Një ese për vetëzhbërjen

Shqiptari ushqehet si turku, italiani; vishet si amerikani, francezi; shkruan e reflekton si gjermani, anglezi; beson si arabi, hebreu; dashuron si beduini dhe italiani; vetëm politikën e bën si donë vetë: për interesin personal, të fisit, klanit dhe të gjakut!
Shqiptarët nuk janë as etërit e as trashëgimtarët e ndonjë ideologjie, religjioni apo koncepti frymor që mund të lokalizohej brenda pluralitetit të botëkuptimeve që përbëjnë të ashtuquajturën kulturë universale të humanitetit. Gjithçka që janë ose pretendojnë të jenë e kanë të huazuar: krishterimin, humanizmin, myslimanizmin, ateizmin, demokracinë, komunizmin, nacionalizmin, kulturën e shprehjes intelektuale, kulturore, artistike, politike e kështu deri te moda e kuzhina. Në çdo moment vetëdijesimi me këtë realitet atyre sikur u ther veshi nga ulërima e Horacit: O imitatores, servum pecus! (Epistulae.1,19). Mirëpo kur u bie ndërmend se shumica e të mjerëve të globit kanë fatin identik, të atillë siç i pagëzon qortueshëm Horaci; imitues dhe të skllavëruar (ideologjish të huaja), gëzohen që gjetën recetën e vetëngushëllimit. Mllefin e mbetur në shpirt, poshtërimin e shkarkojnë mbi gjithë ata që nëpër histori ua kanë zënë me dashje apo pa të, diellin.
Diagnozën e shtruar lartë mbi momentin e vetëdijesimit, megjithatë nuk e shpallim dot silex generalis të shoqërive shqiptare, janë minoritarët e elitës, të cilët herë pas herë monologojnë mbi këtë realitet të identitetit të tyre: Do prej tyre lehtësohen për shkak shkundjes së përgjegjësive historike nga vetja (nuk kanë shpik asgjë që u ka dëmtuar tjerëve) e pjesa dërrmuese e kësaj pakice depresionohet (me vetakuzën; «sa të parëndësishëm që jemi në konkurrencën e dijes mondane»).
Saherë që në mendimin intelektual identifikojmë këto dy gjendje – lehtësimin apo depresionin – se ç’na mundon përshtypja sikur reflektimet të kenë përherë për bazë dukuri singulare e jo tërësinë, domethënë ato kanë për pikënisje rezonimi kryesisht vetëm njërën apo tjetrën pjesë të identitetit të njeriut postmodern shqiptar. Nuk marrin parasysh komplet habitus-in e subjektit që hulumtojnë. E se habitusi i këtij njeriu postmodern nuk mund të përshkruhet vetëm duke bastisur eshtrat e gjyshërve të tij, por më shumë duke –siç kërkon Hannah Arendt me të drejtë – analizuar «se si vepron ai në përditshmërinë e tij kur është aktiv» e di ndërkohë çdo gjimnazist i zgjuar (Arendt. Vita activa, 1960).
Elementet e identitetit aktual shqiptar
Religjionet: Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve janë të besimit islam. Atij religjioni të krijuar nga arabi Mohammed i fisit Quraisch të Mekës (sot Arabia saudite) diku në mes të viteve 610-620. Poashtu një komunitet në rishumim janë edhe ata të besimit të krishterë (të të gjitha varianteve), besimit të themeluar nga predikuesi shëtitës hebrenj Jeshua nga Nazareti dhe i përhapur në shekullin e parë të erës sonë nga trashëguesit e tij. Veçanërisht akademikët (pjesa me shkollim të lartë), njerëzit e kulturës dhe shumica e të arsimuarve me qëndrimet e tyre (a)religjioze (ateistë, shekullarë, racionalistë, gnostikë, antroposofë, manistë [sakralizimi i primatëve, heronjve, gjenezës], humanistë, etj.) kanë atomizuar religjionet klasike duke i detyruar në rolin e pakicave pa fuqinë e hegjemonitetit.
Kultura: Jo kotë kritikët letrarë Gjergj Fishtën e piedestalojnë si «Homeri shqiptar». Ky kualifikim krahasues është i nxitur nga fakti se si për nga forma ashtu edhe nga metoda «Lahuta e Malcisë» është kopje e «Iliadës» apo «Odisesë» së Homerit, epe të shkruara në greqishten e vjetër. Ashtu siç janë homeriadat (850 para e.s.) kopje të gilgameshianës (1800 para e.s.) dhe vedave (1500 – 1300 para e.s.) hinduiste.
Deri më tani ende nuk kemi zbuluar ndonjë artefakt apo dokument të lashtë e të sotëm që do të mundeshim çekanshëm ta vulosnim me signaturën «made in» shqiptare. Po multiplikuam rastin e Fishtës do kemi listën e plotë të të gjithë autorëve të gjallë dhe të vdekur shqiptarë. Që edhe shqiptari dikur vonë të niste të shkruante i duhej formimi me alfabetin dhe literaturën e tjerëve. Nëpërmjet literaturave krijojmë shenjat tona, kapitalin intelektual, të cilin – nëse besojmë Augustinin dhe Umberto Eco-n – e përçojmë poashtu nëpërmjet shenjave në kokën e tjerëve. Në fund matematika e argumenteve thotë se: vetëm akti i përçimit del i pastër, shqip, ndërsa origjina e shumicës së dijes (intelektuale) dhe përvojës s’qenka e shtëpisë, apo? Duhet të dëshpërohen shqiptarët pse qenka kështu. Assesi! Përkundrazi. Duhet të gëzohen që nuk janë viktimë vetëm e autogolave të tyre. Çka ata duhet ta mësojnë mirë është të dinë zgjuar ta bëjnë seleksionimin mundësisht sa më kualitativ e racional të asaj që iu ofrohet.
Pikërisht falë kësaj gëlltitjeje vullnetare të imponimeve intelektuale eksterne shqiptarët bashkëbisedojnë pa u skuqur, në nivel të syve, pa u turpëruar me botën e qytetëruar, asaj suprasfere që operon me bagazhin e të ashtuquajturës kulturë universale (konglomerat fragmentesh dijeje me origjinë nga gjithandej e nga çdokush). Në këtë formë ai edhe komunikueshëm përçon vetitë e tij specifike tek të tjerët.
Politika: Që nga përmbysja e perandorive (sidomos asaj osmane) e këtej, për bazë funksionimi sociopolitik shqiptarët e kanë përdorur ideologjinë (më shumë si ide dhe më pak si program i materializuar) e nacionalizmit patriarkal. Asaj ideologjie pra, që rezultoi si pjellë e Revolucionit Francez të sovranitetit të popujve. Po në stilin e gjermanëve të tipit Johann Gottfried Herder dhe Johann Gottlieb Fichte, ose atij italian Giuseppe Mazzini (doktrina – modele prijëse) e gjithë të tjerëve lartë, përreth e poshtë edhe intelektualët shqiptarë të shekullit 19 përveshën krahët për fabrikimin e miteve, legalizimin e gjuhës, përpilimin e historisë dhe konfigurimin e identitetit të popullit shqiptar. Në praktikë ky proces u bllokua deri atë ditë kur komentatori i RTP-së Llukman Halili zëtrumbetues shpalli të vdekur monizmin me fjalinë legjendare «Perandoria e kuqe ra!».
Etnonacionalistët kanë të drejtë kur ngulin këmbë se falë kësaj ideologjie – vullnetit për ta finalizuar projektin nacional – shqiptarët emocionalisht e psiqikisht nuk u çetnizuan dhe nuk u tjetërsuan nga joshjet e doktrinës qiell- e tokëpremtuese të gjermanit nga Trieri Karl Marks e as nga dominimi real politik i gjeorgjiasit Josef Wissarionowitsch Stalin. Kur kemi parasysh konvertimin aq automatik të shumicës së elitave shqiptare nga komunizmi në nacionalizëm, gjatë fillimit të viteve të 90-ta, detyrueshëm se i bindemi kësaj teze.
Se pse sot kur shoqëritë shqiptare aq me frenetizëm e fanatikisht e kanë përqafuar idenë dhe sistemin e demokracisë liberale ende mbeten etnonacionalistë të spikatur i ka «fajet» politika që përbën shtetin, pra opozita, pozita, partitë. Ato faktorë përgjegjës që aktualisht e fatkeqësisht janë, siç i quan megaliberali francez (me prejardhje hebreje) Raymond Aron «embrionet e vetëshkatërrimit të demokracisë liberale» (Aron. Demokracia dhe totalitarizmi, Gallimard,1965, Fq. 119).
Përmbledhtas: Shqiptarët besojnë në religjione që i kanë themeluar arabët (po si ata edhe numërojnë), hebrenjtë, indët; besojnë në filozofira që i kanë formuluar të lashtët, gjermanët, francezët, amerikanët. Shqiptarët shkruajnë dhe reflektojnë sipas modeleve të gjetura në Uruk, Athinë, Paris, Trier e gjetiu. Shqiptarët e Maqedonisë hanë si turqit dhe egjiptianët, ata të Kosovës sapo kanë pasuruar kuzhinën me specialitete perëndimi, ata të Shqipërisë hanë çka gjejnë tokës e detit. Nuk ka studime se si dashurohen shqiptarët, mirëpo thonë se kryesisht dominojnë praktikat hajdutërishte si ato nëpër çadrat beduineske, ndërsa për nga intensiteti dhe ulërimat krahasohen me italianët (temperamenti).
Ndoshta këtu mund të lokalizojmë edhe arsyen se pse shqiptarët ( si shumicë dhe kur s’janë festat kombëtare) në thelb e thellësi janë më tolerantë (së paku për dallim nga komshinjtë) dhe zemërgjere ndaj të tjerëve. Freud duket se kishte të drejtë rreth pushtetit të pavetëdijes në veprimin social të njerëzve, pushtet që tek shqiptarët si duket paska madje më shumë ndikim se vetëdija (e instrumentalizuar). Për të mirë. Kjo si kapital në konto të kulturës, elitave dhe pse jo edhe të masave.
Ndërmjet nacionalizmit dhe liberalizmit
Jorrallë, sidomos nga historianë të huaj, lëshohet pyetja: Me gjithë këtë diversitet, në segmente të caktuara edhe konfliktuoz, çka i ka mbajtur shqiptarët megjithatë gjithmonë bashkë? Pikërisht kjo; diversiteti tepër fragmentar i ka detyruar elitat e tyre që të përvetësojnë një ideologji të karakterit kulmëbërës, përbashkues siç është nacionalizmi. Deri me shpalljen edhe të Kosovës shtet kjo ideologji ishte e nevojshme dhe pragmatike. Tash ajo kështu siç dominon – si politikë zyrtare operimi e interaksioni me masat -është vetëdemoluese për shoqëritë shqiptare. Kjo për arsye se nacionalizmi i bazuar në rrënjë, gjuhë e gjak, konsiderohet kontraproduktiv sa për tu përdorur si doktrinë shteti dhe se demokracia liberale kërkon implementimin e pakusht të të drejtave dhe lirive të njeriut, pra atij modeli shoqëror që filozofi i majtë francez Étienne Balibar në veprën e tij të fundit e definoi si «égaliberté» (La proposition de l’égaliberté. Puf. Paris 2010) e që shqip mund të formulohet në imperativin «pa barazi nuk ka liri». Barazi për të gjithë pa dallim race, mendje, gjaku, religjioni, gjuhe e gjyshërish. Model që në fakt është po aq i vyeshëm për shqiptarët si dikur etnonacionalizmi, sepse ofron një kulm edhe për nevojat brendashqiptare, sepse aktualisht është forma e vetme organizative që garanton stabilitet brenda diversitetit me potencial konflikti. Dallimi esencial ndërmjet dy modeleve: përderisa nacionalizmi etnik kërkonte shpirtin, frymën dhe zemrën në funksion të kauzës (ideali i lirisë kombëtare), demokracia liberale donë veprimin konkret arendt-ian, racional sipas kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, respektivisht shumicës që garanton égaliberté-n edhe për pakicat. Model që shqiptarët si shumicë edhe e kërkojnë (hyrja në BE etj.). Ku qëndron atëherë problemi? Pse shqiptari me qenien e tij aq mimikry-ke dhe konformiste në përvetësimin e të mirave të «huaja«- siç dëshmuam më lartë – e ka kaq problem që edhe politikën ta emancipojë si tjerët, madje si miqtë e dëshmuar të tij, ata dashamirë të tij që edhe e bën faktor dyshtetësh në kontinent?
E për ta shpjeguar këtë duhet t’iu kthehemi «embrioneve të vetëshkatërrimit» të Raymond Aron-it.
Demokracia dhe diversiteti
Demokracia, për dallim nga sistemet tjera politike, përmban më së tepërmi farat e vetëshkatërrimit në vete – kështu thotë Raymond Aron në veprën e tij “Les guerres en châines” (Gallimard, Paris 1951, f. 318 Shq. Lufta permanente). Elementet që Aron i sheh si vetëshkatërruese për çdo demokraci liberale janë: Opozita që braktis parlamentin, përjashton sistemin ekzistues dhe bën lojën rrugëve duke sugjeruar se zgjidhja e vetme është përmbysja e dhunshme e klasës sunduese, pra dëbimi i të korruptuarve nëpërmjet revolucionit (po aty); Pozita e cila defaktorizon partitë tjera dhe lobet sociale duke i përjashtuar nga vendimmarrjet esenciale për vendin; Popullimi i burokracisë administrative me sivëllezër ideologjikë dhe në baza nepotiste, që çon në diskriminime masive të profesioneve (Demokracia dhe totalitarizmi, Fq. 119); Privilegjimi apo diskriminimi i grupeve të caktuara religjioze, sociale për kalkulime elektorale nga partia në pushtet (Lufta permanente, fq. 335); «Kultura» e rivaliteteve partiake në disfavor të institucioneve të shtetit (policisë, gjyqësisë, etj.) dhe; Legjitimimi i korrupsionit si formë efikase, e natyrshme (nuk e shporrim me ka krejt dot) e ekonomisë së tregut (Fq.119).
Këto janë embrionet kryesore raymondiane, të cilat zhbëjnë demokracinë liberale. Cila prej këtyre defekteve iu mungon shoqërive shqiptare? Po themi se gjitha këto përfundime logjike që i radhit filozofi kryesor i liberalizmit aktual janë logjike dhe i dinë të gjithë. I dinë sepse i përjetojnë përditë. Atëherë le të dihet se si e përshkruan ai edhe procesin, manifestimin final të kësaj zhbërjeje: Qytetarët që kanë humbur besimin tek sistemi kërkojnë alternativa tjera. Religjionet, doktrinat kuazirevolucionare, sektet, lokalizmat, etnitë dhe grupe të llojllojshme shfrytëzojnë vakumin, mungesën e shtetit për të krijuar principatat e tyre të sundimit. Diversiteti, nga pasuria kulturore shndërrohet në dramë apokaliptike të vendit. Pasi rikthimi në sistemet pararendëse (komunizmi) është i pamundur, thotë Aron, – masat nuk do ripranonin kurrë një sistem të tillë – atëherë mbetet detyrë e organizatave supranacionale për hir të paqes apo interesave te momentit ta stabilizojnë hapësirën problematike. Si? Déjà-vu? Si do të kishin vepruar supranacionalët që ende e kanë njërën këmbë brenda territoreve shqiptare? Pyetje për analizë!
Ndoshta është momenti i fundit, kur shqiptarët të vendosin jo vetëm të hanë, flejnë, defilojnë e këndojnë por edhe politikën ta bëjnë si të tjerët, si miqtë.
*Autori ka lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat dhe së fundi Historinë dhe Filozofinë në Universitetin e Freiburgut (Zvicër). Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore. Jeton në Bernë.
Comments
O z.Xhemal, kemi perpara
<p> O z.Xhemal, kemi perpara shqiperine si model. Dhe zotnia jote ka nxjerre ngjyrat dhe, kerkon ta vizatoje/pikturoje. Nrregull. Po problemi eshte se zotnia jote, nuk udhehiqet nga modeli, dhe nuk e ka te saktesuar me syte e mendjes e te mbaruar si ta modeloje modelin, si te jete ne rezonance me modelin, si te jete ne frekuence me modelin, si te shkrihet me modelin, si te kete nje puls e tension me modelin, dhe a e di pse; se nuk je orgjinal. Nuk ke nje stil tendin, nuk ke arritur te profilizosh ate qe ne galeri, tabllone e tende ta njohin edhe kur nuk ka emer, si atyre qe i njohin “doren“ e stilin. Xhemali vuan dhe torturohet per te ta nxjerre perfekte tablone dhe huazon nje mori stilesh qe, jo vetem ne kohe nuk shkojne, po dhe si materje nuk takojne me njera tjetren. Perdor karbonin aty ku duhet te ishit plot sfumature(i bute) dhe i shkrire ne harmoni me prespektiven. Godet me ngjyra te forta ne plane qe nuk takojne ne ate qe jane te pa rendesishem. detajon ne skrupolozitet kotesira qe nuk kthehen ne simbol Le gjurme me ndergjegje ne fraktura penelatash duke e vrashdesuar tablone aty ku ka nevoje per qetesi. Ndricon aty ku eshte e domosdoshme hija. Sperkat me energji per ti dhene ekspresivitet tablose, E tjer e tjer. E lexova shkrimin dhe reaksioni i menjehershem dhe i sinqerte eshte pergjigjja e menjehershme (nuk e di ku e kam lexuar.) Shkrimi ka energji dhe dinamizem, ka levizje. Po qe te jem i vetvetja: mua me duket shkrimi juaj si nje arkitekture ku ne anen lindore ka stil gotik, ne anen perindimore ka stil rrokoko, ne ane jugore ka stil bauhuas dhe ne anen veriore ka stilin tuaj. Eshte nje konglemerat qe une nuk e quaj plagjiature. Megjitheate shkrim i bukur.</p>
C'eshte ky gazetar, shkrimtar
C'eshte ky gazetar, shkrimtar e kritik qe nuk la gabim gjuhesor pa bere ne nje shkrim te vetem
Zapbone xhanëm, ç'a ke desht
<p>Zapbone xhanëm, ç'a ke desht të analizosh se ma po duke se as vetë nuk e kuptuar mëpas. Veçse se konfirmon autorin (goxha pa nevojë) se dija jonë ka burrimin nga gjithandej. Po ti anonim koqedash vetëm nga inati s'pate gjë tjetër të pjellish kundër këtij eseu brilant veçse të bësh gjueti pas gabimeve gjuhësore, të cilat nuk na i bën të njohura edhe ne...të mësojmë pra ...hajde. Mendoj se teksti kërkon më shumë perqendrim intelektual së pari per ta kuptuar e pastaj për ta analizuar. Jemi mësuar çdo gjë që na djersit trurin ta shajmë apriori, para se ta kemi kuptuar. </p>
Shkrimi nuk eshte i bukur,
<p>Shkrimi nuk eshte i bukur, eshte si nje mozaik me sajesa te huazuara duke bere efekt dhe mund te quhet me plot gojen dhe plagjiature. Ne leximin e pare ka sygjestionimin qe fshihet mbas citime mendimtaresh po shkrimi gati gati eshte i keq. E lexova per here te dyte dhe shkrimi ka arratisje deri ne lajthitje. Mere veni autorsine e vertete dhe fut ne kllapa apo ne thonjeza: (Këto janë embrionet kryesore raymondiane, të cilat zhbëjnë demokracinë liberale. Cila prej këtyre defekteve iu mungon shoqërive shqiptare(vetem kjo fjale eshte e jotja)? Po themi se gjitha këto përfundime logjike që i radhit filozofi kryesor i liberalizmit aktual janë logjike dhe i dinë të gjithë. I dinë sepse i përjetojnë përditë. Atëherë le të dihet se si e përshkruan ai edhe procesin, manifestimin final të kësaj zhbërjeje: Qytetarët që kanë humbur besimin tek sistemi kërkojnë alternativa tjera. Religjionet, doktrinat kuazirevolucionare, sektet, lokalizmat, etnitë dhe grupe të llojllojshme shfrytëzojnë vakumin, mungesën e shtetit për të krijuar principatat e tyre të sundimit. Diversiteti, nga pasuria kulturore shndërrohet në dramë apokaliptike të vendit.) Keto nuk jane fjalet e Xhemalit. Qysh ne titull e ne mendim nuk eshte dashamires e realist. Nuk kam kohe dreqi e mori se dhe te shkruash duhet kohe, dhe nuk i jap rendesi gabimeve gramatikore, merrem me shume me pikturen/shkrimin, kornizen/shenjat e piksimit i injoroj. Atehere sa per ilustrim ne hyrje te shkrimit: “ Shqiptari ushqehet si turku, italiani; vishet si amerikani, francezi; shkruan e reflekton si gjermani, anglezi; beson si arabi, hebreu; dashuron si beduini dhe italiani; vetëm politikën e bën si donë vetë: për interesin personal, të fisit, klanit dhe të gjakut!“ O Xhemali nga Dobërdolli je kot fare, je skandal deri ne ulerime qe, nuk di nga pjerdh Gomori. Shqiptari ushqehet si turku, Dobërdolli ushqehet si turku po jo shqiptari. Italiani nuk vishet si amerikani, po italiani vesh gjith boten – do te ishte sakte. Francezi shkruan e reflekton si gjermani. Gjalle ne bote JO. Nuk bon vaki dhe nuk ka qene asnjehere ashtu. Anglezi beson si arabi dhe hebreu dashuron si beduini jane vule e sigluar e idiotise se pa shembullt qe tradhton nivelin e vertete te Xhemalit. Ne angli nuk shkon asnje ne kishe mor Dobërdoll dhe hebrejte besojne vetem parane. E di ku je Ti Xhemolo, je akoma ke sapllakja e ke shtoma qe e mer me vete atje ku shkon mbreti ne kembe. Nje shkrim qe te mos e zgjas qe mund te quhet refleksione plagjiature e nje kacaku qe copton lule me lule dhe kompozon nje shkrim mozaik me putpuri te pershtatura ne varjantin Dobërdolljan. Po cfar nacionalizmi mor toc ku gjysma e shqiptareve ka ndryshu fe e emer din, e imon e i ka ra hasha atdheut. Shkrim i keq. Nuk ja vlen.</p>
Zapobone ti qenke një
<p>Zapobone ti qenke një analfabet unikat. Po duket se di vetëm të urresh e shpifish (plagjiaturë!!?) ndërsa sa u përket problemeve tjera që ky djaloshi ka trajtuar : qenke duke jetuar në ndonjë shpellë maleve apo më mirë i mbyllur në ndonjë dhomë ku të zihet fryma. Po lere këtë edhe racist na qenke kur merresh me stereotipet rreth hebrenjve, madje edhe sociolog i shoqërisë angleze që paska hulumtuar e kosntatuar mosshkuarjen e anglezëve në kishë. Dhe me këtë "imon" çka ke dash të thuash "limon". Nuk e paske lexuar fare artikullin; po ku shkurhet këtu larte se Francezi mendoka si gjermani, anglezi beson si arabi? Ku?? Nuk do ishte keq që këta që mbajnë portalet së paku kur ta vërenin se komentuesi nuk din të lexoj aq sa duhet - ta lënë të bëjë jetë edhe mëtej ne gropën e anonimatit!</p>
Ky tekst me duket sikur eshte
<p>Ky tekst me duket sikur eshte perkthyer me Google Translate. </p>
Add new comment