“Nuk jam gjykatës, jam doktor”

Postuar në 07 Shtator, 2013 07:43
Dr.Adem Harxhi

Shtypi i datës 1 Gusht 2013, na njoftonte se shtatë mjekë janë zgjedhur të jenë Deputetë në Kuvendin e Ri të Shqipërisë. Ky njoftim më nguci të shkruaj këto rreshta. Shtatë doktorë në Kuvendin e Shqipërisë, që dyshoj se nuk do të ishin, po qe se populli do t’i zgjidhte vetë përfaqësuesit e tij në Kuvend. “Nënë Partia” i bëri ata doktorë, dhe po partitë i bënë ata deputetë. Popullit i mbetet t’u urojë jetë të gjatë, e sa më të begatë!!!!

Shtatë doktorë në Kuvendin e Ri të Shqipërisë!!! Kjo shifër më çuditi kur mendoj se në Senatin Amerikan, që nga viti 1938 nuk kishte asnjë doktor, derisa në vitin 1994 kur garoi dhe u zgjodh Senator Dr. William Frist nga Tenesi.

 

Kush ishte Dr. Frist?

Marr guximin të këto pak rreshta për Dr. Frist, jo për të bërë krahasime me deputetët tanë doktorë, se kjo nuk mund të imagjinohet, por me mendimin se ndonjëri prej tyre, mund të inspirohet dhe të reflektojë sado pak. Opinioni amerikan u çudit, kur mori vesh se Dr. Frist do të linte praktikën mjekësore, për t’u zgjedhur Senator. “Do të shërojmë Amerikën”, ishte përgjigja e Dr. Frist. E mbaj mend mirë, kur në vitin 1994 Dr. Frist, fitoi në garën për të qenë Senator i shtetit të Tenesit. Në ato zgjedhje Dr Frist, premtoi se nuk do të shërbente më shumë se dy terme në Senat, premtim që ai e respektoi. Në vitin 2006, duke qenë Lider i Mazhorancës në Senat, ai nuk garoi më dhe u kthye në mjekësi.

Më parë se të garonte për Senator të shtetit të tij, ai kërkoi leje nga spitali Vanderbilt ku punonte, që ta lejonin të mungonte në praktikën e tij mjekësore, gjatë kohës që ai do të mbaronte dy terme në Senat. Ai ishte dhe vazhdon të jetë, një nga mjekët më të mirë në botë për transplantacionet e zemrës. Njerëzit dhe pacientët e tij, asnjëherë, nuk e menduan atë si politikan, por si doktori që ka kryer më shumë se 150 transplantacione të zemrës, trasplantacione të mushkërive, transplantacione të zëmrës dhe mushkërive bashkë, transplantacione të zemrës tek fëmijët, që ka bërë bypase të panumërta, pa përmendur procedurat e tjera mjekësore të urgjencës. Edhe kur ishte Lideri i shumicës në Senat, një stetoskop ishte gjithnjë mbi tavolinën e tij të punës. Një mënyrë kjo për t’i kujtuar vetes dhe atyre me të cilët takohej, se ai nuk ka ndaluar së menduari dhe vepruari si doktor.

“Doktori”, ndjehet në çdo gjë që Dr. Frist thotë e bën. Ai thotë, se të jesh mjek do të thotë të kesh kërkesa të larta ndaj vetes.

Edhe pse me shkathtësi teknike të larta, që duhen për të kryer transplantacionet në zemër, Dr Bill Frist, kurrë nuk e vendosi veten në botën egocentrike të disa doktorëve, që edhe pse shumë prapa tij, përpiqen të “zgjaten “, për t’u dukur më joshësit në sallën e operacionit. Mendoni për Dr. Bill Frist, si për doktorin e lagjes, apo të qytetit, që vetë e keni parë, ose prindërit u kanë thënë, si vraponte shtëpi më shtëpi, natën vonë, me një stetoskop në qafë dhe me një çantë të zezë në dorë. Mendoni për doktorin, që me sjelljet e tij xhentile, ofronte shpresë tek i sëmuri. Edhe kur ishte Senator, ai, në dollapin e zyrës së tij në Senat, mbante një çantë të zezë të doktorit.

Senatori Frist, edhe pse konservator, në kundërshtim me kolegët e tij konservatorë në Senat, u bashkua me Demokratin Ted Kennedy për të pranuar legjislacionin që mbështeste kërkimet për stem-cells dhe rritjen e fondeve për programet e AIDS në Afrikë. Ai kishte miq në të dy krahët e Kongresit.

Bill Frist, vjen nga një linjë e gjatë doktorësh. Babai i tij, Thomas Frist, ishte një legjendë në Tenesi. Ai nuk kishte grada e tituj shkencorë, por ai ishte njëri nga doktorët më të respektuar të Nashvilit. Ai jetonte me një moral të lartë dhe kuptohet me kod etik të shquar. Këto ia përcolli edhe të birit.

Si kirug transplantacionesh, sukseset e tij ishin dhjetë pikë mbi mesataren e Amerikës. Kjo e vendosi programin e spitalit Vanderbilt, ku punon Dr. Frist, midis më të mirëve të Amerikës. Ky sukses nuk ia rriti mendjen. Gjatë gjithë jetës, ka preferuar të flasë vetëm përmes veprave. Kështu, sicc thotë ai, e mësoi babai i tij. Por ka edhe më. Si një kirurg kardiothoracik, i angazhuar në praktikën e transplantacioneve, pacientët, vazhdimisht, e kanë vlerësuar Fristin si Zotin. Por ai e ka refuzuar kategorikisht këtë trajtim. Shpesh, në zyrën e tij të doktorit, ai ka vizituar njerëz që kanë abuzuar keq me zemrën e tyre. Që e kanë sakatuar atë me alkoolin e duhanin e tepruar, me stilin e keq të jetës, me mungesën e ushtrimeve fizike dhe pa treguar asnjë kujdes për pompën e vlefshme, që u jep jetë. Dhe…. megjithatë, Dr. Bill Frist, do të përpiqej t’ua gjente atyre një zemër. Ai fluturonte gjithë natën, shpesh, duke e pilotuar vetë avionin, për të marrë një zemër diku në një shtet tjetër ku ka ndodhur një aksident, pastaj kthehej dhe po vetë, e vendoste zemrën në gjoksin e pacientit, që fare mirë mund të abuzonte edhe me zemrën e re, siç kishte abuzuar me të parën. Ai thoshte : Unë nuk jam gjykatës, unë jam një doktor, një doktor që kam bërë betimin të ndihmoj të sëmurët. Bill Frist është një besimtar i palodhur i idesë: Me çdo veprim të tij, mjeku, duhet të afirmojë jetën.

Pavarësisht mjeshtërisë së tij të lartë dhe sukseseve të mëdha, Bill Frist mbeti një doktor me këmbë në tokë. Gjatë të dy termeve si Senator, ai udhëtoi në çdo cep të Tenesit dhe organizonte “Listening Toën Meetings”. Në këto mitingje ai prekte, vërtet, pulsin e zgjedhësve të vet ( nuk bënte shoë elektoral). Përpara se të zgjidhej Lider i Maxhorancës në Senat, ai në mënyrë rutine e kalonte një pjesë të kohës duke parë pacientë, në një klinikë falas në D.C. , në ndonjë klinikë shkolle, ose në ndonjë spital rural në Tenesi. Ai kurrë nuk ishte larg çantës së mjekut, shkruante rregullisht, shkonte në kishë dhe pilotonte aeroplanin, sepse i pëlqente ndjenja e arratisjes.<br />

Mundet që kjo mënyrë të jetuari, ka të bëjë me trajnimin e tij për transplantacionet, ose diçka që ka të bëjë me gjenet të dhëna nga babai. Por, pavarësisht nga e ka burimin ky stil jete, një gjë është për të theksuar, kurdo që ritmi rritej e bëhej hektik, kurdo që rritej presioni, Dr. Bill Frist, përjetonte më të mirën e tij. Ai lulëzonte në konditat më të këqia.

Kur e pyesin se pse e la mjekësinë për t’u bërë Senator, ai përgjigjet, “ Në të vërtetë kurrë nuk e kam lënë…..Senator jam me ditë, mjek jam gjithë jetën” (By day, I’m U.S. Senator, by life I’m a physician “) Dhe tani, kur ai gjen kohë për dy javë pushime, ai fluturon në Sudanin e shkatërruar nga lufta. I është dashur të operojë në kushtet më të vështira të mundshme, shpesh me elektrik dore. Natën vonë, kthehej në çadrën e tij. Bënte dush nën një kovë me ujë që varret në një pemë dhe nën dritën e një feneri vriste mushkonjat dhe mizat tse-tse.

Ai dëgjon dhe vlerëson gjithkënd, që nga pastruesi që fshin dyshemenë, tek infermierja në sallën e operacionit, tek anëtari më i ulët i stafit që shkruan një raport legjislativ, tek kolegët senatorë. Njerëzit që e kanë takuar e përshkruajnë Bill Frist si një burrë që dëgjon, që është i interesuar për ata dhe jetët e tyre. Personi i fundit për të cilin ai flet, është vetia.

Nga të dy krahët e Kongresit, Bill Frist, është parë si personi që mund të ndërtojë konsensusin dhe të udhëheqë. Stili i tij i lidërshipit, sipas përcaktimit që ai vetë bën, është shumë i thjeshtë: ”Përcakto misionin, dhe të jesh i aftë ta shkruash atë në një copë letër, në një fjali të vetme.” Frist, si një kirurg për transplantin e zemrës dhe si lider i maxhorancës në Senat, ishte shumë i fokusuar, i disiplinuar, pa nonsense dhe kurrë nuk i ka munguar guximi të udhëheqë. Dr. Frist, thotë, “Fusha e mjekësisë që nxjerr zemrat jashtë dhe i fut ato brenda, nuk është për njerëz timidë”.

Ai pak shqetësohet për titujt dhe pozicionet. Ai është fokusuar në një gjë: të diagnostikojë nevojat individuale dhe mbarë shoqërore, të përshkruajë barin e duhur, dhe të udhëheqë ekipin e bekuar në operacionin që synon të fillojë shërimin. Sot, salla e tij e operacionit është U.S dhe pacienti i tij populli Amerikan. (Uroj ta bëjnë këtë edhe doktorët tanë deputetë).

Mos mendoni, se pasi u bë senator Bill Frist, harroi se ishte një mjek, sic ndodh me deputetët tanë. Kjo nuk ndodhi kurrë. Janë të shumta rastet që ai ka dhënë ndihmën e tij, kudo ku është ndodhur.

 

Doktori, doktorët dhe 21 janari

Unë zgjodha,vetëm, një grimcë domethënëse nga jeta e këtij mjeku Senator: Ishte duke punuar në zyrën e tij, në 24 Korrik të vitit 1998, kur i thanë se shumë të shtëna armësh ishin dëgjuar të vinin nga shkallët e Capitol Bilding. Dr. Frist, menjëherë, telefonoi zyrën e doktorit, të cilët i thanë se dy njerëz janë qëlluar nga një njeri i armatosur. Doktori vrapoi jashtë zyrës së tij, drejt Capitolit, ku shpejt, mësoi se ishin katër viktima, jo dy. Ai u përkul mbi burrin e parë, ishte Oficeri J.J. Chestnut, që e kishin qëlluar fatalisht në kokë. Billi monitoroi zemrën e oficerit Chestnut, e transportoi atë me barelë dhe kur Chestnut ndërpreu frymëmarrjen, doktori filloi resutacionin cardio- pulmonar (CPR) brenda autoambulancës,. Ndihma e parë mjekësore mbriti dhe ata e morën oficerin. Dr. Frist ngjiti shkallët e Capitolit dhe bëri kujdes për një tjetër të plagosur, të cilin Billi nuk e njihte. Ai ishte i dyshuari për krimin. Për Billin kjo nuk kishte rëndësi. Ai i tha medias më vonë: “Unë jam trajnuar të bëj kujdes për pacientin. Unë nuk jam gjykatës, unë nuk jam gjyqi, unë jam mjeku.”. Dr. Billi Frist qëndroi me kriminelin e plagosur. Ai mbajti zemrën dhe mushkëritë e kriminelit në punë, deri sa erdhi ndihma e shpejtë nga D.C. General Hospital dhe e dorëzoi të sëmurin tek doktori i urgjencës.

Shumë herë e kam sjellë nëpër mend këtë moment sublim të Senatorit dhe doktorit William Frist, veçanërisht, pas ngjarjeve tragjike të 21 Janarit, kur katër veta u ekzekutuan para Kryeministrisë. Për fatin e tyre të keq, brenda Kryeministrisë nuk kishte një doktor Frist, që t’u thoshte “mos qëlloni!” ekzekutorëve dhe të vraponte të ndihmonte viktimat!

 

*Marrë nga gazeta DITA

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Artikull kryeveper.Ne kryeministri nuk pati nje doktor ,por nje zombie.</p>

Submitted by Anila Anonim (not verified) on

Mirenjohje te pafund per ju Dr . Harxhi . Shkrim I goditur Jo vetem per doktoret deputete por per te gjithe ne mjeket shqiptare . Edhe pse s' patem fatin te kemi nje model ala Bill Frist duhet ta gjejme ate aty ku ekziston . Sot globalizmi megjithe problemeve na ka zgjeruar njohjen . Ju falenderoj pa fund per mesazhet qe na percillni . Njeriu ku do qofte mund te kontriboje per te Miren e vendit te tij . Urimet me te Mira per ju

Submitted by Agimi, Detroit,... (not verified) on

<p>I nderuar doktor,</p><p>Artikulli i juaj qe nga 11.000 km larg duket qe eshte 98% perkthim .</p><p>Vetem 2% jane origjinale te juajat dhe ato jane vetem 6 rreshtat e para dhe 4 rreshtat e fundit.</p>

Submitted by Lolita (not verified) on

Doktor, je njeri i madh! Artikulli godet ne shenje. Doktori yne s'ishte vecse nje perbindesh qe mbronte vetem interesat e veta personale. Populli diti ti jape shuplaken ne fytyre, me ne fund! Vox populi, vox Dei! Zeri i popullit, zeri i Zotit! Te lumte pena e mendja!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.