Barin ose lekët

Në një klasifikim të mundshëm të lajmeve që na përcillen së fundi, ai më pak i rëndësishmi është për dënimin me më shumë se 5 vjet burg të një studenteje që u gjet me disa gramë kanabis në xhep. Me të njëjtën masë dënimi, për disa gramë bar më pak, u dënua dhe një DJ (dixhej) nga Tirana. Për më tepër lajmi u konsiderua i rëndësishëm se muzikanti i natës nuk ishte lajmëruar në asnjë nga seancat gjyqësore ku vendosej fati i jetës së tij për të paktën 1825 ditë ose dhe netët në vazhdim. Po kujt i duhet realisht jeta e disa të droguarve? Morali i pastër i predikuar për të rinjtë më lart, çuditërisht përkon dhe me vlerësimin e gabuar të situatave të caktuara, si në jetën publike, si në gjykatat e rrethit. Gjykatësit janë njerëz, që në fakt duke lejuar shkelje procedurale në këtë formë, humbasin de facto të drejtën të jenë gjykatës.
Absurde po të mendosh se dy të rinj do humbasin 10 vjet të jetës së tyre për një kapërcim të lehtë të ligjit. Dhe në vazhdim nuk do të bëj krahasime se kush dënohet dhe si dënohet nga drejtësia shqiptare. Do të ishte e drejtë, por nuk do ta bëj këtë herë. Mungesa e moralit është e pamatshme derisa nuk kemi shifra që na tregojnë realisht pushtetin e korrupsionit në gjykatat e këtij vendi. Ndërkohë që shumë më e matshme është kostoja e mbajtjes së një të dënuari nga shteti në një vit. Vetëm shifrat mund të na ndihmojnë me objektivitet në këto kushte.
Në Shqipëri aktualisht ka 5131 persona që vuajnë dënimin e tyre në burgje. Buxheti për këto çështje është 4.371.280.000 lekë nga të cilat, 364.160.175 janë shpenzime për ushqim, 9.300.000 lekë janë shpenzime shëndetësore, 20.720.000 lekë për materiale gazermimi, 708.260.000 lekë shpenzime të tjera operative (zë ky ndër të tjera shumë i paqartë për aktivitetet), 12.174.685 lekë shpenzime mirëmbajtjeje dhe 2.562.125.000 lekë paga e shpërblime.
Një i burgosur në Shqipëri kushton pra 8 milionë e kusur lekë të reja në vit, ose 71.000 lekë të reja në muaj. Në Itali kjo kosto është e përafërt me 400 euro në muaj, përfshirë dhe pagesën që i jepet të burgosurit për punën e kryer gjatë dënimit. Në kushtet kur një i ri që dënohet për disa gramë më shumë bar, vuan deri në 5 vjet burgim, apo një person që ka vjedhur një celular, ose ushqim për pulat kushton të paktën 4.259.675 lekë (sa vlera e ndërtimit të dy apartamenteve), plani për të blerë disa zjarrfikëse më shumë s’më duket i tepërt.
Debati për legalizimin e marihuanës është çuditërisht i vështirë në Shqipëri. Nga njëra anë qëndron morali që mban në këmbë dhe ligjin. Nga ana tjetër sasia tejet e madhe e përdoruesve, qoftë dhe për nje herë të vetme, çon në absurd qëndresën ndaj një diskutimi të hapur publik. Rrezikon apo jo Shqipëria të kalojë në një mjet pa frena nëse liberalizohet kanabis sativa? Ndoshta problemi më i madh është tek prodhuesit, të cilët do të hiqnin të zinjtë e ullirit (bimë për bimë) duke tentuar të licensoheshin, kontrolloheshin dhe në fund të taksoheshin. Kjo anë negative për grosistët e prodhimit do të ishte vërtetë një pengesë për të çuar në një debat të sinqertë. Frika më e madhe e tyre duhet të jetë dhe nëse shteti ynë që ka shitur e privatizuar gjithçka, për të shpëtuar veten nga kolapsi ekonomik, mund të kërkonte monopolin e prodhimit dhe të shitjes për një sërë vitesh. Vështirësia për të patur një shtet i cili i del zot vetes në vendime të vështira, e kthen diskutimin për heqjen e monopolist të një prodhimi X nga mafja tek shteti në një luftë me mullinjtë e tymit të hashashit. Të këndshëm si proçes, por krejt qesharak dhe të pavlerë.
Në kushtet kur një debat mbi legalizmin e marihuanës është i vështirë të fitohet, të paktën mund të bëjmë llogaritë me xhepin e secilit. Me sasinë e lekëve të dy të burgosurve të fundit për shembull, që shkon në afër 100 milionë lekë, bashkitë mund të ndërtonin ndërtesa disa katëshe që do të sillnin zgjidhje për shumë familje që u nxorrën me dhunë nga shtëpitë e ish pronarëve. Bob Marley si duket ka patur dhe mesazhe ekonomike në këngët e tij. Ky zbulim nuk pengon që ta dëgjojmë me më pak vëmendje këngëtarin, pavarësisht rutinës së mërzitshme që karakterizon ekonomistët. Ky zbulim tregon thjesht se ekonomistët s’po bëjnë punën e tyre. Ndoshta duke e kthyer në një kundravajtje penale konsumimin e një cigareje hashash; duke përcaktuar si dënim parësor punën prodhuese në komunitet do t’ia dilnim të kursenim parà dhe disa jetë qytetarësh të parrezikshëm deri më sot. Ndërkohë që në rast se përfundojnë në burg, prej nga dalin pas 5 vjetësh, gjasat janë se do të jenë shumë të lodhur e të konsumuar si njerëz. Dhe e gjitha kjo se nuk dimë të përballemi me atë që quajmë moral, siparin që fsheh fitimet kolosale të krimit dhe mafjes.
Revista KLAN
Comments
Debati për legalizimin e

Debati për legalizimin e marihuanës është çuditërisht i vështirë në Shqipëri.

Andi, ky debat eshte i veshtire kudo, prandaj nuk ka asnje cudi. une vete nuk jam i sigurt se duhet lejuar, sepse sic ka treguar eksperienca cdo lloj lejimi ka cuar ne rritje te konsumimit. E njejta gje edhe per alkholin. e njejta gje edhe per droga me te renda sic eshte rasti i cekise - qe te fut ne mendime, kur sheh se segmente te medha te brezit te jane te droguar (jo vetem me marihuane, por droga te renda).

Este teme e veshtire, sepes nga nje ane kemi individin, qe pladon per te drejten e tij per te qene e per t'u trajtuar si rritur, e nga ana tjeter shtetin qe duke restriktuar keto te drejta praktikish merr rolin e babait autoritar. Ec e gjeje ekuilibrin - nuk e kane gjetur akoma shtete ku demokracia dhe te drejtat e njeriut jane stabilizuar shume mire.

Por jam ne nje mendje me ty: qe eshte absurde te denosh kaq ashper per disa grame marihuane te rinj, duke i kriminalizuar e ndryshuar komplet jeten. Ligji ketu e kapercen nje arsyetim njerezor te shendetshem. Duhet bere dicka qe kjo te pakten te ndryshohet.

Besoj se pikerisht ky moment

Besoj se pikerisht ky moment prag-zgjedhjesh duhet shfrytezuar per ti kerkuar klases politike dekriminalizimin per perdoruesit e marijuanes. Ne nje shoqeri si kjo jona qe ka si mengjes tradicional kafe & konjak nuk do jete çudi qe debati per marijuanen te jete me i lehte se ne vende te tjera. Nese presim qe shoqeria te jete gati per debat, kam frike se s'do ndodhe kurre, merrni rastin e LGBT-se, pamvaresisht se shoqeria jone nuk ishte gati u prodhua nje debat qe mori permasa te paparashikuara besoj dhe nga vete perfaqesuesit LGBT, dhe mire u be. Personalisht e pa pike dyshimi besoj qe perdoruesit e marijuanes te jane komunitet me i madh se LGBT-ja.

Nje popull i droguar me politike deri ne orverdoze ka nevoje te kurohet me "bar".

Add new comment