Egjipti: revolucion dhe rishtas revolucion

Postuar në 07 Korrik, 2013 03:44

Egjipti apo Misiri, siç i thonin dikur, ne shqiptarëve nuk mund të na zgjojë veçse kujtime të mira. Atje lindën e vepruen shoqnina të shumta patriotike përgjatë gjithë ‘800 dhe fillimeve të ‘900 e me to janë të lidhun emnat e patriotëve të kulluem si Thimi Mitko, Thoma Krei, Ilo Avramushi, Spiro Risto Dine, Ismajl Haki beu, Milo Duçi, Thoma Avrami, Thanas Tashko e padyshim edhe poetët Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka e shumë atdhetarë të tjerë. Ishin kohna kur anmiqtë e Shqipnisë, vetë shqiptarët renegatë, ishin shtrue kambëkryq e si parazitë të mirëfilltë thithnin gjithçka të mirë pa i dhanë kurrgja atdheut të tyne, ndërsa atdhetarët punonin e jetonin jashtë, paradoksalisht edhe në vetë kryeqytetin e Perandorisë otomane si vëllaznit Frashëri.

Kur kujtoj Misirin më vijnë ndër mend vargjet e Çajupit i cili prej vilës së tij në Heliopolis shihte fushat e pamata, ranën, shkretinën, vapën, e në krah tjetër më kujtohet bashkëqytetari im, poeti Filip Shiroka që ia besonte dallëndysheve besnike amanetet e tija për Shkodrën e vet.

Misirin m’a sjellin ndër mend edhe rreshtat e shkruem me thekuní zemret prej poetit Lazër Shantoja gjatë nji vizite të tijën në mars të vitit 1940 pranë kolonisë së atjeshme shqiptare. Asokohe Shantoja kishte mbërrijtë me njohtë plakun fisnik të “kollonisë”, Mihal Spiro Xhaxhën prej Bregut, i cili i rrëfente për kapedanët e famshëm të vendlindjes së tij, i këndonte kangët e moçme e i shpaloste nji atdhedashuni të pastër, që vetëm nji njeri që e dëshiron vend e tij mundet me ruejt.

Ndoshta Shantoja ka lanë përkufizimin ma origjinal të Misirit, tue e quejtë: “Vendi me shtëpia baltet e me vorreza gurit”, pra vendi ku njerzit kanë mendue ma fort për amshimin se për jetën e përditshme. Po ai, tue folë për palmat e për devet, shkruen: “Dekorata të pandërrueshme të shkretís… Devet, këto gunga kodrinash qi lëvizin me hapin e amshimit… e palmat, minaret e blerta të nji xhamije qi nuk ka mbarim”. Sot kolonija shqiptare në Misir nuk asht ma, nipat e Mihal Spiro Xhaxhës apo mbasardhësit e teqes së famshme të Baba Sirriut të Glinës nga Leskoviku nuk gjinden kund në ato kande dikur të paqta që ruenin nji copëz Shqipnijet të paprekun. Kohnat kanë ndrrue e Egjipti po përballet me sfida të reja.

Sot Egjipti lufton mes dy mundësive, asaj që do t’ia frenonte zhvillimin dhe do ta kthente në Mesjetë dhe asaj që do ta afronte me Europën e do t’ia hapte rrugën e përparimit të atij populli fisnik.

Para nji viti populli egjiptian me nji ndjeshmëni ku e ku ma të naltë se ne shqiptarët, që mburremi ma së shumti me përralla dushkut, zboi nji politikan të korruptuem deri në palcë si Hosni Mobaraku dhe qe gati tue e gëzue fitoren e shumëpritun po të mos ia vidhte në çastet e fundit pjesa ma e mbrapambetun e vendit, ajo që predikon unjisimin e politikës me besimin, që mohon të drejtat e grave dhe pakicave fetare, që e ndrydhë rininë, që urren Perëndimin dhe progresin shoqnor.

Kaloi nji vit dhe egjiptianët e squet vendosën me e zhbî diktatorin e ri e të korruptuem Mohamed Morsi dhe para pak ditësh forcat e armatosuna egjiptiane, që janë nji ndër pjesët ma të emancipueme të atij shteti e arrestuen Morsin dhe po përpiqen me e çue vendin drejt zgjedhjesh të reja demokratike. 22 milion firma qytetarësh egjiptian, ma se dyfishi i votave që kishte marrë Morsi, shtynë ushtrinë me e heqë presidentin dhe me i dhanë shpresë vendit. Kjo asht vullnesa e sovranit, para saj përkulen edhe vetë armët.

Vetëm Erdogani çoi zanin tue protestue haptas për heqjen e Morsit. Duket se motorat e tankeve egjiptiane që mbrojnë liritë themelore nuk duhet të kenë pasë jehonë të mirë në Ankara!

Kohnat kanë ndryshue e shumë vende arabe po tregojnë se shtysa kryesore që i lëviz asht ajo që kërkon shekullarizimin e shoqnisë dhe hapjen e saj ndaj lirive të individit. Irani, Turqia, Egjipti po e tregojnë se nuk duen me qenë të drejtuem prej politikanësh që përdorin religjionin për interesat e tyne të ngushta. Asht e vërtetë se korrupsioni i regjimeve të maparshme, kufizimi i lirive dhe nevoja për ndryshim dikund dikund kanë favorizue fraksionet islamike radikale, por tre vendet e nalpërmenduna janë simptomatike. Për ato popuj ndryshimi i vërtetë nuk asht kthimi apo mbetja nën sundimin e regjimeve me nuanca të forta fetare e teokratike, që tentojnë me shkatrrue laicitetin e shtetit aty ku ekziston dhe nuk e lejojnë aty ku nuk asht. Padyshim që nji erë e re e panjohun po fryn edhe në Lindjen arabe, e ketë gja e kanë kuptue të parët ata që ushqejnë terrorin, por s’kanë kuptue se as terrori nuk mundet me e ndalë historinë në Mesjetë.

Shekullarizimi e ban punën e vet, me sa duket edhe prej pamjeve të fundit të Egjiptit, nën hixhabet e zeza po rritet nji ndërgjegje e re që nuk duron kufizimin e lirive dhe mohimin e të drejtave elementare.

E gjithë kjo ndodh disa paralele poshtë nesh, prandaj tingllojnë donkishoteske dhe regresiste përpjekjet e atyne që duen me shti në Kosovë e në Maqedoni shamia, mjekra e simbole të mirëfillta politike që nuk kanë asgja të përbashkët me islamin tonë europian. Edhe ma të mangëta janë arsyetimet e atyne si A. Kurti, që nga motiv shpreset asht kthye në faktor shkatrrimtar, me ambiguitetin e tij dhe me idetë mbrapshtane që mbron.

Koha do ta bajnë të vetën, asgja që nuk i ban ballë sfidës së lirisë së individit nuk i mbijeton asaj, ketë provë Perëndimi e ka kalue në tre shekujt e fundit, tash e ka rradhën Orienti, me shpresën e vokët që të mos humbin përjetsisht magjia e deveve, oazeve, aromave dhe e mikpritjes tradicionale të atyne popujve të vjetër!

Mapo

Comments

Submitted by Ndrec, Egjipti ... (not verified) on

Nuk asht revolucion ky, Ndrec

as ai i meparshmi s'ishte revolucion...

asht dicka qe ty s'ta mban suma ta dish e as ta thuash...!

Por kur sheh theksimet e tua, te vjen te te thuash: Asht thonjte e Religjioneve,

qe s'duhen lene te s'gjaten, se marrin jete viktimash...

Te marrim vesh se ti nga deshira e mire nisesh, i ben thirrje Egjiptit

te behet sa me europian, por Egjipti asht ne Afrike, o Nrec...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.