Kush “e luan” këtu idiotin?

Postuar në 03 Nëntor, 2013 07:05
Halil Matoshi

P { margin-bottom: 0.08in; }

Nëse një shumicë e madhe e shqiptarëve ndihen të fyer nga Recep Tayyp Erdogan, që erdhi si kryeministër në Kosovë dhe u shndërrua në klerik në Prizren; nëse Rama i cilësoi idiotë ata që e kritikuan fjalimin e kryeministrit turk, dhe nëse Thaçi i shfrytëzoi ata të dytë rrastë për fushatë zgjedhore të partisë së tij, PDK, për ta rivotuar një kleptokrat të vogël në Prizren, kush po e luan këtu idiotin?

Turku, këta dy shqiptarët, që të tre bashkë, apo të gjithë ne!?

Fjalia e kryeministrit turk Recep Tayyp Erdogan se “Kosova është Turqi e Turqia Kosovë” që e tha “yeni turke” (turqishte e re, moderne) në Prizren, ka shkaktuar një zingjir reagimesh në një rreze të madhe gjeopolitike, që nga Prishtina, Tirana e Beogradi e deri në Ankara.

Në Kosovë kanë reaguar me zjarrmi shumë qytetarë e sidmos kleri katolik, (Ipeshkvia e Kosovës) e në Tiranë, kryeministri Edi Rama.

Ky madje me një dozë të rritur temperature i ka fyer të gjithë kritikët ndaj fjalimit të Erdoganit duke i cilësuar si idiotë...

Nga Prishtina, presidentja e vendit Atifete Jahjaga u ka dërguar një “selam” palëve të ivolvuara në “karnevalet e Prizrenit”, se Kosova është dhe mbetet Kosovë, atdhe i kosovarëve.

Tregimi prizrenas me “mbretër” e fanfare në mjegullnajë ballkanike, me idiotër dhe turma të trallisura nga kotësia, nën jehun e zurlave dhe kumbimin e tupanëve është thjesht një hile e kryeministrit Hashim Thaçi.

Shumë kosovarë që nuk e kuptuan hilen e kryeministrit të Kosovës, që e përdori këtë ceremoni për fushatë parazgjedhore (inaugurimit të një terminali të ndërtuar pa leje dhe nga teneqja dhe me variantin joshqip të Prishtinës në ballë – Pristina!?) vrapojnë të legjitimojnë apo të kundërshtojnë atë që e tha Erdogani, sipas këndvështrimeve fetare, politike dhe ideologjike, por kjo mesele nuk mori asnjë përgjigje meritore.

Pra, hileja konsiston në faktin se Thaçi s’njeh Zot dhe e vetmja ideologji e tij është pushteti personal, ndërsa Rama është ateist – dhe që të dytë janë gjetur në përqafimin e Erdoganit për t’i forcuar pozicionet e tyre brenda shoqërive përkatëse, kosovare dhe shqiptare.

Po ç’ka që reagon me aq drithërimë “vlada e Serbit” (Qeveria e Beogradit) në këtë rast?

Ankaraja zyrtare heshti krejt përderisa shtizat thyheshin vetëm brenda shoqërive paralele të Shqipërisë dhe Kosovës, porse ajo u bë e gjallë tek pas reagimit zyrtar të Beogradit. Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutogllu po thotë se fjalimi i shefit të tij është keqkuptuar, pasi që, sipas tij: “Turqia ruan distancën e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit”.

Kjo deklaratë në meseletë popullore i atribuohet vetëm ndonjë haxhipishmani!?.

Me demek, fjalë goje, sepse tash po del se Turqia mbaka distancë të barabartë si ndaj Serbisë ashtu edhe ndaj Kosovës!?

Ç‘është e vërteta, në kuptimin simbolik kjo fjali e kryeministrit Erdogan mund të interpretohet si ofertë për solidarësi e vëllazëri mes popujve, duke aluduar në faktin se në Turqi ekziston një pakicë e madhe (milionëshe) me origjinë ballkanike dhe kryesisht shqiptare nga Shqipëria e sotshme, Kosova, Maqedonia dhe Serbia e sotshme jugore, përfundimisht e integruar dhe lojale ndaj shtetit modern turk, kurse në Kosovë ekziston një pakicë simbolike me origjinë turke, mjaft mirë e integruar në shoqërinë e re kosovare.

Mirëpo, e zhveshur nga simbolika e përzierjes së popujve të dyndur, parulla “Kosova është Turqi” mund të shihet si konkurrente me parullën konstante serbe “Kosova është Serbi” dhe kjo, në të parë, i çon peshë serbët krenarë për të reaguar!?

Mirëpo, farkëtuesit e parullës “Kosova është Shqipëri” kësaj here sikur humbin në konkurrim!?

Reagimi që erdhi nga majat e shtetit serb kundër fjalisë së Erdoganit ishte i menduar mirë ndonëse agresiv. Tomislav Nikoliqi, president i Serbisë, madje e quajti “agresion pa armë” të Turqisë ndaj “Kosovës serbe”!?

Beogradi zyrtar nuk bën punë kalamajsh, megjithëse reagimet e tij shpesh duken acaruese, si fëmijët e halitshëm të secilës mëhallë ballkanike.

Porse, këtë herë Beogradi ndërtoi shpejt një strategji, të cilën pakkush, ose askush s’e kupton në mendësinë politike kosovare dhe përgjithësisht shqiptare.

Beogradi zyrtar është në dijeni se shteti euroaziat e ka njohur ndër të parët pavarësinë e Kosovës, pra për këtë shtet të fuqishëm Kosova që moti nuk është Serbi!

Po ashtu Qeveria në Beograd e di se Turqia ka marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe Kosovën, ku edhe i ka shtrirë fuqishëm investimet e saja.

Por Beogradi dëshiron ta harrojë ndoshta faktin se në Turqi jetojnë miliona njerëz që kanë origjinë shqiptare, të hershme ose të ditëve të Jugosllavisë së dominuar nga Serbia, të përzënë me dhunë të vazhdueshme nga pushtetet e Beogradit për më shumë se një shekull.

Dhe në këtë aspekt edhe Kosova është Turqi, gjithnjë në rrafshin simbolik.

Së këndejmi, zori i Serbisë nuk është se Erdogan ua ka mohuar pronësinë e pretenduar mbi Kosovën, por zori i politikës serbe (Nikoliq, Daçiq e Co) është që t’i shtyjë sa më shumë qytetarët shqiptarë dhe kosovarë që ta duan Turqinë dhe, eventualisht t’ia kthejnë shpinën Evropës!?

Inteligjenca serbe tashmë shumë gjatë e ka sprovuar taktikën e mesazhit të kundërt, krejt çka Beogradi lufton – shqiptarët pandehet që do ta duan më shumë!?.

Edhe kësaj here deri në një masë kjo taktikë serbe shkrepi, por jo në përmasat që të përqafohet Turqia si kompensim për BE-në, gjë që do ta bënte Serbinë të përgatitej për festë!?

Sidoqoftë, marrëdhëniet shumë të mira të shtetit të hapur dhe paqësor kosovar me Turqinë nuk ia lejojnë një zyrtari turk, në këtë rast kryeministrit Erdogan, (i cili nga sheshi “Taksim” mori porosi të qartë se ka rrëshqitur në diktaturë) që ta përkrahë mes fushatës zgjedhore një kandidat të inkriminuar për abuzim me pushtetin (duke tjetërsuar pronat publike) dhe i cili është  në mes të gjykimit.

Natyrisht kulmin e arriti me “vajzin” e tij prej kleriku islam, për t’i dhënë këtij karnavali të shkretë tone dhe ngjyra të faljes së xhenazeve!?.

Kryeministri turk, ndonëse këtë herë në rolin e një kleriku bëri mirë që ua përmendi dy kleptokratëve oligarkë ballkanikë që udhëheqin me dy vendet ndër më të mjerat në botë, se s’kanë me marrë asgjë me vete në botën e përtejme, pos dy metra qefin…

Pra, e mira e kësaj maskarade ishte se “Mulla” Taypp Erdogani ua përkujtoi atyre vdekjen!

E sa i përket Edi Ramës, nuk ishte as vendi e as kuvendi që ai ta legjitimonte një kinse festë të tillë në përkrahje të një kleptokrati si Hashim Thaçi dhe ta mbronte me pasion të nënshtruarish më pastaj klerikun e fundit në politikën postmoderne, kryeministrin turk Recep Tayyp Erdogan, duke i fyer kritikët e tij të jenë idiotë.

Ashiqare, Erdogan ua ka fyer ndjenjat shumë shqiptarëve – e kush e luan këtu idiotin?

Ata që kanë hyrë në këtë valle (dy kryeministrat e dy kombeve të leckosura), apo ata që e duan Evropën, para dhe mbi të gjitha!?

Kinse festa e konstruktuar në Prizren, për nevojat e tyre politike-personale të tre kinse burrështetasve ballkanas, nuk pati lidhje me ëndrrat dhe dëshirat e kosovarëve për prosperitet e anëtarësim në BE.

Kjo ishte vetëm “Maja e Icebergut” në dështimin e tyre në rrugën për në BE, prandaj ata nuk e përmendën Evropën as vlerat e përbashkëta, sepse e dinë se në çfarë stadiumi të shkretë mental, ekonomik e politik gjenden…

Lajmi i mirë për Kosovën do të ishte sikur të vinte dikush nga Brukseli zyrtar (nga Gjermania, Franca apo Italia) e të thoshte: “Kosova është BE dhe BE-ja Kosovë” – pas këtij lajmi do të justifikohej edhe pak dalldi me surle e tupana!

Mirëpo, në këtë rast ishte i pështirë fakti se në skenë po shfaqeshin tre qaramanë, që s’kanë takat për krijimin e mirëqenies dhe lumturisë për popujt e tyre sipas standardeve europerëndimore dhe pavetëdijshëm po thurnin ëndrra për ndonjë farë pandani të BE-së në rajon, që dikush ka qejf ta cilësojë si rikthimi neootoman.

Turqia ka probleme serioze me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ato civile, lirinë e shprehjes dhe shtypin e lirë (aktualisht dhjeta gazetarë janë akuzuar dhe dënuar për përgatitjen e një puçi) brenda shtetit, që shpërtheu në “Taksim”.

Kurse problemet e jashtme (dekada të tëra që pret në dyert e BE-së, që nga viti 1967) kanë të bëjnë me mospranimin e gjenocidit ndaj armenëve gjatë luftërave ballkanike, si dhe me njohjen e të drejtave të separatistëve kurdë.

Në këtë situatë konfuze ndërkombëtare, kur karshi Kosovës po shfaqen dy Evropa, ose një thikë me dy tehe, (mosnjohja e shtetit të ri nga pesë anëtare të BE-së), Thaçi e ka zgjedhur alternativën e tij që shpie në Evropë – nga Stambolli!?

E kjo s’do të ndodhë kurrë.

“Thellësia strategjike” është libri i Ahmet Davutogllu, aktualisht ministër i Jashtëm në Qeverinë turke.

Pikërisht ky libër influencoi rizgjimin e diplomacisë turke për ta reviduar historinë, duke u kthyer thellë në kohë për t’ia dhënë hakun Turqisë osmane për vlerat e saj civile dhe për të depërtuar po ashtu thellë në kohën e ardhshme, për ta arritur plotësinë gjeografike të kësaj Turqie famëmadhe. “Turqia përballet me përgjegjësinë për të formuar një tërësi të re e kuptimplotë mes thellësisë historike dhe thellësisë strategjike dhe për ta kaluar në jetë këtë tërësi brenda thellësisë gjeografike”. (“Thellësia strategjike”, fq.667)

Perandoria Otomane pos shumë pashallarëve e ushtarakëve e administratorëve njeh tre kryeministra me origjinë shqiptare, derisa më 1908 në hapësirat e banuara me shqiptarë kishte vetëm tri shkolla shqipe, kundrejt 300 në greqisht.

Në Voskopojë është e vërtetë se frymoi kultura, tregtia, arti dhe letërsia, porse shkolla e vitit 1710 ishte greqisht. Zhvillimi i arsimit dhe i kulturës në Voskopojë ndodhi nën ndikimin e lëvizjes iluministe të Evropës Perëndimore, sipas mendësisë së Voltaire, Rousseau , Diderot etj., mirëpo arbrit dhe gjuha e tyre nuk ishin gjëkundi në këtë qytetërim-sjellje osmane.

As Beteja e Kosovës (koalicioni i krishterë ballkanik, ku realisht shqiptarët ishin aktorë periferikë) e vitit 1389 dhe as luftërat skënderbegiane (vitet 1400) kundër ushtrive perandorake otomane nuk kanë ndonjë rol jetik, të matshëm, as në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve kosovarë, deri te rikthimi i tyre në mendësinë zyrtare gjatë Lidhjes së Prizrenit (1878), dhe hiç se hiç në motivimin e idesë së lirisë dhe shtetkrijimit të Kosovës.

Thjesht, gjatë Perandorisë Osmane nuk kanë ekzistuar kombet moderne, sikur që në kohën e Frashërlinjve nuk ka ekzistuar ideja e shtetit dhe e kombit kosovar.

Nisur nga ajo që u tha më lart, shqiptarët kosovarë nuk kanë pse të shqetësohen gjithaq me neootomanizmin, sepse historia e tyre shtetkrijuese dhe kombformuese është e re, dhe nuk përkon gjithaç me kontekstin perandorak, sa me atë të kombkrijimit jashtë kontekstit kolonial.

Historia e re e shtetit të Kosovës është histori e të drejtave të njeriut dhe e vlerave të përbashkëta evropiane, një komb i dalë nga konflikti (shpërbërja e dhunshme e Federatës jugosllave.)

Në anën tjetër, Erdogani asnjëherë nuk ka dashur ta çelë muhabetin me kosovarët për Traktati mes Mbretërisë SKS dhe Turqisë më 1938 për shpërnguljen e 40 mijë familjeve në Anadoll, për t’i shpronësuar ata, dhe së dyti as për Marrëveshjen xhentëlmenë mes Jugosllavisë së re të Titos dhe Turqisë pas Luftës së Dytë Botërore, që pasoi me shpërnguljen e dhunshme të 246 mijë qytetarëve (100 mijë kosovarëve) në Turqi, që nuk është suprimuar asnjëherë. (Shih: Malcolm “Kosova: Një histori e shkurtër”, fq. 336).

Kurrë s’ka kërkuar falje dhe kurrë nuk i është dridhur buza për shkatërrimin e aq shumë jetëve, për shkuljen e shqiptarëve nga trualli i të parëve, për t’ua shkatërruar kështu idenë e lirisë dhe shtetit, për dekada të tëra…

“Elementet si mbetje osmane në këto zona, për shkak të presioneve që ka lindur boshllëku gjeopolitik i dalë në shesh, janë orientuar drejt fushës qendrore osmane (Heartland) me boshtin Ballkan-Anadoll, që e shohin si fushë sigurie historike”, kështu e justifikon Davutogllu përgjegjësinë gjeokulturore dhe gjeopolitike të Republikës së Turqisë ndaj “jetimëve” të zonës, ndër të cilët, gjithnjë i ka në mendje edhe shqiptarët.

Neootomanizmi sot, oferton strategjikisht shqiptarët, duke qenë se ata janë me një shumicë domethënëse të besimit islam, e që në rrafshin gjeopolitik ndihen të vetmuar duke e perceptuar veten nën një rrethim armiqësor, (duke qenë kombe josllave), por që me çlirimin e Kosovës kjo ndjenjë nuk përkon me realitetin, sepse shqiptarët patën në krah në periudhat më kritike historike pikërisht kombet oksidentale.

Sado që disa shqiptarë zemërohen dhe mbesin të fyer kur serbët thonë se “Kosova është krahina jugore e Serbisë”, sado që disa shqiptarë tjerë ekzaltohen kur shqiptarët thonë se “Kosova është krahina veriore e Shqipëerisë” dhe sado që disa shqiptarë ‘të arkimodës më të re” lumturohen kur turqit thonë se “Kosova është Turqi”, kjo mësymje e ballkanasve mbi Kosovën e ka edhe anën e ndritshme të medaljonit: Po e rrit nacionalizmin etatist në Kosovë!

Ngase gjithnjë e më shumë kosovarë po e duan atdheun e tyre, Kosovën dhe kosovarizmin!?

Nga një studim empirik (Kombformimi simbolik në Evropën Juglindore”) që këtyre ditëve u publikua në Prishtinë, del se 32% nga 1513 respondentë e pranojnë kombin kosovar, ndërsa 82 % e kosovarëve janë luajalë dhe i dëshmojnë besnikëri shtetit kosovar, ndërkaq  besnikëria ndaj shtetit kosovar, matur nga 0-14, Kosova e ka këtë kuotë më të lartën në Ballkanin Perëndimor, me 6.94, përkundër Shqipërisë më 6.25, Serbisë me 5.17, Malit të Zi me 4.27, Maqedonisë me 5.54, Kroacisë me 5.57 dhe Bosnjës me 0.56.

Kjo anketë është dëshmia e parë shkencore se shteti i ka paraprinë krijimit të kombit dhe se kombi kosovar është tashmë një realitet.

Kosova është fatherlandi i atyre që pareshtur i japin dashuri.

Pra i kosovarëve!

Comments

Submitted by Askushi (not verified) on

<p>Mbreme, ketu ku jetoj une, ishte nata e diturise &ndash;&ldquo;Nacht des wissens&ldquo; Dhe mu kujtua im ate qe me kishte pyetur sa perpara nesh jane? Dhe une ju pergjigja se jane 100 vjet para! Kjo para 20 vjetesh. Sikur te ishte gjalle im ate dhe te me pyeste do ti thonja nje epoke: 1000 vjet para. Mbreme pashe dhe kuptova se si sekonda ndahet ne te miliarden pjese. Pashe dhe preka &ldquo;grimcen e zotit&ldquo; 40 metra nen toke pashe dhe preka te ardhmen. dhe me kane ngelur ne mendje ato shkencetare qe ishin vete urtesia njerzore qe i paraprijne njerzimit me diturine e tyre dhe ishin vete thjeshtesia. U mrekullova. Ne nuk jemi nje komb qe mund te presim te ndajne sekonden ne te miliarden pjese por ama dhjete fjale qe perdorin ne fjalorin e tyre te jene te ndergjegjshem per ate qe flasin jo vetem ne qe te mos na ofendojne, por as te mos na zemerojne dhe mos te na poshterojne duke gelltitur frustacionin e zemerimin tone se dhe pertypja e helmit ka nje kufi dhe pastaj cdo gje do te villet. Edi rama eshte nje psikopat me tjeter butafori e kod komunikimi. Kurse Thaci eshte nje fshatar qe do te ruaj statusin e fituar ashtu si e gjithe popullsia kosovare e shqiptare qe eshte rurale dhe nuk eshte e ndare. Ne kemi probleme akoma me kompozimin e shoqerise se pa definuar dhe te pa ndare dhe jo me te ndajme sekonden ne njemiliard pjese. Shkrimi me pelqeu po do te me kishte pelqyer me shume po te ishe marre me dy trapat shqiptare se sa me nje psikopat udheheqes te turqise. Nejse.</p>

Submitted by TJ (not verified) on

<p>A e di Matoshi, se Voskopoja ne ate kohe, nuk fliste shqip por gjuhenVllahe...!!??? Te shkruash artikuj te tille, eshte me pakta injorance &nbsp;bashkuar me idiotizem.Eshte si te marresh ilace me alkol.Lereni Ramen te beje politike si e kane ata,Partia Socialiste,programin.Mendje te ndryshkura apo keqdashese &nbsp;nuk kane aftesi te shkojne ne brendesi te mendjes se Rames.</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>obo bo doli prape ky i &#39;&#39;fatherlandit&#39;&#39; jugosllavo-kosovar!&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp; kam mendimin se matoshi do vdese nga marazi qe nuk realizoi endrren serbe per kombin &#39;&#39;kosovar&#39;&#39;.me idene e tij sa debile po dhe aq te rrezikshme per shqiptaret se shteti i paraprin kombit, i bie qe shqiptaret ne maqedoni jane maqedonas,te tjeret malazes,e serbe,me pare ishin jugosllave, e me pare akoma osmane.</p><p>e c&#39;mund te pretendonte me shume serbia nga nje jenicer ?</p>

Submitted by lucrezia borgia (not verified) on

<p>Sa per statistike ,kur i referoheni Malcolm beni mire t&#39;i hidhni nje sy (jo te hulumtoni se eshte teper e lodhshme per ju)edhe ndonje burimi arshivor per kete teme ose me e pakta te kerkoni nga shqiptaret e emigruar drejt Turqise ndonje kopje te formularit te plotesuar nga paraardhesit e tyre.Kam patur rastin te kem pare nje kopje te tille qe e posedonte nje shqiptar(JO KOSOVAR )nga Kacaniku dhe qe jeton ne Ankara brezi i trete dhe ku cudi me e madhe ishte pika 1-a kushti per origjinen turke ,ku te gjithe e vetembushen me deshire .Sa i perket per shifrat qe permendeni,nuk ja vlen fare te merresh me to.E kupton cdo te thote 40 000 familje shqiptare te shperngulura ne 1938 nga Kosova?.A e di sa ka qene popullesia e Kosoves ne kete periudhe dhe sa ka qene perqindja shqiptare e saj? A e di se ne censusin e vitit 1921 e gjithe popullsia e Kosoves ishte 439 000 ku shqiptaret ishin rreth 66% ose rreth 288 000,ne censusin e 1931 Kosova ka rreth 550 000 banore ku&nbsp; shqiptare jane rreth 331 000 dhe ne censusin e 1948 Kosova rreth&nbsp; 800 000 banore nga te cilet rreth 500 000 shqiptare.Kur te besh arithmetiken (jo mathematiken se eshte teper e rende per ty) e trendit demografik te Kosoves ne keto vite ,te jesh i sigurt se do te kesh gjetur jo rolin,por idiotin e vertet.</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.