fare hapur punon per ate qe e paguan. po nuk ishe progrek nuk ta var as vodafoni,as amc-ja,as shoqeria e hapur e sorrosit.

interesant fakti qe i referohet z.clayer,te ciles i referohet dhe nje mos-shqiptardashes tjeter,zoti lubonja. kjo do te thote se pseudokozmopolitet shqiptare sherbejne si karrem per shovinistet ultranacionaliste greke e serbe.

Add new comment