21 Janari: fundi i diplomacisë “yes, but”

“Nëse ke dyshime për diçka, përgjigju me ekuivoke”! Kjo është këshilla që poeti romak Horaci i jep skllavit të tij Davos, i cili e kishte zakon që për çdo përgjigje të jepte një “po” ose “jo” të prerë. E folura direkte e skllavit e kishte vënë jo rrallë në siklet poetin dhe miqtë e tij...
Horaci, si poet, ndoshta nuk mund t’i dinte pasojat akoma më të sikletshme e dramatike të komunikimit jo të drejtperdrejtë dhe ekuivok.Në kulmin e konfliktit me Peshkopin Thomas à Becket, mbreti Henry II i Anglisë në vitin 1170 lëshoi në eter fjalinë: “Kur do shpëtoj nga ky prift ngatërrestar e grindavec?!” Ndoshta ishte vetëm një ofshamë lodhjeje, ndoshta vetëm një psherëtimë nga stresi kjo e mbretit. Ndoshta ishte vetëm një shkarkim i frustrimit nga sherri i stërzgjatur. Ndoshta ishte një shenjë indirekte për ndjekësit e tij që t’ia hiqnin një orë e më parë qafe burimin e konfliktit! Kush e di?! Ajo që dihet me siguri është se të nesërmen e fjalisë së shumëinterpretuar të mbretit, peshkopi u gjend i vrarë...
Të jetë vallë edhe 21 Janari produkt i një komunikimi ekuivok që politikanët bëjnë në prani të ndjekësve të tyre fanatikë? A kemi të drejtë të imagjinojmë Edi Ramën, i cili, i lëshuar rëndshëm në kolltukun e tij, teksa luan me lapsat shumëngjyrëshe, flet si nëpër dhëmbë: “a ka njerëz ky vend që mund ta nxjerrë Doktor Rrumpallën nga zyra e tij kryeministrore”? Kujt i drejtohet kjo fjali? Çfarë kërkon konkretisht Edi Rama? Kujt ia kërkon? Apo është thjesht shprehje elodhjes nga opozitarizmi, shprehje padurimi për të marrë karrigen e kryeministrit?Apo është sinjal për ndjekësit e tij besnikë që ta nxjerrin kryeministrin për zhelesh jashtë nga zyra e tij? Kush e di?! Ajo që dimë është ajo që pamë me 21 Janar 2011. Nga ana tjetër, a kemi të drejtë të imagjinojmë edhe kryeministrin Berisha, i cili, teksa përshkon me hapa energjikë zyrën nga njëri cep tek tjetri, ofshan: “Kur do të shpëtoj nga protestat e këtij të dështuari, i cili dje më nguliçadrat para kryeministrisë, kurse sot më ka sjellë mijëra protestues poshtë zyrës sime?! Si mund të shpëtohet nga ky bllokqen?!” Çfarë kërkon konkretisht Berisha? Kujt ia drejton pyetjen? Apo është thjesht një shkarkim psikologjik nga opozitarizmi i gjatë bllokues i Edi Ramës? Kush e di?! Ajo që dimë është se 4 qytetarë u vranë me 21 Janar.Ajo që mund të marrim me mend është se pranë kryeministrit ndodhej edhe një malësor mirditor me emrin Ndre Prendi, me veshin e stërvitur për mesazhe të tilla ekuivoke (gjuha e malësorëve e tillë është), i cili, pyetjes ekuivoke të kryeministrit, i përgjigjet pabëzajt “Tani!”
Në një vend si Shqipëria, ku politika është konfliktuale, komunikimi politik bëhet gjithnjë e më ekuivok, më indirekt, më evaziv, më i vagullt e kontradiktor. Dhe sa më lartë temperatura e klimës politike aq më dramatike pasojat që sjell një komunikim i tillë. Në këtë klimë të nxehtë e të tensionuar politike shqiptarët presin vazhdimisht që kokat e ftohta të diplomacisë së akredituar ta freskojnë situatën me pozicionime të qarta.Paradoksalisht ndodh e kundërta e asaj që pritet. Me gjuhën e tyre të akullt e impersonale,diplomatët amerikanë dhe europianë të niveleve të larta, me ndonjë përjashtim të rrallë, zhgënjejnë.Zhgënjejnë, sepse kanë zgjedhur komunikimin me ekuivoke si teknikë të komunikimit të tyre me publikun shqiptar. S’kanë faj ndoshta. Të gjendur mes dilemës për të dhënë një shpjegim për ngjarjen dhe dëshirës për mos t’ia prishin qejfin Zotërve të shtëpisë ato zgjedhin fjali të tilla sterile dhe pa ngjyrë të tipit “inkurajojmë zbardhjen e plotë të ngjarjes”, “kërkohet një hetim i gjithanshëm” apo fjalitë e tipit “yes, but”, si p.sh. “zgjedhjet ishin përgjithësisht të mira, por pati edhe probleme”. Ky lloj pozicionimi postmodern i diplomatëve euroamerikanë, që i druhet çdo lloj pozicionimi të qartë pasi e konsideron atë si mungesë mirësjelljeje apo gati-gati tradhëti ndaj palëve, e përjashton mundësinë e një gjykimi moral. Në gjuhën e tjerrur të diplomacisë nuk ekziston e drejta dhe e gabuara; ekzistojnë vetëm qëndrime të ndryshme.Kjo gjuhë nuk paqyron hierarkinë e çdo skakiere politike, në të cilën lëvizin, miq, armiq dhe njerëz neutralë, por rrafshon gjithçka. Rreziku i kësaj gjuhe laboratorike është se ajo mund t’i dërgojë mesazhe të gabuara, njerëzve të gabuar, në kohën e gabuar. Millosheviçi do të vazhdonte edhe sot e kësaj dite të luante si macja me miun me diplomacinë europiane dhe amerikane, po të mos ishte shfaqur një diplomat si Richard Holbrooke, i cili i flaku tutje ekuivoket që përkëdhelnin sedrën e dikatorit serb, duke e paralajmëruar me fjalë të qarta e të pakeqkuptueshme se po të mos firmoste marrëveshjen, Amerika do të bombardonte menjëherë.
Mendoj se me gjuhën e tyre hipokrite, lajkatare dhe plot ekuivoke diplomatët e akredituar në Shqipëri, e kanë legjitimuar lojën e pushtetit të radhës me zgjedhjet, me opozitën, me institucionet. U desh një vendim gjyqësor i pabesueshëm dhe absurd që e linte pa fajtor tragjedinë e 21 Janarit për t’i kthjelltësuar mendjet e sofistikuara diplomatike në Shqipëri se e kishin tepruar me komunikimin e tyre ekuivok. I pari që e kuptoi me sa duket se me finesën e tij diplomatike kishte çuar sinjale të gabuara tek njeriu i gabuar në kohën e gabuar qe ambasadori amerikan Arvizu, i cili, me një gjuhë të qartë e të prerë, të zhveshur nga çdo ekuivok, shprehu shqetësimin e tij për vendimin absurd të Gjykatës.
“Të shkruash poezi pas Auschwitz-it është diçka barbare” – shprehet metaforikisht Adorno. Shpresoj që diplomatët euroamerikanë në Shqipëri ta kenë ndjeshmërinë e nevojshme njerëzore për të kuptuar se,pas 21 Janarit, gjuha e tyre e spërdredhur me ekuivokekishte diçka çnjerëzore. Në një vend ku “të shenjtë” konsiderohen institucionet por jo jeta e njeriut, gjuha diplomatike “yes, but” është një barabarí e vërtetë. Diplomacia në Shqipëri duhet t’i kthehet komunikimit direkt të atij skllavit të Horacit.Përndryshenaduhettëpresimzbulimet e fundittëWikileaks-it. Atyku “njëburrështeti” eventualishtpërshkruhetsinjëburracakqëvretpërpushtet.
Mapo
Comments
plotesisht te drejte ju jap

plotesisht te drejte ju jap z. bakalli. por edhe ju nukk kishit pse perdornit gjithe kete stil elegant per t'ua thene troc zoterinjve ambasadore qe e kane qelbur me gjuhen e tyre qe te kujton klishete e atyre qe japin parashikimin e motit, i cili neser do te jete me diell, vende-vende me shi dhe diku mund te bjere edhe bore...

Pergezime per kete artikull

Pergezime per kete artikull te bukur, te sakte, godites dhe kualifikues. Kualifikues ne aspektin, qe une personalisht njoha me mire juve z. Bakalli dhe ve re perseritjen ne vite te fenomenit rrënues te arratisjes se mendjeve te mencura nga oda e PD-se.

I'a vlen te sillet ne

I'a vlen te sillet ne vemendje qe dhe Neroni ishte poet e i shkuar poetit, dhe zjarrit, po te besojme historine, i'a kishte marre doren jo keq. Na ngelet veç te shpresojme qe poetet tane nderkombetare e lokale te mos kene nje lidhje shkakesore me krimin siç e kishte Neroni, se perndryshe...

o deputet! edhe mu me duket

o deputet! edhe mu me duket barbari qe ti te shkruash artikuj, nderkohe qe mund te ishe atje ne parlament e ta kendoje letrat atyre ish kolegeve tuj matufa!

Cukali, e kishte thene sakte

Cukali, e kishte thene sakte ' populli i frikur per tu perballur vete me kuçedren, pret qe 'qerosi' ti prese koken kuçedres'. Ideja eshte, se ketu kjo e keqe, ka rene mbi te gjithe dhe eshte kjo shumice, qe duhet te dale dhe te kerkoje me ngulm te drejta e dhunuara. Cdo popull eshte ngritur vete, per vendosjen e te drejtave te mohuara, nuk ka pritur, qe te dale nje 'qeros' dhe te vrase 'kucedren'. Sovranit, i eshte mohuar jeta dhe cdo e drejte, qe buron prej saj dhe rrjedhimisht ky sovran duhet te vetvendos fatet e veta, ndryshe historia na ka treguar si do jete perfundimi.

Add new comment